Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“SHOQËRIA E HAPUR” DHE NJË APOLOG PËR NDERSHMËRINË NË VENDIN E TË KORRUPTUARVE

306950737_193008456449777_5880206797341613466_n
Gersa RRUDHA
Fati i teorive është i ndryshëm. Ka prej tyre që bëhen mbizotëruese veç për një kohë e për rrethana të caktuara. Por, ka të tjera që janë kulmore, aktuale në çdo kohë. Për Karl Popperin dhe filozofinë e tij politike mbi demokracinë, diskursi hyn në kategorinë e dytë. E formuluar mes viteve 1943-1945, në veprën tashmë të famshme “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj”, ajo mbetet aktuale ende dhe sot, për të vazhduar e tillë edhe në të ardhmen. Filozofi austriak niset nga një koncept bergsonian që atë të “shoqërisë së hapur”. Me një shprehje të tillë kuptohet një shoqëri e strukturuar në një mënyrë të atillë që të ruajë dhe të kujdeset gjithmonë për lirinë e anëtarëve të vet, falë forcës së institucioneve të ngritura mbi votën popullore dhe të vijuar me parimin e vetë-korrigjueshmërisë, në një trajektore evolucionare kah formave më të përshtatshme për kënaqjen e qëllimit që kjo shoqëri i ka vënë vetes, d.m.th. sigurimin e lirisë. Në një perspektivë të tillë, koncepti i demokracisë nuk i takon një strukture politike aprioristike, statike dhe të përhershme në atributet e saj. Një shoqëri demokratike mund të përkufizohet e tillë vetëm nëse arrijnë të shqyrtohen marrëdhëniet që ajo krijon mes shtetit, qytetarëve dhe minorancave. Sipas kësaj filozofie, pyetja se “kush” është i mirë për të qeverisur, del krejtësisht në plan të dytë, në krahasim me pyetjen se “si” dhe se “sa” ai qeveris.
Pas trajtimit të premtimeve të pambrojtura të demokracisë shqiptare të tranzicionit, analiza e raportet të shtetit dhe udhëheqësve të tij me qytetarët, do të qe një tjetër aspekt i rëndësishëm për të gjetur pikërisht atë “trajektore vetë-korrigjuese” që kërkonte Popperi. Pyetja që të gjithë patën shtruar para tij pat qenë: kush duhet të qeverisë? Mirëpo një pyetje e tillë ka provokuar përgjigje të përcaktuara si sterile, të tipit “ më të mirët”, filozofët, sovranët e iluminuar, populli deri dhe te raca superiore. Për Popperin, një pyetje e tillë duhet tejkaluar. Për të, pyetja e Platonit se “kush është më i denji për të qeverisur” është radikalisht e gabuar, pasi, siç shprehet ai, në qytetin ideal të Platonit, dialogu i lirë sokratik nuk do të kishte të drejtë qytetarësie. Për këtë arsye, pyetja themelore që duhet shtruar është krejtësisht tjetër: “cilat duhet të jenë kushtet e duhura që edhe udhëheqësit më të këqij të prodhojnë për vendin dhe qytetarët të keqen më të vogël të mundshme? Ose e thënë në një mënyrë tjetër: “Si mund t’i organizojmë institucionet demokratike në mënyrë që të pengojnë udhëheqësit e “këqij” ose të “paaftë” të bëjnë sa më pak dëme”? E përgjigja që ai jep është thelbësore. Nëse shteti e njeh lirinë si forcën e brendshme të çdo qenie njerëzore dhe shoqërinë si garante të parimeve që çdo qytetar i lirë duhet t’i krijohen të gjitha kushtet për zhvillimin e saj në çdo nivel të tij, atëherë demokracia “nuk mund të mos jetë nga njëra anë, qeverisja më e mirë e shoqërisë, dhe nga ana tjetër, çerdhja e rreziqeve të vetë degjenerimit të saj, përderisa “të këqijtë”, “të paaftët” apo “autoritarët” si udhëheqës mund ta tjetërsojnë dhe shtrembërojnë tërësisht jetën e një shteti, qoftë edhe modern.
