Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

NJË TAKIM INTERESANT NË UDHËTIMIN E VERDHË

302444797_544158680730093_4383453197155061263_n
Në ditën e njëzetë të Udhëtimit të Verdhë, diku midis Prilepit dhe Veleshit në Maqedoninë e Veriut, takova francezin Emmanuel Villeneuve. Emanueli po ecte duke e lehtësuar ecjen e tij me dy steka, seicila në njerën dorë, ashtu si zakonisht përdorin sot ata që ecin distanca të gjata apo ngjiten në male. Ndaluam të dy, biseduam pak dhe bëmë foton e mëposhtme. Emanueli ishte një besimtar i devotshëm krishter, pranë françeskanëve. Ai më tregoi se po ndiqte njerin nga shtigjet kryesorë të pelegrinazhit për në Jeruzalem, të cilin pelegrinët nga Europa Perëndimore e kanë ndjekur prej shekujsh. Në ndjekje të këtij shtegu, ai do futej në Greqi pranë Selanikut, pastaj do kalonte në Azi, jo nga Bosfori (Stambolli) por Dardanelet (Çanakaleja). Pastaj do vazhdonte përgjatë bregdetit jugor të Turqisë, do hynte në Siri, Jordan dhe më në fund në Jeruzalem. Emanueli ishte nisur nga Parisi më 1 Prill dhe priste të mbërrinte në Jeruzalem për Krishtlindje.
Gjatë bisedës, Emanueli më tregoi se kishte dhimbje barku dhe se po vuante nga diarreja. Qëlloi që edhe unë kisha qenë me diarre një natë më parë por më kaloi menjëherë duke përdorur një hap, të cilin Ardiana pati këmbëngulur që ta merrja me vete qyshkur u nisa. Po të llogarisësh sasinë e pamatë të rushit, fiqve, dardhëve, kumbullave, manaferrave, arrave apo bajameve që kam ngrënë nga pemët anës rrugës, është me të vërtetë mrekulli që nuk vuajta më shumë se aq nga barku. Kësisoj, meqënëse unë isha në fund të udhëtimit tim dhe Emanueli pothuajse në gjysmën e udhëtimit të vet, ia dhashë atij pjesën e mbetur të hapeve. Po ashtu, i dhashë atij edhe 2-3 paketa Tylenol, si edhe disa paketa me Trisol.
I uroj Emanuelit pelegrinazh të suksesshëm, me plot përmbushje shpirtërore dhe lehtësi fizike.

Related Posts

Leave a comment