Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

MINISTRAT E JASHTËM TË SHBA DHE KINËS TAKOHEN PËR TENSIONET NË TAJVAN

Blinken-Wang-Yi

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken dhe ministri i jashtëm kinez Wang Yi do të takohen të premten në Nju Jork.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi do të zhvillojnë bisedime në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila po mbahet aktualisht në Nju Jork.

Një deklaratë e Departamentit të Shtetit të SHBA tha se takimi është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Uashingtonit për të “ruajtur linja të hapura komunikimi dhe për të menaxhuar konkurrencën me përgjegjësi”.

Tensionet midis dy kombeve u ngritën në mënyrë të skajshme pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Tajvan muajin e kaluar dhe premtimit të qartë të Presidentit Joe Biden për të mbrojtur ishullin që vetëqeveriset, të cilin Kina e pretendon si territorin e saj.

Cili është pozicioni i Kinës?

Në fillim të kësaj jave, Joe Biden tha se forcat amerikane do të mbrojnë Tajvanin në rast të një pushtimi kinez, gjë që zemëroi Pekinin.

Kina u përgjigj duke thënë se Uashingtoni nuk duhet të dërgojë “sinjale të këqija” në lidhje me “pavarësinë” e Tajvanit.

Këtë javë, Wang u takua gjithashtu me ish-sekretarin e shtetit Henry Kissinger – njeriun i njohur si arkitekti i marrëdhënieve SHBA-Kinë komuniste.

Ministri i Jashtëm i Kinës tha në takim se “ribashkimi paqësor” me Tajvanin ishte aspirata e Pekinit.

 Henry A. Kissinger, Berlin, 21.01.2020
Henry A. Kissinger, Berlin, 21.01.2020

 

Por ai shtoi se mundësia e një zgjidhjeje paqësore është pakësuar nga një ndjenjë gjithnjë e më “endemike” tajvaneze e pavarësisë.

Çfarë tha ministri i jashtëm kinez në Nju Jork para takimit?

Pak para bisedimeve të tij me Blinken, Wang shprehu sërish zemërimin e tij për mbështetjen e SHBA për ishullin e Tajvanit.

“Çështja e Tajvanit po bëhet rreziku më i madh në marrëdhëniet Kinë-SHBA. Nëse keqpërdoret, ka të ngjarë të shkatërrojë lidhjet dypalëshe,” tha Wang në një fjalim në Asia Society, një institut me bazë në SHBA.

“Ashtu si Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë që Hawaii të shkëputet, Kina ka të drejtë të mbrojë bashkimin e vendit,” shtoi ai.

Ai kritikoi gjithashtu vendimin e SHBA për të “lejuar” vizitën e Nancy Pelosit në Tajvan.

Bisedimet mes Blinkenit dhe Wang pritet të krijojnë terrenin për një takim mes Presidentit Joe Biden dhe Presidentit kinez Xi Jinping, i cili do të jetë i pari që kur Presidenti Biden ka marrë detyrën.

Ky takim pritet të zhvillohet në Bali, në kuadër të samitit të G20-ës në nëntor.

Related Posts

Leave a comment