“Na ish njëherë një vend që mbahej në këmbë nga e paligjshmja. Jo se mungonin ligjet, as edhe pse sistemi politik nuk qe i bazuar në parime që pak a shumë të gjithë i konsideronin si të bashkë-pranuara. Vetëm se ky sistem, i artikuluar në një numër të madh qendrash pushteti, kishte nevojë për mjete financiare të stërmëdha (kishte nevojë, sepse kur mësohesh të jetosh me shumë para nuk je më i aftë ta konceptosh jetën në një mënyrë tjetër), mjete këto që mund të siguroheshin veçse në mënyrë të paligjshme; d.m.th. duke ua kërkuar atyre që i dispononin, në këmbim të favoreve të paligjshme. Pra, kush mund të jepte para në këmbim të favoreve, në përgjithësi i kish bërë këto para falë favoreve të përfituara më parë; ndaj bëhej fjalë për një sistem ekonomik në një lloj mënyre qerthullor e jo të papajisur me një harmoni krejt të tijin”. Fillon kështu, në mars të rreth 50 e ca viteve më parë, një artikull ose më mirë një tregim i shkurtër i shkrimtarit të njohur Italian, Italo Kalvino, në faqen e parë të “La Republika”, me titullin e kthyer më pas në një emblemë: “Apolog për ndershmërinë në vendin e të korruptuarve”. Ia vlen ta lexosh e ta rilexosh atë artikull, jo vetëm për të rrokur hidhnisht prej tij aspektet e veçantë që përkojnë aq fort me aktualitetin e sotëm shqiptar, por edhe për të shqyrtuar domethënien që mund t’u mvishet fjalëve të tilla si “ndershmëri” dhe “korrupsion”.
Ajo që karakterizon sot me ngjyra aq të dukshme shfaqjet e shumta dhe komplekse të jetës sonë shoqërore është një andrallë e vërtetë morale që i ka rrënjët tek varfëria dhe mungesa e “ndërgjegjes së mendimit” (siç e pat etiketuar dikur Merxhani), një ndërgjegje kjo që as tranzicioni ynë i stërzgjatur nuk arriti dot ta kristalizojë në vetveten shqiptare. Është e vërtetë që gjendja e vështirë ekonomike është një konstante e përhershme e brumit të apatisë, e përbri saj mund të vendoset edhe shprehja e urtë popullore se “njeriu i pangopur i ngjan një kafshe të zhveshur nga organi i dëgjimit”, por asgjë nuk mund ta mbrojë mbulimin e “kllapisë dhe mpirjes mendore” që mbizotëron sot në çdo sektor të jetës sonë, sidomos në raport me korrupsionin, këtë plagë të majisur të sistemit shoqëror shqiptar. “Fjala është e argjendtë ndërsa heshtja e artë”, kjo duket të jetë diçitura e qëndrimit popullor në një ambient që mundohet të na e paraqesë frikën si një pemë shterpë, që s’ka fuqi moralizimi dhe etike që mund ta shkulë. “Kështu, të gjitha format e paligjshme, nga ato më dinaket deri tek ato më të egrat, forcoheshin në një sistem që shquhej për një stabilitet, kompaktësi dhe koherencë të veçantë, brenda të cilit aq shumë njerëz mund ta fitonin avantazhin e tyre praktik pa humbur avantazhin moral të pasjes së një ndërgjegje të qetë. Ndaj, do të mund të quheshin unanimisht të lumtur banorët e këtij vendi…” . Ja, si e përshkruan Kalvino këtë “ngrirje të stuhishme morale dhe shoqërore që “pllakos” si normalitet në “vendin e të korruptuarve, një situatë kjo që duket sikur përshkuan mrekullisht gjendjen e të sotmes shqiptare, ku korrupsioni nuk është frut i një rasti të izoluar, një domosdoshmëri (ekonomike), një etje e pashfrenuar personale për para e pushtet, diçka kjo pa dyshim e dënueshme dhe e patolerueshme, por gjithsesi një problem, jo një kërcënim. Ky i fundit fillon të trupëzohet kur korrupsioni shndërrohet në një fenomen sistematik, njëlloj si ai për të cilën foli profetikisht, që më 1980, Kalvino i madh. Ngjarjet dhe skandalet që dërmuan sistemin politik italian në fillim të viteve 90-të, e vërtetuan këtë paralajmërim të hidhur. Ndaj, ngritja në këmbë ose aktivizimi i të gjithë sistemeve imunitarë të demokracisë duhet të kanalizohet kah kundërpërgjigjia e këtij rreziku. E ajo nga e cila duhet të nisemi është fakti se ky është një detyrim kushtetues, i cili shprehet qartësisht kështu: “të gjithë qytetarët kanë për detyrë t’i qëndrojnë besnikë Republikës e të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet”.
