Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Dhjetë dramaturgët më të mirë

sofokliu-600x360

Erjus Mezini

Sofokliu

Sofokliu është i vetmi autor që ka shkruar 120 drama dhe ka fituar më shumë se 18 konkurse drame në festivalet që Athina e Lashtë organizonte çdo vit për adhurimin e Dionisit (perëndi i verës, dëfrimit, pjellorisë, dhe artit). Pra, edhe nga bashkëkohësit e vet Sofokliu përkrahej e respektohej si më i miri dhe ai ishte dramaturgu që merrte më shumë trofe dhe ndere se dy sfiduesit e tjerë, Eskili dhe Euripidi.

Është fatkeqësi që nga 120 veprat e Sofokliut vetëm shtatë kanë mbijetuar. Megjithatë Mbreti Edip mbetet kryevepër për lexuesin/shikuesin e çdo kohe dhe me atë vepër Sofokliu jo vetëm që e ndan veten nga pararendësi i tij Eskili (dramat e të cilit ngjajnë më tepër me recitale), por cakton edhe themelet strukturore të dramaturgjisë, sëbashku me nxitjen apo frymëzimin, për brezat e dramaturgëve që do ta pasojnë.

Euripidi

Ndonëse asnjë vepër e Euripidit nuk krijon tensionin e paharrueshëm të Mbretit Edip dhe Euripidi respektohej më pak se Eskili dhe Sofokliu, fakti është që në shekujt e mëvonshëm dashamirësit e letrave vendosën të shpëtojnë/kopjojnë më shumë vepra nga Euripidi sesa nga dy autorët e tjerë. Euripidit i kanë shpëtuar plot 18 drama dhe ajo që e dallon këtë autor nga dramaturgët e tjerë të lashtësisë është një dozë humanizmi në krijimet e tij. Është pikërisht kjo përqasje njerëzore e karaktereve dhe situatave që e bën Euripidin disi më “modern” se gjithë autorët e klasicitetit. Ja vlen të përmendet, po ashtu, se në vepra si MedeaGratë e Trojës dhe Elektra, artistët dhe dashamirësit e teatrit gjejnë goxha frymëzim artistik edhe sot e kësaj dite.

Shekspiri

Shekspiri njihet si autori më i madh i të gjitha kohërave. Është e vështirë të gjesh ndonjë shkrimtar modern që nuk është frymëzuar nga vepra e Shekspirit dhe sipas çdo gjase ai është dramaturgu më i cituar në libra, në çdo gjuhë dhe në çdo shtet të botës. Edhe filozofët e psikologët e citojnë Shekspirin shpeshherë (Niçe, Frojd, Shopenhauer, Marks, e shumë të tjerë), por unë jam i besimit se kjo ndodh më tepër për shkaqe praktike (shprehjet e Shekspirit janë më të famshme se ato të autorëve të tjerë) sesa për ndonjë shkak thelbësor, si të thuash se ka diçka me të vërtetë didaktike (në filozofi apo psikologji) në veprën e Shekspirit.

Paçka se jam i sigurt që shumë nuk do të bien dakord, unë jam i mendimit që Shekspiri është mbi të gjitha artist, jo mentor i brezave apo emancipues.

Shkaku përse Shekspirin e vendos të tretin në listë është i thjeshtë. Megjithë tensionin, zgjuarsinë, fjalorin dhe magjinë e dramës shekspiriane, ajo që duhet vënë në dukje është se në strukturë dhe mesazh drama shekspiriane nuk i zhbën themelet e forta të klasicitetit dhe mesjetës. Ashtu si te Eskili, Sofokliu, Euripidi, etj., karakteri shekspirian është karakter fatalist që nuk bëhet kurrë zot i vetes, por gjithmonë gjen ndëshkimin apo shpëtimin tek ndërhyrja e huaj, te kurthet, ligjet, ushtritë, profetësitë, magjitë, fantazmat, helmet, intrigat, gjinia dhe gjithë ato pengesat apo ndihmesat e tjera që i imponohen protagonistit të lashtë dhe mesjetar.

Calderon de la Barca

Kalderon de la Barka është dramaturg jo shumë i njohur për lexuesin shqiptar. Për herë të parë emrin e tij e gjeta në veprën e një eruditi e mendjemprehti si Fridrih Niçe. Ndonëse e vetmja dramë që i kam lexuar është Jeta është Ëndërr, impakti ishte tepër i madh për mua për arsyen se nga gjithë veprat e klasicitetit dhe mesjetës për herë të parë lexoj një dramë ku çdo themel e çdo gur luftojnë kundra protagonistit (Segismundos) dhe e gjithë drama profetizon shkatërrim dhe hakmarrje, mirëpo në fund protagonisti hedh poshtë çdo pritshmëri dhe bëhet zot i vetes, vendos ligjin e vet dhe askush nuk ndëshkohet.

