Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

ÇFARË DUHET TË KUPTOJMË ME BASHKIM KULTUROR E SHPIRTËROR TË SHQIPTARËVE!

309890499_196067362810553_1778557833363663825_n
Për krijimin e një imazhi për shqiptarinë, për ndërlidhjen e ruajtjen e lidhjeve shpirtërore dhe kulturore me shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, për krijimin e një diplomacie kulturore me vulë identitare shqiptare, do të duhet një strategji dhe një plan pune i mirëmenduar, inteligjent dhe afatgjatë, gjë që deri më tani ka munguar
Enkas për HEJZËN, Mimoza HYSA
A përbën kultura një element thelbësor përbashkimi mes shqiptarëve? A mund të jetë ajo baza për ndërtimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të tjera (qofshin këto politike apo ekonomike) mes dy vendeve shqipfolëse dhe gjithë trojeve të tjera shqipfolëse, përfshirë mërgatën?
Kjo është një pyetje me shumë interes shtruar nga “Hejza”, për të cilën po përpiqem të jap mendimin tim. Që në krye të herës duhet qartësuar se kur flasim për bashkim kulturor e shpirtëror të shqiptarëve, flasim për bashkim të shqiptarëve që bashkëndajnë të njëjtën kulturë, atë me vulë identitare shqiptare. Por, kur themi “kulturë shqiptare”, çfarë nënkuptojmë dhe ku bazohemi? Te gjuha? Apo në elemente të tjera përbërëse të identitetit kulturor të një kombi?
Përkatësia e origjinës, etnia, si “tërësi simbolesh të përjetuara nga një komunitet përmes të cilave ndërtohet identiteti i tyre”, përbëhet nga disa elemente ku gjuha, logos-i, si medium, përcjellësi i vlerave, është një element bazë. Por ndërkohë, jo më pak të rëndësishëm janë edhe elementet e tjera, si: ethos-i, rregullat, ritet e përbashkëta, genos-i, prejardhja e përbashkët, epos-i, mitet e përbashkëta, topos-i, vendi i përbashkët i origjinës. Ka kombe që janë të barasvlershme me etninë, me të gjitha elementet përbërëse të saj, ka të tjera që bashkëndajnë një pjesë të këtyre elementeve, ku jo doemos bën pjesë gjuha. Për shembull, zviceranët nuk mund të kenë shenjë dalluese identitare gjuhën, ndaj lind pyetja: A kanë ata një kulturë të dallueshme zvicerane, edhe pse nuk kanë një gjuhë të tyren të veçantë? Mendoj se po, sepse këtu flasim për veçantinë e të qenit zviceran, flasim për shenjën dalluese,“vulën” kulturore që çdo vend ndërton për veten, për mënyrën se si e ekspozon dhe promovon vendin e tij, se si e ndërton të ashtuquajturën “diplomaci kulturore” në arenën ndërkombëtare.
Po çfarë nënkuptojmë ne sot me të qenit shqiptar me “shqiptari”? Nuk është pyetje e re për ne. E kanë shtruar dhe kombe dhe vende të tjera, meqenëse kuptimi i veçantisë është si krijimi i një marke të pagabueshme që të bën të pëlqyeshëm, tërheqës, interesant, përbashkues mes të ngjashmëve dhe të dallueshëm në “tregun” e vlerave krijuese dhe shpirtërore me kombet e tjera.
Për krijimin e një imazhi për shqiptarinë, për ndërlidhjen e ruajtjen e lidhjeve shpirtërore dhe kulturore me shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, për krijimin e një diplomacie kulturore me vulë identitare shqiptare, do të duhet një strategji dhe një plan pune i mirëmenduar, inteligjent dhe afatgjatë, gjë që deri më tani ka munguar. Nëse do të duhet të kemi një pikë referimi për procesin, rrugën, mënyrën se si duhet të bëhet një bashkim i tillë (nisur nga logjika krahasimore) mund t’i referohemi një shembulli si Bashkimi Evropian, edhe pse duket i pangjashëm, meqenëse nuk kemi të bëjmë me bashkim sivëllezërish, si në rastin e shqiptarëve, por të vendeve dhe kombeve të ndryshme, me identitete kulturore të dallueshme, që gjithsesi bazohet në një identitet vlerash kulturore dhe shpirtërore të përbashkëta i njohur si identiteti evropian. BE-ja, edhe pse nisi si projekt ekonomik, kuptoi dhe pranoi më pas se në themel të një bashkimi qëndron ndarja e vlerave të përbashkëta kulturore dhe shpirtërore.
