Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Një histori me fadromë…

13709931_10207090158154191_1096450270861516953_n
Bujar karoshi
Fehmiu është një burrë i moshuar, 85 vjeç. Është nga një fis i madh dhe i njohur në Dibër. Që fëmijë, në vitin 1945, familja e tij u internua… Për pjesën e internimit deri në vitet ’90 nuk po shkruaj gjë, se e merrni me mend vetë.
Pas viteve ’90 Fehmiu erdhi në Tiranë. Ndërtoi një shtëpi, “pa leje”, në mos gaboj 3 kate, në Laprakë, afër shkollës 9-vjeçare, si të gjithë shqiptarët nga Jugu në Veri, që “pushtuan” Tiranën.
Në kohën kur kryeministri i sotëm ishte kryetar bashkie dhe nisi atë aksionin e famshëm të prishjes së kioskave dhe shtëpive, i erdhi radha edhe shtëpisë së Fehmiut.
Erdhën fadromat te shtëpia. Fehmiu ishte aty. As protestonte, as bërtiste, por rrinte te dera me shpresën se ndokush nga policët bashkiakë do t’i urdhëronte të tërhiqeshin.
Një qytetar i Laprakës, që nuk e njihte Fehmiun, i tha policit të bashkisë:
– Prishini të gjitha këto ndërtime, veç atë shtëpi mos e prishni…
– Po pse, o xhaxha, i tha polici.
– Ajo shtëpi jo vetëm që nuk duhet prishur, por duhet kthyer në një muze. Se ajo shtëpi i ka hapur dyert për vëllezërit e Kosovës që ikën nga lufta, ndërsa i zoti i saj flinte në hotel… Mos e prishni…
– Mirë e ke, ore xhaxha, por ne kemi marrë urdhër për ta prishur…
Dhe e prishën. Fehmiu mori rrobat e trupit dhe iku…
“Kulla” që kishte ndërtuar në Tiranë, me ëndrrën që t’i kthente fëmijët e t’i bënte bashkë, u thye… Tani është një emigrant edhe vetë: bën jetën mes Peshkopisë e Kanadasë, por shpirtin e ka nën rrënojat e “kullës” së shembur në Laprakë…
“Ma bënë nga inati, thotë edhe sot e kësaj dite Fehmiu. Sepse kulla tjetër, më e madhe dhe mu në oborr të shkollës, është edhe sot e kësaj dite…”.
Si Fehmiu ka plot histori sot. Çdokush mund të tregojë për një mik, për një vëlla, një në fis a një të njohur që është nëpërkëmbur, i është prishur streha apo është burgosur ca ditë, sepse ka dashur të mbrojë “shtëpinë e tij”. Aty ku nuk të prek as “armiku”…
Dhe kur ke parë raste të tilla, se di pse, por nuk më vjen asnjë fjalë të mbroj “Prestigjin”…

Leave a comment