Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

KU E DHA JETËN ZENEL GJOLEKA?

zenel-gjoleka-e1536484759860-660x330

Idajet Jahaj

… Atje lart në Mal të Zi,
Se ish lufta në kufi…

Zenel Gjoleka, Tafil Buzi, Rrapo Hekali e Çelo Picari përbëjnë katërshen e famshme të kapedanëve të Shqipërisë së Jugut (Kurveleshit e Mallakastrës) në gjysmën e parë të shekullit të XIX. Ata drejtuan lëvizjet e mëdha popullore që i paraprinë Rilindjes Kombëtare e që u bënë aq shqetësim për Portën e Lartë.
Ku e dha jetën kryetrimi Gjoleka?

Labëria ra në serë
Mbenë gratë me lesh sterrë!…

Rrallë mund të ndodhë në jetën sociale të një populli – një dert, një kuje e zi e tillë masive për individin e shquar. Këtë e bën heroi, jeta e të cilit është shkrirë plotësisht me jetën dhe idealet e përbashkëta e kolektivitetit. Zenel Gjoleka ishte bir i dashur i çdo dere, prandaj u nxinë edhe flokët e grave për vdekjen e tij:

…Mbajnë zi p’r ata të mjerë
Që nxiruan Labërinë;
Për Gjolek, Hodo Alinë,
Mbenë lark nga vendi inë
Me karadakas u grinë
Për të ruajtur kufinë.

Më 1852 malazestë sulmuan Shkodrën, nga veriu dhe jugu i liqenit të saj. Udhëheqësit e rezistencës popullore lëshuan kushtrimin dhe kërkuan ndihmë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ndihmat nuk vonuan, edhe nga Bregdeti, Himara, Dhërmiu, Vunoi, Qeparoi, Lumi i Vlorës, Kurveleshi, etj. Rendën për atje mbi 400 luftëtarë nga Jugu.

Shqipëtarët u lëshuan
Se ish lufta në kufi,
Nga gjithë anët shkuan
Me Gjolekën në Mal të Zi.

Kapedani lab pasqyrohet me epizëm të rrallë:

Karadak bëhet sefer,
Vjen Gjoleka serasqer,
Me karadakas u ther.
………………

Dërgon Vlladikë qafiri:
-Ju karadakas sa jini,
Qafën e Kërstiqit ziri,
Vjen Gjoleka, po t’i bini!…

25 vjet luftë kishte bërë ky kryetrim. Ishte bërë tmerri i hordhive otomane që vinin valë-valë për të nënshtruar Jugun. Tani, edhe vdekjen e dha atje, në vijën e shenjtë, në kufirin verior të Atdheut. Vajtojca labe e qorton:

Gjolekë, të rëntë pika,
Të mbet koka në Vlladika!

Po kush ishte Gjoleka i famshëm?
Disqet orale të këngëve të popullit e pasqyrojnë atë me nota të theksuara epike e liriko-elegjiake. Populli rrallëkujt i ka kënduar kështu, me të tillë llavë ndjenje e krenarie.
Që pa i dirsur mustaqja, kur ishte ende 18 vjeç, Zenel Gjoleka, ky djalë i ri kuçiot, zbatoi udhëzimin e Tafil Buzit (nga mërgimi) për vrasjen e Kaftanazit turk në Janinë, duke i marrë kështu hakën Ismail Vlorës (gjyshit të Ismail Qemalit), të cilin turqit e kishin vrarë me të pabesë në Janinë, më 1829:

Dërgon Gjolekë spanoi:
-Tafil Buzit të m’i thoi,
Gjoleka s’e turpëroi,
Kaftanazin ç’e martoi,
Të shtata ja numëroi,
Nëpër dyzetmijë shkoi!

Ai u bë udhëheqësi kryesor i kryengritjeve të viteve 1830-1850 në Jug të Shqipërisë, sidomos asaj të vitit 1847, “më e madhja që nxori ky vend”, sipas historianit grek Arvantinoi.
Atë vit “edhe ujët e lumit Shushicë u bë i kuq nga gjaku i të vrarëve”- thotë gojëdhëna e popullit.
Kjo kryengritje pati jehonë të madhe në Evropë. “Heroi i ditës kudo është Zenel Gjoleka. Fama e tij u përhap deri në Prizren”, shkroi historiani francez i kohës, Leon Rei.
Lira popullore bashkëbisedon me trimin, si në legjendë:

Kini parë a s’kini parë
Si Zenel Gjolekë labnë?
Me njëmijë kapedanë…
O Gjolekë, a derëzi
Qish nuk t’u tremp ai si
Me një goxha Rumeli?

Vajtojca e ledhaton me krenari:

O Gjolekë trëndafili,
Mua s’ma priste fiqiri
Të bëneshe kaq i miri
Sa të të kërkon veziri,
Veziri, sulltan Azizi…

I bën portretin e saktë kaçakut kryengritës, të tmerrshëm e simpatik:

O Gjolekë, lab i Kuçe,
Fustani mbi gju hajduçe,
Pall’ e larë me cullufe,
Dyfeku me dyzet strufe.
…Pall’ e larë vetëtimë,
E shkreta i rrih pëqinë…

I flet, sikur i drejtohet legjendës, hyjnisë mbrojtëse të vegjëlisë:

O Zenel, të keqen- o,
Hipi balashit e shko,
N’ato male më qëndro,
Pashallarët m’i shkurto,
Dhe nizamët m’i lësho…

Jeta e trimit kaloi në luftë. Përfytyra e vargut e ngrin si në film:

Ç’është ai që si veriu
Nga gryk’ e Kuçit arriu,
Shtatëqind pas vetiu?
Është Gjolek mandileziu,
Gjithë një jetë majë doriut,
Turqit me pallë ç’i griu,
Palla në dorë ç’i ngriu!…

Dhe monumenti moral, si ai i një kreshniku të pamposhtur:

Sa rroi’ palla s’iu ter,
I erdhi vdekja me nder.

“Sa rroi palla s’iu ter”- metaforë skënderbejane.

Dhe kryemotivi:

U trete, Gjolekë, u trete,
Sos u përpoqe për vete.
Po për gjithë vilajete.
Pse lufton, a derëzi,
-Sos për mua a për ty,
Po për gjithë Shqipëri!

PËR GJITHË SHQIPËRI !
Kjo thënie – aforizëm qëndron në themelet e formimit dhe unifikimit të kombit. Është deviza e një kalorësi të madh të lirisë, i cili e shkriu tërë jetën dhe më në fund e dha edhe atë në skajin e largët të Atdheut, pikërisht atje në vijën e shenjtë…

Related Posts

Leave a comment