Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

SHQIPTARËT KANË PLOT KEQKUPTIME KULTURORE NDËRMJET TYNE!

302127642_189742926776330_8010079555885737173_n
Bashkimi kulturor, mision i (pa)mundshëm
Halil MATOSHI
1.
Etnia shqiptare âsht bashkësi njerëzore e themelueme dhe e lidhun n’rrfânën e gjuhës shqipe. Prandej, kulturalisht ky etnikum përket në arealin shqiptar, nji areal që vegjeton në vijën përplasëse të mendimit Perëndimor me atë Lindor.
Nuk e përdor “kulturë kombëtare” se termi merr kontura politike (kombi âsht ni bashkësi imagjinare e njerëzve, politikisht e konstruktueme), sepse në këtë korpus hyjnë edhe kultura shtetërore, kultura e debatit, marrdhëniet me të tjerët, kultura konstitucionale, ligjore dhe projektimi i një shoqnie politike, që shqiptarët ende janë larg saj!?
2.
Kultura, sëkëndejmi duhet të këtë autonomi të plotë nga politika e të shpreh vlerat mâ sublime të shpirtit njerëzor, me idenë e afrimit e jo përplasjes ndërmjet kulturave. Na, shqiptarët p.sh. kemi plot keqkuptime kulturore ndërmjet veti, të tipit vulgar, si ajo për vajin e ullinit e qebapat, por edhe të tipit identitar: Shteti apo kombi?
Dhe kush kë e krijon në epokën e identiteteve të shumëfishta.
E na lidhemi rëndom me identitete vrastare, ideologjike e fetare.
Të mos lëshohem në keqkuptimet kulturore që na “ndajnë” me fqinjtë, po edhe me botën.
3.
Në këtë mësymje për me e nxjerr thelbin e gjânavet e me i shfaq para publikut, prodhuesit e kulturës në Kosovë janë të përjashtues nga shteti, jo pse shteti (zyrtarët qeveritarë) nuk duen mâ shumë kulturë, por nga shkaku që nuk dijnë çka vërtet âsht kulturë e naltë, sepse mendja dhe shija e tyne mbahet ultë estetikisht dhe në shoqnitë e konsumit, shteti mbështet Keatsch-in për me i bâ tubë e kontrollu masat!
4.
Për këmbimet ndërkulturore, mund të thuhet se ndërmjet shqiptarëve, pengesa administrative e ideologjike mâ s’ka, porse ka tendenca për subvencionim kulturor të votuesve (pra partizim subvencionesh) pavarësisht vlerave. Kurse privati i ka punët edhe mâ keq: as nuk prodhon dhe as nuk konsumon kulturë (simas asaj që moderniteti njeh dhe shpreh me këtë term), ngase industria e modës, argëtimit dhe modeli i jetesës konsumuese i përcakton edhe “vlerat”.
Maksima antike “Bukë e lojna” edhe sot e tan ditën vlen si levë e pushtetit për kontroll. Natyrisht që gjuha âsht kontroll dhe kush e kontrollon atë, e ka pushtetin politik! Prandej kontrolli mbi gjuhën e zhvesh kulturën nga kuptimet estetike dhe e bân atë maskulturë, popkulturë dhe e transmeton atë si happening, madje edhe performansë.
5.
Maskultura âsht produkt i cilësisë së dyshimt dhe kushton lirë!
Kështu, madje edhe filozofia, theatri e poezia po marrin karakteristika të përformansës, duke iu shmangun pyetjeve jetike: Pse jemi në botë, a jemi vetëm, pse Zoti? A âsht ai neutral në çashtjet njerëzore?
A âsht mizor apo dashamirës? A ka të jetuemit kuptim?
Pse deka si fenomeni mâ i huej për individin sepse ai nuk e njeh vdekjen e vet!? Pse vetëvrasja? Kurse kultura duhej me i dhânë mbështetje filozofisë, përmes krijimit të së bukurës, që âsht thelbi (pa tepritë) i ekzistencës sonë!?
Performansa bâhet shpejt (kursen kohën) dhe ka kosto ma t’ult e treg mâ të gjânë.
Maskultura âsht produkt i cilësisë së dyshimt dhe kushton lirë!
Kjo lloj kulture âsht e panevojshme për shumicat injorante në pushtet!
Injoranca âsht fuqi nga fakti së âsht shumicë! Sëkëndejmi, shteti rri indiferent ndaj kulturës dhe investon në rritje të popullizmit, pra edhe utilitares në art.
Prandej, industria e futbollit dhe popmuzikës, modës, turizmit, e ka qitë nga orbita e shpirtit njerëzor kulturën klasike, që shkon krahas mendimit njerëzor dhe e fisnikëron atë, duke ia ndajshtu të bukurën të vërtetës, etikën politikës!
6.
Shihni përreth, kur na po flasim për prodhim e këmbim vlerash kulturore, shumica e shqiptarëve janë të preokupumë me koncepte politike për fenë, duke përqafue në masë Islamin politik kundrejt Projektit Iluminist.
Na jemi t’rrezikuet me e humb projektin perendimorizues dhe emancipues, për me e mbërthy me baskia të ndryshkuna mendimin Perëndimor, në favor të (pa)mendësisë mesjetare fetare!?
———————————————
* Autori âsht shkrimtar dhe opinionist nga Prishtina

Related Posts

Leave a comment