Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

KU JANË MJESHTRAT E VEGJËL???

312254286_10222905467878033_7956993432080446553_n

Thoma Nika

Titujt, si rregull, janë matës dhe nxitës i vlerave, meritave dhe kontributeve profesionale, njerëzore. Kjo ka vlerë të thuhet kur titujt shkojnë në emrin dhe në personin e duhur, për të cilët thuhet një fjalë “e ka hak, e meriton”.
E vërteta është se jo gjithnjë ndodh kështu. Sidomos vitet e fundit është tepruar jo pak me titujt e vegjël e të mëdhenj. Kjo, më së shumti, tregon se peshores së vlerave i kanë rënë bateritë. Dhe marzhi i gabimit ka bërë përpjetë, atje ku duhej të ishin cilësitë e meritat.
Po “mësohemi” me një inflacion titujsh dhe me një zhvleftësim masakrues të sistemit të vlerave. Kaq shumë u teprua me tituj në një mandat Presidenti të Republikës, sa që në Tiranë qarkulloi si këshillë “virale”, kur thoshnin: mos kaloni nga ajo anë e trotuarit ku është Presidenca, se të kapin me zor e të bëjnë Mjeshtër të Madh.
Prandaj ndodh të thuash “mjerë”, kur dëgjon t‘i thotë këmbës dorë në profesion ndonjë mbajtës i titullit “Mjeshtër i Madh”. Sikundër ndodh të bësh “wow” kur dëgjon për një takëm njerëzish, të shpallur në vite “Qytetar Nderi”, që nuk u kujtuan një herë t’i bëjnë nderin më të vogël qytetit që gabimisht u ka bërë nderin e madh. Atëherë ti kupton se ka një hemisferë që rrotullohet në invers. Ti merr shijen e hidhur të asaj të vërtete: që nuk është ngritur personi në lartësinë e titullit, por titulli ka rënë në ultësirën dhe humbëtirën e vlerave.
Solla në kujtesë atë që më kanë treguar se çfarë ndodhi kur u bë “Mjeshtër i Madh” Koço Devole.
I ranë më qafë që të thoshte dy fjalë. Dhe ai i tha.
– E dini, tha, çfarë po mendoja? Isha me dy mendje: ta marr, të mos e marr. Ky nderim i madh, tha, e ka një rrezik të madh: Po vazhduam kështu, do lodhemi të kërkojmë Mjeshtra të Vegjël dhe nuk do gjejmë.
Kur këtë e thoshte një kolos si Koço Devole, mendoni si do të ndjehej çdo luliput, i bërë aksidentalisht “gjigand”.

Related Posts

Leave a comment