Po të ketë dikush parasysh që kjo dramë u shkrua dy shekuj përpara Revolucionit Industrial (kur individi u bë vërtet zot i vetes) atëherë i bie që Kalderon de la Barka e shpreh më mirë se çdo bashkëkohës i tij jo vetëm frymën e Rilindjes Evropiane, por edhe frymën e asaj që pason.

Ja vlen të përmendet se Kalderon de la Barka ishte prift jezuit dhe sipas librave të historisë i bie që ai duhet të ishte i fundit nga ku teatri do të njihte Rilindjen Evropiane, mirëpo diçka e tillë nuk paska qenë e thënë. Fryma e Rilindjes dhe e emancipimit në teatër prezantohet për të herë të parë nëpërmjet këtij prifti jezuit.

Molieri

Ashtu si Kalderon de la Barka edhe Molieri është dramaturg emancipues. Mirëpo në kundërshtim me të parin, Molieri e di shumë mirë se si emancipohet njeriu. Për Molierin emancipimi vjen midis përqeshjes së klerit, politikës, feudalizmit dhe gjithë atyre të këqijave që këto lënë nga mbrapa. Përderisa Molieri jetoi në një kohë kur gjërat nuk i thoshte dot haptazi, ai u bë mjeshtër i të nënthënës dhe ironisë. Emri i tij u përhap në gjithë botën në vitet që pasuan Revolucionin Francez.

Shumë njerëz kujtojnë se Molieri jetoi përgjatë atij revolucioni, mirëpo fakti është se komedi si Tartufi dhe Misantropi janë shkruar rreth 130 vjet përpara Revolucionit Francez. Duket se këto komedi, sëbashku me veprat e shkrimtarëve dhe autorëve që erdhën mbas Molierit, shërbyen si frymëzim e justifikim i shpirtit kryeneç e revolucionar në Francë, por edhe në gjithë Evropën.

Anton Çekov

Thuhet që Heminguej e ka quajtur Çekovin amator të talentuar dhe për këtë unë nuk i vë faj. Në prozë, të paktën, Heminguej, Tuejn, Flober, Hygo, Tolstoj e shumë emra të tjerë duken shumë më të aftë së Çekovi. Disa drama të Çekovit, po ashtu, zor se kuptohen (nuk krijojnë as pritshmëri dhe as probleme), dhe një problem në dramat më fatlume të Çekovit janë karakteret. Te Kopshti i Qershive dhe te Ivanovi, mes të tjerash, shikuesi shumë herë pyet veten se çfarë po bëjnë karakteret. Të krijohet përshtypja, po ashtu, sikur disa karaktere janë të panevojshme ose janë aty sepse i duhen autorit…. kur do ai i fut dhe kur do i nxjerr, pa asnjëlloj shpjegimi a justifikimi.

Sidoqoftë, megjithë këtë “të metë” të Çekovit, ai mbetet një nga dramaturgët më të mëdhenj të kohëve moderne. Arritja më e madhe e Çekovit në dramë është natyralizmi i skenës dhe situatës. Pra gjërat (si për shembull te drama Xhaxhi Vanja dhe Kopshti i Qershive) në përgjithësi lëvizin butë e ëmbël, ashtu si në jetën e vërtetë. Një veti e tillë është shumë e vështirë të gjendet në dramaturgët e tjerë, të cilët duket sikur vazhdimisht luftojnë me logjikën dhe shijen e lexuesit/shikuesit, si e si që t’i sjellin aktet rrotull e rrotull dhe lexuesin ta paralajmërojnë për atë që po vjen. Mirëpo atmosfera e dramës së Çekovit duket pothuajse e paprekur nga ky zakon i dramaturgëve të tjerë. Ndonëse Çekovi nuk ka leksione a mesazhe të qarta, në ato pak raste kur ai e bën këtë (si te Xhaxhi Vanja), atëherë drama e tij lartësohet dhe e çarmatos kritikun. Thënë ndryshe, pak janë ato drama që lënë shije kaq të ëmbël dhe kaq familjare te shikuesi.

Samuel Beckett

Ndonëse Samjuel Beket ka një vepër voluminoze në prozë, eseistikë dhe teatër –vepër e cila të bind se ke të bësh me një mendimtar dhe erudit të pashoq– unë do të veçoja Në pritje të Godosë si dramën me të cilën emri i tij do të mbahet mend në historinë e teatrit për arsyen se në këtë dramë duket sikur autori ka vendosur të zhveshë përpara çdo shikuesi vetë sekretin më të madh të dramaturgjisë: pritjen.

Është e vërtetë që drama Në pritje të Godosë ka edhe elemente filozofike (të frymëzuara më së shumti nga nihilizmi i Fridrih Niçe), mirëpo është e para dramë ku tema është vetë pritja. Këtë lexuesi e kupton që në titull, por edhe përgjatë dialogëve. E nëse dikush e ka parasysh që pritja/pritshmëria/paralajmërimi është sekreti kryesor, vegla bas, shtresa themeltare apo brumi, që i bashkon dramat e të gjitha kohërave, atëherë kemi të bëjmë me një risi apo më saktë me një frymëzim gjenial kur autori e vendos që lexuesit t’i japë një dramë ku tema nuk është tjetër përveç asaj që duhet t’i shkonte vetë në mendje sa herë që shkon në teatër: pritjes.

