Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Shpallja e Mbreterisë si një akt europianizues

278221573_526105265547104_4439753261773357961_n
Princ Leka
Shpallja e Mbreterisë, që përbën në fakt një restaurim të formës monarkike të shtetit shqiptar në favor të dinastisë vendase Zogu, pas një paranteze të shkurtër republikane, ka krijuar pa dyshim kushtet e stabilitetit politiko-institucional që mundësuan një dekadë të artë për kombin shqiptar (1928-38). Mirëpo, në këtë vit të rëndësishëm kombëtar të çeljes së negociatave për aderimin në Bashkimin Europian, nuk duhet harruar se Shpallja e Mbretërisë më 1 shtator 1928, në një notë më delikate, ka qenë edhe një akt solemnisht europianizues për shtetin dhe shoqërinë shqiptare.
Së pari, nuk duhet harruar se ende asokohe Europa ishte në një masë domethënëse kontinenti i mbretërive. Midis Ballkanit në Lindje dhe Italisë në Perëndim, Shqipëria republikane ishte një copëz që notonte e vetmuar në mesin e një deti mbretërish. Regjimi monarkik vendosi sovranin tonë në një këmbë barazie me mbretërit e vendeve fqinje dhe rriti prestigjin e tij përkundrejt krerëve të shteteve dhe qeverive të tjera duke salduar ndenjësen e pamohueshme të Shqipërisë rreth tryezës europiane.
Së dyti, çka regjenca, e përbërë prej përfaqësuesve të katër bashkësive fetare, e përmbushte tradicionalisht por në mënyrë të thatë, Familja mbretërore përmes martesave dhe krushqive e mishëroi në një mënyrë njëqind-fish më subliminale dhe të ekzaltuar. Laiciteti i shtetit dhe shekullarizimi i shoqërisë janë produkte të praktikës kushtetuese mbretërore.
Dhe, së fundi, adoptimi i formës, kodeve, praktikave dhe mendësisë europiane nga Oborri mbretëror shërbeu si katalizatori më i fuqishëm për promovimin, përhapjen dhe depërtimin e tyre në shtresat, territoret dhe komunitetet më të ndryshme të vendit. Portreti i Shqipërisë europiane, megjithëse ende sot i papërfunduar, i ka marrë trajtat e veta qartësisht të dallueshme përmes akteve të mëdha politike si Statuti Themeltar apo Kodi Civil i Mbretërisë por mbase edhe më tepër nga një shumësi e njëpasnjëshme gjestesh, ritualesh dhe imazhesh që sot popullojnë vetëdijen tonë kolektive.

Related Posts

Leave a comment