Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Rama për ”Washington Post”: Irani nuk ia doli të shkatërronte infrastrukturën digjitale të Shqipërisë

BGHU

Vendimi historik i Shqipërisë i këtij muaji për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pas sulmeve masive kibernetike, filloi me një hetim të nivelit të lartë, deklaroi kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Tim Starks të gazetës së njohur amerikane ”Washington Post”.

FBI dhe një ekip nga Microsoft punuan me ekspertë të huaj dhe shqiptarë për të identifikuar katër grupe të veçanta hakerash që qeveria iraniane dihet që i sponsorizon, veçanërisht jashtë Ministrisë së saj të Shërbimeve Sekrete.

”Një prej tyre ishte në mesin e 10 grupeve më të mëdha të terrorizmit kibernetik, gjurmët e të cilëve janë zbuluar gjithashtu pas sulmeve ndaj Arabisë Saudite, Izraelit e kështu me radhë”, tha Rama.

”Hakerët e korrikut ishin të prirur për shkatërrimin e shërbimeve qeveritare, 95 për qind të të cilave Shqipëria i ka zhvendosur në disponueshmërinë online, pasi radhët e gjata më parë detyronin disa njerëz të prisnin me muaj për licencat dhe certifikatat”, shtoi ai.

”Në bazë të hetimeve, shkalla e sulmit ishte e tillë që synimi pas tij ishte shkatërrimi i plotë i infrastrukturës sonë për të na çuar në epokën e letrës dhe në të njëjtën kohë, zhdukja e të gjitha të dhënave tona. Ndjesia jonë e parë është se ata nuk ia dolën të shkatërrojnë infrastrukturën. Shërbimet janë rikthyer. Së dyti, të dhënat. Po, ata morën disa, por praktikisht jo me ndonjë rëndësi të veçantë”, theksoi kryeministri Rama.

Një grup që e quan veten ”Homeland Justice” mori përgjegjësinë për sulmin, me sa duket i frymëzuar nga Shqipëria që strehon anëtarët e grupit disident iranian Mujahedeen-e-Khalq, ose MEK.

Rama nuk i përmendi me emër katër grupet që hetimi i cilësoi përgjegjës.

Kur Shqipëria urdhëroi dëbimin e diplomatëve iranianë dhe ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike, disa e përshëndetën atë si ndoshta veprimi më i fortë që një vend kishte ndërmarrë ndonjëherë si kundërpërgjigje ndaj një sulmi kibernetik.

Por, disa ngritën pikëpyetjen nëse ky model do të funksiononte edhe për vendet e tjera duke pasur parasysh se disa nga ”lojtarët” më të mëdhenj në hapësirën kibernetike, si Kina, do të ishte më e vështirë të frenoheshin.

”Shqipëria nuk ka pasur marrëdhënie të rëndësishme me Iranin, kështu që ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nuk ishte ndonjë humbje e madhe. Vende të tjera mund të jenë në gjendje të përdorin qasjen që bëri Shqipëria, në varësi, së pari, nga tërësia e çdo hetimi, në mënyrë që të ndihen të sigurt në dëbimin e diplomatëve, dhe së dyti nga shkalla e dëmtimit që shkaktojnë sulmet”, deklaroi Rama.

“Po godet praktikisht vendin duke shkatërruar infrastrukturën më të rëndësishme”, thotë Rama për sulmet e Iranit.

”Falë Zotit, goditjet nuk janë të dukshme, plagët nuk janë fizike, por gjithsesi mbetet një agresion, një sulm dhe një dëm i drejtpërdrejtë për sovranitetin kombëtar… A do t’i ruanit ju marrëdhëniet me një vend që ju sulmon?”, pyet ai.

Irani ka mohuar përgjegjësinë për sulmin dhe ka dënuar reagimin e Shqipërisë.

Fjalimi në OKB

Rama bisedoi me mua pas fjalimit të tij në OKB. Ai kritikoi luftën e Rusisë në Ukrainë dhe dënoi rezolutën e Këshillit të Evropës, të vitit 2011, që përmendte akuzat për trafikimin e organeve gjatë luftës së viteve 1990 në Kosovë, pretendime që Rama tha se përbënin “një nga rastet më të këqija të realitetit të shtrembëruar” dhe për të cilin “nuk kishte asnjë provë ose dëshmi”.

Ai gjithashtu rekomandoi që Kombet e Bashkuara të ndërmerrnin veprime të mëtejshme në hapësirën kibernetike.

”I bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara, përfshirë Këshillin e Sigurimit, të fokusohen më seriozisht dhe konkretisht në trajtimin e sigurisë kibernetike duke investuar në parandalimin dhe të ndihmojnë të gjitha vendet anëtare të ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme”, tha Rama.

”NATO dhe SHBA kanë dhënë ndihmë pikërisht për këtë për Shqipërinë”, më tha ai.

”Shqipëria ka punuar për të ndërtuar një mbrojtje më të fortë kundër sulmeve kibernetike përpara korrikut, por ai tha se kjo kërkon kohë dhe shumë para’. NATO dhe SHBA janë përpjekur ta përshpejtojnë atë që nga sulmi i korrikut dhe një sulm tjetër pasues nga Irani”, tha ai.

”Nuk e kishim realisht presionin e kohës, siç ndodh tani pas këtij sulmi të tmerrshëm që u pasua nga një tjetër”, tha Rama.

Hakerët kishin qenë brenda rrjeteve shqiptare që prej 14 muajsh, përpara se të sulmonin, sipas një alarmi që FBI-ja dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës publikuan javën e kaluar.

Fundi i lojës

”Irani do të sulmojë sërish, sepse është i motivuar nga urrejtja”, parashikon Rama.

Në çfarë rrethanash do ta rishqyrtonit vendimin tuaj për marrëdhëniet diplomatike?

“Një Iran i lirë”, thekson Rama.

Related Posts

Leave a comment