Për Parlamentin Evropian, kultura kërkon pranimin e një marrëveshjeje në dukje paradoksale: pranimin e diversitetit si themel të unitetit, njohjen e dallimeve jo si burim dasish, por si pasurim i mëtejshëm i kulturës. Për këtë proces, Bashkimi Evropian ka hartuar një strategji dhe një program të mirëmenduar, me plane veprimi për realizimin e objektivave të vendosura.
Nëse konsultojmë Programin kulturor 2000, vërejmë se synon:
• të promovojë lëvizshmërinë ndërshtetërore të profesionistëve në sektorin kulturor;
• të promovojë qarkullimin e veprave të artit dhe produkteve kulturore e artistike përtej kufijve kombëtarë;
• të promovojë dialogun ndërkulturor.
Përkthyer në objektiva për bashkim kulturor të shqiptarëve do të ishte:
• promovimin dhe mundësimin e lëvizshmërisë ndërshtetërore të profesionistëve në sektorin kulturor (Shqipëri, Kosovë e troje të tjera shqiptare dhe diasporë);
• promovim dhe mundësim i qarkullimit të veprave të artit dhe produkteve kulturore e artistike përtej kufijtë kombëtarë (Shqipëri, Kosovë e troje të tjera shqiptare dhe diasporë);
• promovim dhe mundësim i dialogut ndërkulturor (kuptuar si dialog mes veçantive kulturore të shprehura në dialekte të ndryshme, të veçantive kulturore krahinore, të veçantive kulturore të artistëve të formuar në diasporë etj.).
Për zbatimin këtyre objektivave, BE-ja ka hartuar një plan pune dhe agjendë me hapa konkretë, si dhe ka krijuar një agjenci për financimin e kësaj politike që është: Agjencia e posaçme për Arsimin dhe Kulturën (EACEA). Rrjedhimisht, nëse do të mendohej për një politikë kulturore të përbashkët, duhet ndërtuar një strategji e program pune nga dy vendet shqipfolëse, me përfshirje dhe të përfaqësuesve nga trojet shqiptare dhe nga mërgata. Një program i tillë kërkon institucione ndërshtetërore dhe financime të përbashkëta.
Ngritja e një strukture të tillë do të mundësonte dhe decentralizimin e politikave kulturore, pavarësimin e tyre nganjë qeveri e vetme shqiptare, meqenëse agjencia do të ishte në rolin e mbështetësitfinanciar të programeve, të projekteve kulturore, të shpallura me thirrje të hapur që kanë për qëllim realizimin e një përbashkimi kulturor përmes angazhimit të nismave private të shoqatave, organizmave dhe vetë aktorëve të ndryshëm të fushës së kulturës nga Shqipëria, Kosova, trevat shqiptare dhe mërgata, duke i dhënë përparësi dhe duke nxitur bashkëpunimit mes tyre.
Edhe në këtë rast do të shërbente e njëjta devizë, si për Bashkimin Evropian: përbashkim në vlerat e njëjta në respekt të veçantive! Për thelb të njëjtë me forma të ndryshme, që pasurojnë dhe nuk varfërojnë thelbin. Nëse thelbi është shqiptaria, mënyra e shfaqjes së këtij thelbi është e ndryshme, e larmishme, mjafton të jetë estetikisht dhe përmbajtësisht në një nivel të lartë, e krahasueshme, e ballafaqueshme me kombësitë e tjera, tërheqëse, interesante dhe në shkëmbimet me kulturat e tjera.
Mendoj se jemi në një kohë të artë për shqiptarinë, për praninë e saj me dy shtete shqipfolëse, për praninë dhe pranimin si minoritet në shtete të tjera, si dhe për praninë dhe pranimin si mërgatë në shumë vende të botës. Për rrjedhojë, kjo shumësi e të qenit “shqiptar” kërkon një përqasje me një politikë të mirëmenduar ndërshtetërore, mes Shqipërisë dhe Kosovës, gjithnjë duke respektuar veçantitë e gjithsecilës prani të shqiptarisë në këto vende, në trojet shqiptare dhe në mërgatë, dhe duke nxitur dhe mbështetur ndërveprimin dhe bashkëveprimin mes tyre.

Related Posts

Leave a comment