Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

SHEMBËTIRA INFORMATIVE E MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME

306371671_2925021624461319_163546756782506778_n

Nga Shpëtim Doda

 

Nisja zyrtarisht e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në korrik shenjon fazën më të rëndësishme në proceset integruese të vendit në Bashkimit Evropian. Nisja e kësaj faze ka sjellë në mënyrë sa të vetëkuptueshme, aq të pashmangshme, një rritje të ndjeshme të interesit të thuajse të tërë aktorëve të vendeve anëtare për të patur një pasqyrë të gjendjes reale të aspekteve të përfshira në 35 kapitujt e paketës së anëtarësimit. Pjesë e këtij interesi të shtuar janë edhe tre projektet hulumtuese në të cilat jam i përfshirë së bashku me tre gazetarë të një grupi mjaft të njohur mediatik me qendër në Bruksel, një prej të cilave lidhet me administratën publike, duke synuar, më konkretisht, që të pasqyrojë realitetin dhe problematikat e ndeshura në lidhje me parimet e administratës publike, me standardet, si dhe me kriteret e rekrutimit dhe të karrierës në administratën publike, pjesë këto të raportit mbi Shqipërinë që i parapriu vendimit të korrikut (Albania 2021 Report, 2.1. 2). Ndërkaq, rritja e ndjeshme e interesit sjell, në mënyrë po të vetëkuptueshme dhe të pashmangshme, edhe rritjen po aq të ndjeshme të nevojës për informacion të palëve të interesuara, nga njëra anë, ku përfshihen edhe gazetarët dhe media, si dhe qytetarët, dhe, nga ana tjetër, të vullnetit dhe të gatishmërisë për transparencë të institucioneve shtetërore për të dhënë informacion në përputhje me kuadrin kushtetues dhe ligjor ekzistues. Mbas përzgjedhjes së institucioneve, vendosëm të nisnim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke qenë se fjala është për institucionin që përfaqëson vendin dhe qeverinë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Në kuadër të këtij projekti, por edhe si QYTETAR i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (neni 10 dhe 13), në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (neni 23, pika 1), dhe Ligjin 119/2014 “E Drejta për Informimit”, në datë 18.08.2022, i drejtova Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) kërkesën e parë – ndërkohë që do të ketë disa syresh – për të më përcjellë informacion në lidhje me:

1) Emërimin Drejtore e Përgjithshme Ekonomike dhe e Shërbimeve Mbështetëse pranë MEPJ e znj. Ilda Dega, në një kohë që zonja në fjalë kishte mbushur moshën e daljes në pension, si dhe arsyet se përse asnjë nëpunës tjetër i administratës shtetërore apo i MEPJ në moshë aktive nuk u emërua në këtë detyrë.

2) Procedurat e ndjekura në përzgjedhjen në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të MEPJ e z. Gazmend Turdiu, shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

3) Kriteret e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të MEPJ, formën e emërimit (me konkurrim, apo me emërim ex cathedra), autoritetin emërues, si dhe bazën ligjore.

4) Procedurat e emërimit në postet diplomatike jashtë vendit, kriteret e përzgjedhjes, formën e emërimit, dhe bazën ligjore.

Përkundër pritshmërive tona, në vend të vullnetit dhe gatishmërisë për të bërë transparencë dhe për të na përcjellë informacionin e kërkuar, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme zgjodhi të strehohej përfund një shembëtire të thellë dhe të errët informative, pikërisht të asaj shembëtire, ekzistencën e të cilës e përmendi këto ditë edhe vetë kryeministri Rama në përgjigjen ndaj pyetjes “ku ishe ti?” që i drejtuan qytetarët pas luftës që i shpalli objekteve të ndërtuar pa leje; dhe në vend të zbatimit të ligjit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme zgjodhi qartësisht dhe shëmtisht që të kthehet në një institucion në të cilin i vetmi ligj që respektohet dhe zbatohet, është mosrespektimi dhe shkelja flagrante e vetë Ligjit, duke i shkuar pas të njëjtës logjikë të njohur, asaj të manovrave alla Chaplin për të mbuluar një shkelje të ligjit përmes një shkeljeje tjetër, e këtë shkelje përmes një shkeljeje tjetër, e kështu me radhë, derisa shkelja e ligjit kthehet në i vetmi ligj që respektohet dhe i vetmi rregull që ndiqet. Sidoqoftë, grupi ynë i punës është i përgatitur dhe i vendosur t’i shkojë deri në fund projektit në fjalë, duke ndjekur hapat dhe rrugën e parashikuar nga kuadri ligjor shqiptar dhe evropian. Pas ankimimit pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, po përgatitemi që t’i drejtohemi edhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të BE-së në Bruksel, pasi nëse mali nuk shkon te Muhamedi, është Muhamedi që shkon te mali; nëse informacioni nuk vjen tek ne, shkojmë ne tek informacioni, edhe nëse do të na duhet të zbresim si Talesi, jo në fund të pusit, por në fund të shembëtirës së thellë e të errët informative të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Pritja pafundësisht e Godosë, deri në kufijtë e absurdit, është një histori e të shkuarës dhe një histori e tejkaluar tashmë. Ndërkohë, kjo sjellje e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila bie haptazi ndesh me sjelljen që duhet të ketë institucioni që përfaqëson shtetin dhe qeverinë shqiptare në arenën ndërkombëtare, është një indicie e fortë e ekzistencës së shkeljeve ligjore në çështjet për të cilat kemi kërkuar informacion, pasi është më se e njohur se shkelja ligjore dhe terri informativ janë gjenetikisht e strukturalisht të lidhur; sa më e rëndë shkelja ligjore, aq më e thellë shembëtira në të cilën përfundet, më e thellë se tuneli sabatian dhe më e korkolepsur se labirinti borgesian, dhe aq më i trashë është terri informativ me të cilin mbështillet nga shkelësit e ligjit. Nga ana tjetër, ky është një rast i mirë për kryeministrin Rama për t’i treguar qytetarëve shqiptarë se tashmë ka arritur të dalë prej asaj shembëtire të thellë dhe të errët informative më të cilën gjendej i përfundur deri ditën kur zbuloi ekzistencën e objekteve të ndërtuara pa leje. Le të shpresojmë dhe të presim me durim. Shpresimi dhe durimi për të tilla gjëra, ndonëse kanë një kufi, e rëndësishme është se nuk na mungojnë aspak.

Related Posts

Leave a comment