Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kur qyteti humbet një meritor të heshtur

cipa-aleksander (1)
Aleksandër Çipa
Për më shumë se 38 vite ndava me Profesorin tim një histori jete që karakterizon vetëm të mirën njerëzore. Në të gjitha kohët ishim aq sa duhej me njeri-tjetrin dhe i gëzoheshim jetës së secilit sipas më të mirës dëshirë që ndodhte. Sepse Profesor Naxhiu ishte ndër ata gjirokastritë me të cilin, siç thotë Kadare tek romani kushtuar nënës së vet, ” Kukulla”: ” Mos kuptimi midis nesh jo vetëm s’më kishte penguar në asgjë, por kishte qenë ndoshta më i duhuri se gjithë kuptimet..”
Unë e kisha njohur qyshse kur isha nxënës në Shkollën e Mesme Pedagogjike ” Pandeli Sotiri”. Atëhere Profesori shtatlartë që fitonte simpati qysh në takimin e parë prej qeshjes dhe sjelljes qytetare të vet, ishte ndër të parët intelektualë të qytetit që përmes shtypit lokal hidhte teza dhe pikëpamje të panjohura për ekonominë politike dhe logjikën e tregut. Pas pedagogjikes, Profesori u bë themelues i Katedrës së Ekonomisë fillimisht në Institutin e Lartë Pedagogjik ” Eqrem Çabej” dhe më pas i Fakultetit në Universitetin me të njëjtin emër. Nuk kishte kurrë protagonizëm të shpallur, por kishte përherë aftësinë e të bërit pa bujë të asaj që të tjerët s’e bënin. Guxonte pa patur gjoks, por duke shfrytëzuar lehtësisht aftësinë e padukshmërisë së mendimit që vinte ndër të parët tek ai.
Në orët e gjata të këtyre dy ditëve të heshtjes së frymës së Profesorit, nëpër qytet po thuhen gjithë fjalët e mira për të. Meritor i gjithë sa thuhen dhe shumëçka që duhet të shtohen.
Për mua Profesori im kishte merita të ndara në tri përmasa:
Ishte modeli i qytetarit prind dhe i gjirokastritit inteligjent si kampion i heshtjes folëse.
Ishte Profesori me dije, të cilat vinin për të tjerët si dijeni më vonë.
Ishte aktivisti i heshtur që gjente para gjurmën e pjesëmarrjes së vet.
Për këtë të fundit e ndjej në ndërgjegje ta sjell në dijeni publike një fakt që lidhet me lindjen e shtypit të parë pluralist në Gjirokastër në vitin 1991.
Profesori ishte zgjedhur kryetar i Komitetit Pluralist të Gjirokastrës. Ishte mbyllur gazeta lokale ” Pararoja”. Një pjesë e redaktorëve në gjendjen trishtuese të humbjes së shtypit lokal, po diskutonin mundësinë e krijimit të një gazete të re. Nuk po gjendej versioni se si do të administrohej dhe se e kujt do të ishte pronësia. Si student i Profesorit i drejtohem për ta diskutuar. Kishim gjetur emrin e gazetës që po vinte, ” Java”.
I them Profesor Naxhiut se dikur e ka patur Sami Frashëri me këtë emër. U entusiazmua. Më thotë:
– Sandër, do bëjmë një vendim Komiteti të kalojmë fondin fillestar. Regjistroni Shoqatën e Gazetarëve të Jugut dhe nuk do e lemë qytetin me histori shtypi, të mos ketë gazetë në demokraci. Kështu ndodhi. Gazeta doli dhe vijoi në dekadën e parë të pas viteve ’90-të, të ishte më e sukseshme ndër lokalet dhe rajonalet në vend.
Profesori ishte ndër zotëruesit e parë të ideve dhe projekteve për biznesin privat dhe tregëtinë e hapur në Gjirokastër. Por ishte gjirokastriti që u gëzohej përbrënda vetes, suksesit të të tjerëve dhe sidomos besnikërisë identitare dhe asaj kombëtare të studentëve.
Profesori im iku nga kjo jetë si një triumfues i mbuluar me modestinë si natyralitet i vetvetes, dhe si model i munguar sot në hapësirën tonë shoqërore. Në Gjirokastër do të mungojë kjo jetë e fisme njeriu dhe hija e bukur dhe e çmuar e tij.
Në vajtje-ardhjet tona në qytet, do të mbetemi në mundësinë e vetme të takimit përmes kujteses. Dhe në takimin tonë të pashmangshëm përmes kujtimit, do të mbajmë e mbartim jo thjesht imazhin e tij, por ato çka pati jeta e tij ndryshe, për shumë prej nesh.
Profesor Naxhiu, lamtumirë!
I lehtë të qoftë dheu! Gjumi yt i përjetshëm pastë dritën e shpirtit tënd!
Mund të jetë një imazh i 1 person

Related Posts

Leave a comment