Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

QYTETI QË “SKENAT E KRIMIT” ZËVENDËSON ME “SKENA ARTI”

306257636_10222709535739852_5055894557047191558_n
Thoma Nika
– 30 piktorë nga Bota, japin në Sarandë performancë pikturimi live-
Mëngjesi i sotëm gjeti në shetitoren e Sarandës “gjuhë” ngjyrash, hedhur në telajo dhe derdhur në mjedisin përreth. Parë në kontekstin e asaj që ndodhi në mbrëmjen e 10 shtatorit, çdo gjë përngjan jo me një “skenë krimi”, por me një “skenë arti”.
Është gjuha shprehëse, me të cilën foli talenti dhe fantazia krijuese e një grupimi piktorësh nga i gjithë Globi, sjellë në Sarandën e risive verore e vjeshtore, nga Qendra që mban emrin “Tirana Art”. Ishte brilante ideja e Jona Dividit, që drejton këtë Qendër dhe që po i jep Sarandës traditën e organizimit në një Koloni të pangjashme me të tjera, të piktorëve elitarë nga bota. Dhe e tillë edhe u realizua performanca e pikturimit live.
Çdonjërit prej piktorëve pjesëmarrës në këtë Simpozium Pikture, iu dha një telajo, një set penelash e bojërash, kavaleta, një tryezë e loguar “Bashkia Sarandë”. Dhe…nis e pikturo në sytë e publikut.
Me veshje pune, ishin vënë në krah të njeri-tjetrit: Larissa nga Franca e Elisa nga Brazili, Fawaz nga Emiratet e Bashkuara e Dorothea nga Gjermania, Allaybey e Banu nga Turqia dhe Arifi nga Qiprua, Clements nga Koreja e Jugut dhe Xho nga Tunizia, Nives nga Kroacia dhe Rexhina nga Ukraina, Vahida dhe Biljana nga Mali i Zi, Dora nga SHBA dhe Gabi nga Austria, Leetiv nga Mongolia, Anna nga Danimarka dhe Ge Riu nga Kina, Mario nga Italia dhe Berati e Osmani nga Maqedonia e Veriut, Erisi dhe Fatmiri nga Shqipëria. Këtij listimi i shtohen edhe emrat e Lefter Çekos e Vasil Kaçit. Peneli i tyre punon e krijon netëve të vona apo mëngjeseve herët, pasi ato që janë orë pune për Koloninë, për ata janë orë të mikpritjes dhe shoqërimit të kolegëve dhe miqve nga larg. Edhe ky obligacion i mbush me emocion dhe me eksperienca krijimi.
Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë, që shetitorja e Sarandës të kthehej në studjo të hapur piktorësh.
Nuk besoj që mbeti njeri, nga ata që shetitën mbrëmë në shetitore, dhe nuk i ndali hapat para ateliesë në pikturë. Ajo funksionoi pa mure studjosh, pa mbajtur të fshehta “sekrete” dhe truke profesionale.
Gjithçka erdhi si një show origjinal. Me një çrregullsi të nënkuptuar dhe të prejardhur nga procesi krijues.
Në shoqërinë e syve të publikut, mbrëmë në pak orë lindën dhjetëra vepra arti. Dikush derdhi me dashje një govatë boje mbi telajo, një tjetër penelatat i jepte me anë të një furçe që krijonte imazhe në çast; diku më tej një majë thike përdorej për t’i shtuar detaje të lexueshme punës; një tjetër fashat e ngjyrës i jepte me anën e një ruli me bisht të gjatë, të cilin një çast e ”ktheu” në mikrofon, për të marrë impresione të kurreshtarëve të punës së tij. Italiani Mario ishte më spektakolari për publikun. Përgjysëm i xhveshur, ai pikturonte me duar e me këmbë. Shputën e këmbës e përdori për t‘i dhënë njollës së bojërave imazhin që ai kishte ideuar për punën e vet. Madje, siç e kanë në natyrë italianët, ai bëri “bashkëautore” të pikturës së tij një vajzë të vogël, këmba e së cilës gjithashtu përvijoi përhapjen e bojës në drejtimin që Marios i duhej.
“Saranda Art Days” (Ditët e Artit në Sarandë), janë në vijim dhe të hapura . Në “skena arti” ka ditë që janë kthyer mjediset e Bougonvile Bay. Do të kthehen në ditët që vijnë Butrinti e Ksamili dhe Gjiri i Sarandës, i parë nga deti, nga bordi i anijes turistike “Ali Pashaj Vip”.
Me të gjitha krijimet që po realizohen në këto “skena arti” gjatë pesë ditë-netëve Simpozium Arti (sivjet në edicionin e dytë), Saranda do të ketë rastin t‘i shikojë e shijojë të kuruara nga shqiptari i Maqedonisë së Veriut, Osman Demiri. Ato do të jenë të përfunduara e të ekspozuara në shetitoren e bukur, të kthyer në “skenë arti”, nga mjeshtra, që, me penelin e tyre i shtojnë ngjyra vjeshtës së Sarandës 2022.

Leave a comment