Me pak fjalë, Në pritje të Godosë duhet të shërbejë si një tekst i detyrueshëm didaktik për të gjithë ata që e mendojnë seriozisht dramaturgjinë. E nëse ka dramaturgë të cilët nuk binden se pritja/pritshmëria/paralajmërimi është instrumenti bas i çdo drame, atëherë të tillët ose komedianë janë ose nga ata dramaturgë të cilët duhet të bëjnë një betejë shumë të madhe për të dalë diku.

Henrik Ibsen

Henrik Ibsen konsiderohet si babai i teatrit modern dhe nismëtar i rrymës realiste në dramaturgji. Shkaqet e këtyre vlerësimeve ndaj Ibsenit kam përshtypjen se lidhen më tepër me tematikën, sesa me stilin e tij në dramaturgji. Me Ibsenin për herë të parë karakteret e dramës ngjajnë më shumë me njerëz të zakontë të fundshekullit të 19të, sesa me heronjtë e mbetur nga ndonjë epokë tjetër. Këta njerëz të zakontë, po ashtu, duket sikur preokupohen me problemet e ditës në atë fundshekull: urbanizimi, shëndeti publik, morali borgjez, liria e gruas, të drejtat politike, liria e fjalës, etj. Pra, Henrik Ibsen është mbi të gjitha një autor i angazhuar dhe ky orientim i tij e bën goxha frymëzues për shumë dramaturgë që e pasojnë.

Ndonëse shumëkush e konsideron më të rëndësishëm kontributin e Ibsenit sesa kontributin e Çekovit dhe Beketit, shkaku përse Ibsenin e vura të tetin ka të bëjë më tepër me shijet e mia personale. Ibseni është dramaturgu të cilin e kam lexuar më shumë nga të gjithë (mbi 15 drama), mirëpo shumë situata dhe konflikte në veprën e Ibsenit më duken si të sforcuara ose të cekta. Te drama Shtëpia e Kukullave, fjala bie, unë pa dyshim magjepsem me idenë që emancipimi njeriut i vjen vetëm nga vetja, siç i ndodh protagonistes Nora Helmer në fund të dramës. Ajo që nuk bie dakord, ama, është fakti se protagonisti mund të zgjohet nga naiviteti i vet dhjetë minuta përpara se të bjerë perdja. Një situatë e tillë nuk më duket natyrale, por e sforcuar. Për mua natyrale është që naivi ose të kthjellohet hap pas hapi, ose të shkojë në histori si naiv (siç i ndodh Nënë Kurajës në dramën me të njëjtin titull të Bertolt Brehtit). Drama Fantazma, mes të tjerash, më tepër ngjan me melodramë sesa me dramë (pra supozohet që lexuesi duhet të ndjejë dhembshurinë e protagonistëve, por kjo dhembshuri vështirë se i shkaktohet nga teksti) dhe në disa drama të tjera të Ibsenit duket sikur njerëzit prishen e vriten ndër veti për ndonjë keqkuptim a ndonjë fjalë të nxjerrë ashtu në ajër. Edhe kjo nuk më duket shumë natyrale. Keqkuptimet dhe fjalët e nxjerra kot, për mendimin tim, mund të kenë vetëm rol dytësor në teatër, jo rol parësor.

Sidoqoftë, jam i besimit që Armiku i Popullit dhe Hedda Gabler janë dy dramat më të përkryera të Ibsenit, drama që i këshillohen çdo studenti të teatrit.

Luigi Pirandello

Pirandelo me të drejtë ka krijuar kultin e vet në Itali dhe në shtete të tjera. Diçka që veçoj në krijimtarinë e tij është përparësia që i jepet aktrimit (përkundrejt recitimit) dhe psikologjia e karaktereve. Henri i Katërt dhe Gjashtë Personazhe në Kërkim të Autorit i bashkojnë më së miri këto dy veti të Pirandelos, aktrimin dhe psikologjinë, por edhe arrijnë diçka të rrallë në historinë e teatrit: këto drama e ndërrojnë raportin midis realitetit dhe teatrit. Pra nëse në historinë e dramaturgjisë ka një përpjekje për ta paraqitur teatrin si pasqyrë për një botë të tërë, në dramat e Henri i Katërt dhe Gjashtë Personazhe në Kërkim të Autorit vërejmë një përpjekje për ta paraqitur gjithë botën si pasqyrë të aktrimit dhe teatrit.

Bernard Shaw

Sëbashku me Samjuel Beket dhe Oskar Uajld, Bernard Shaa konsiderohet një nga prozatorët dhe eseistët më të rëndësishëm irlandezë. Ajo që më pëlqen te Shaa janë larmia e teksteve, realizmi i karaktereve dhe marrëdhënia perfekte e autorit me gjuhën angleze. Shumë drama të Shaa të japin ndjesinë e përrallës dhe legjendës, ndërsa kara

Leave a comment