Ky nen do të duhet të lexohet çdo ditë në zyrat e institucioneve tona publike e në fillim të leksioneve nëpër shkolla e universiteteve (e pse jo, edhe nëpër seancat parlamentare), për t’i dhënë kështu një diktim sistematik moralitetit civil, pa të cilën humbet peshën çdo demokraci e shoqëri. Vetëm se ky angazhim nuk duhet të ndërpritet këtu, por duhet të vazhdojë edhe me pohimin: çdo qytetar të cilit i besohen funksione publike, ka për detyrë t’i zbatojë ato me “nder” dhe “disiplinë”. Kjo fjali p.sh. është pjesë e një neni të caktuar në kushtetutën italiane, ndaj, pse jo, mund të ndërfutet edhe si pjesë e ndryshimeve që pritet të sjellë reforma në drejtësi. Është një fjalë e vogël, por e magjishme fjala kushtetuese “ me nder”, pasi është e vetmja që e bën të papranueshme linjën mbrojtëse të adoptuar tash prej vitesh nga segmente të caktuara apo individë të politikës ose administratës, të cilët, për t’i shpëtuar përgjegjësive, strehohen në shprehjen-formulë “nuk ka asgjë penalisht të dënueshme”, ose “nuk është shkelur asnjë normë administrative”. Sa herë kemi dëgjuar në këto vitet e fundit denoncime që “mbulohen” pikërisht sepse luajnë në zonat e “errëta” e të “zbrazëta” të ligjeve, por që moralisht janë një skandal i vërtetë. E kjo pasi nga mendja e të gjithëve fshihet ajo pjesë e domosdoshme e atij neni kushtetues që i detyron ata që kryejnë funksionet publike jo vetëm me respektimin e legalitetit, por edhe me zbatimin e detyrave me disiplinë dhe me nder.
Për Lumo Skëndon, si dikur për Bejkonin, dija dhe morali janë fuqi vërtetë dinamike, përndryshe karakteri njerëzor dobësohet, intelekti degjeneron dhe një popull i vogël me këta elementë të shprishur humbet shumëçka. Vetëm njerëzit e pastër mund të ngjiten në majën e jetës mendore dhe morale, aspak hajdutët e rëndomtë, aq më keq kur ata janë “pushtetarë”. Ja cila duhet të jetë ajo kategori e caktuar punonjësish publikë që duhet t’i garantojnë shoqërisë atë “ vlerë të shtuar” për të cilën ka aq shumë nevojë edhe vetë demokracia jonë: atyre nuk u kërkohet aspak të jenë të virtytshëm; Tokëvili e pat rrokur edhe këtë aspekt, duke dëshmuar se “nderi e zhvillon veten së jashtmi, kurse virtyti jeton për vetveten e kënaqet veç prej dëshmisë së vet”. Nuk duhet harruar kurrë ideja e fuqishme e Ciceronit: ç’mund të bëjnë ligjet pa traditat e doket e mira”. Në jetën shoqërore të një vendi ka epoka kur ajo kthehet në një karrocë të prishur, që sado ta shtysh bie prapë në llucë së bashku me ata që e shtyjnë. Të ndershmit u ngjajnë atyre drurëve frutorë që të goditur nga rrufeja, duket sikur nuk do të mbulohen dot kurrë më me lule e pemë; kurse veset e këqija një të vdekuri që e mbërthen fort të gjallin e nuk e lë të ngrihet”. Drejt një “peizazhi” të tillë është prirë vit pas viti administrimi i ndershëm dhe moral i shtetit shqiptar për të mirën e përbashkët. Kategoria e “ garantëve” nisi të zvogëlohej gjithnjë e më shumë deri në hollësi, në favor të zgjerimit të zonës së “shërbëtorëve të shtetit”, që u transformuan në shërbëtorë të vetvetes, as të nderuar e as të virtytshëm. U mendua se kjo mënyrë administrimi e politikës dhe administratës publike ishte me kosto zero. Madje u shpotit kushdo që evokonte si zgjidhje zbatimin e frymës dhe nenit kushtetues që i mëshonte “nderit”, madje me një arrogancë sfiduese u nënvizua se ajo është thjesht një normë pa sanksione. Një logjikë kjo që arriti dalëngadalë të fshinte nga sytë e njerëzve përgjegjësinë politike dhe të reduktonte deri në zero përgjegjësinë administrative. Në vend të “nderit” dhe “disiplinës” u instalua “pandëshkueshmëria”, tipari spikatës i një klase drejtuesish të lartë në nivelet më të rëndësishëm të udhëheqjes, që filloi ta ndjejë kështu veten të paprekshme. Madje, dhe rastet e rralla të dorëheqjeve që kemi njohur deri tani, janë paraqitur përgjithësisht si akte heroike, në një kohë kur janë thjesht certifikimi i detyrueshëm i një sjellje legjitime. Më e keqja është se ky nocion nuk mbeti i përhapur vetëm në kategorinë e “shërbëtorëve publik”, por arriti të infektojë pjesën më të madhe të shoqërisë, me virusin e aqlehtshëm për t’u përhapur me emrin “kështu bëjnë të gjithë”. Është ky nocion që i jep korrupsionit shqiptar një aspekt karakteristik dhe dallues nga të gjithë të tjerët, pasi ka një shtrirje shumë-nivelëshe dhe kapilare, në një lidhje që shkon deri në marrëdhënie shqetësuese me kriminalitetin.
Në fund të artikullit të vet, Kalvino flet për një klasë të caktuar individësh që arrin ta “pushtojë” dalëngadalë hapësirën e saj brenda shoqërisë së vendit të të korruptuarve. Është klasa e atyre njerëzve që ishin të tillë “jo falë ndonjë arsyeje të veçantë (nuk u drejtoheshin parimeve të mëdha, as patriotike, sociale apo shpirtërore), ishin të ndershëm falë zakonit të tyre mendor, kushtëzimit karakterial, tik-ut nervor. Pra, nuk mund të bënin dot asgjë pse ishin të tillë, pse gjërat që u dëshironte zemra nuk ishin të vlerësueshme drejtpërdrejt në para, pse mendja e tyre funksiononte gjithmonë në bazë të atyre mekanizmave që lidhin gjithmonë punën me fitimin, meritën me respektin dhe kënaqësinë vetjake më kënaqësinë e të tjerëve. Shqipëria ka 30 vjet që po e pret këtë klasë, ajo mbetet gjithmonë në kërkim të “kultivimit” të farës së një kundër-shoqërie të tillë. Në teorinë politike, demokracia është regjimi në të cilën ekzistojnë kushtet më të përshtatshme për kultivimin e demokracisë. Pra, kemi të bëjmë me një regjim mundësish, jo sigurish. E nëse konsiderohet se aspirata e saj është përfshirja në jetën aktive dhe politike e sa më shumë individëve të vet, atëherë ideali demokratik do të duhej të ishte ideali i të “përjashtuarve”. Po kështu edhe shpëtimi, në instancën e fundit të demokracisë, do të duhet të vijë prej të përjashtuarve. Premtimet e pambajtura që mbolli tranzicioni shqiptar nuk do të na bëjnë të korrim “ fortunën” e krijimit të një “ kundër-shoqërie” të tillë, por lindja dhe zhvillimi i saj le të kthehen në yllin polar të gjithë qiellit të shoqërisë dhe mendimit shqiptar të së ardhmes.
May be a close-up of 1 person

Related Posts

Leave a comment