Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Pse “Hejza e Pashkut”?

312601423_5894427233901644_9171181468296413_n
Behar Gjoka
Shpesh herë teksa lexoja dhe rilexoja, me dëshirë dhe kërshëri të parrëfyeshme, më ka qëlluar që tekstet e shkrimtarëve më të shquar të letrave shqipe, sidomos të periudhës bashkëkohore, si Kasëm Trebeshina, Arshi Pipa, Ismail Kadare, Martin Camaj, Fatos Arapi, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Frederik Rreshpja, Bilal Xhaferri etj. , përgjithësisht më ka rastisur që vetvetiu dhe befasisht të pushtohem nga ankthi i leximit tërësor të veprës letrare, të secilit prej këtyre shkrimtarëve, vetëm që të shijoj universin letrar të endur prej tyre. Po kaq, kërshëria ka qenë e madhe me u ndalu edhe në thellimin e analizës së tekstit dhe të vlerave stilistike, në vepra të veçanta të tyre, për të krijuar një ide pak më të plotë, mbi procesin krijues dhe shenjat letrare që bartin dhe përçojnë te lexuesi tekstet e këtyre autorëve. Në këtë endje qëllimore dhe të përthekuar kërkimi, me gjasë si në një humbellë terri dhe drite, që megjithatë ka një rrezatim të fortë diku në fund të “tunelit”, vazhdimisht më ka munduar pyetja, e cila ndërkaq vjen me shumë përgjigje konceptuale, se cili është vendi që zë vepra letrare e Anton Pashkut, në formatin bashkëkohor të letrave shqipe? Po ashtu, ende më ka mbetur e vjerrë pyetja, po kaq domethënëse mbi rolin e e përveçëm të kësaj vepre, në marrëdhënie me shenjat estetike, në prozën e gjatë dhe të shkurtër, si dhe në dramatikën e lëvruar prej autorit, në situatën e ndërkomunikimit dhe receptimit me pjesën tjetër të letrave shqipe, e cila qe projektuar vetëmse në shtratin e realizmit socialist. Vepra e gjerë letrare e Pashkut, pavarësisht formës së përveçme estetike, zhanreve dhe tipeve letrare, ndërkaq përbën një realitet unik tekstesh, që zbulohet pambarimisht, vetëms nga leximet dhe rileximet e tyre.
Një pyetje gjithpërfshirëse, prêt në heshtje, gjithnjë në kërkim të shenjimit të natyrës së veprës letrare të autorit, e cila megjithatë nuk besoj se ka vetëm një përgjigje, qoftë edhe nga shqyrtuesi më lavdiplotë dhe shterues, në shtjellimet metodike, që megjithatë ta largojnë tekstin si shenjë që të mbërthen me magjinë e vet, në leximet e pambarueshme. Madje, nuk ka shumë gjasa që ta ketë vetëm një të tillë, megjithëse thelbi estetik, jo shumë i ndërvarur nga përqasja e këtyre përvojave shkrimore, ku sërish formësimi përfundimtar, i vendit dhe rolit të saj, mbi dukurinë pashkiane mbetet pezull, edhe prej ligjësorive letrare, të unikes që përçon krijimtaria e tij letrare. Mbi të gjitha, më tepër është një pyetje-përgjigje, që do të kërkonte shqyrtim të zgjeruar, të krijimtarisë letrare, si tekste dhe formësim shkrimor, si kahje dhe prani letrare, pamëdyshje si prani dhe paprani në arealin letrar, të letrave shqipe, që në historinë e vetë bashkëkohore, ka endur rrethanat e daljes tepër të shkrimtarëve, pjesë e së cilës, në mospranimin në Shqipëri, në meritat që bartin tekstet letrare, është edhe rasti i Anton Pashkut, prozatorit dhe dramaturgut modern të letërsisë bashkëkohore. Libri Hejza e Pashkut ka vënë në fokus veprën letrare të shkrimtarit, prozën e gjatë dhe të shkurtër, dramatikën moderne, si dhe prozën e shkurtër për fëmijë, kryesisht duke sugjeruar dhe realizuar, aq sa mundet kamare e leximit dhe rileximit, një analizë në rrafshet tekstologjike, larg shqyrtimeve sociologjike dhe monografike (biografike), ku zakonisht fshihen shqyrtuesit e zyrtarshëm, që humbasin dhe bjerrin kohën nëpër shtjellimet jetëshkrimore dhe përmbajtësore, kinse monografike, duke lënë kështu në hije tekstin, të vetmin element që shtegton me tej se sa jeta e autorit. Termi i parë i titullit të librit, pra hejza do të thotë: “kurrizi i maleve që ndan rrjedhën e ujërave në drejtime të ndryshme.” , një fjalë që gjendet e shpjeguar në një nga qasjet e leksikografisë moderne të gjuhës sonë, Fjalori i Gjuhës Shqipe, i vitit 1954, që duket se në hapësirën e tij i ka të vendosura pranë e pranë të gjitha variantet e shqipes, pra gegnishten, toskërishten dhe arbërishten. Hejza letrare e Anton Pashkut, përpjekja për të hetuar dhe shenjuar vlerat estetike, në pjesën e parë të shpjegimit, kuptohet si kurriz i maleve, pra si një nga pikat e referencës si lartësi estetike, gjë që në fakt simbolizon një pikë thelbësore të përmasës, që dëshmon dhe përfaqëson krijimtaria e tij, duke hyrë dhe mbetur si një nga kulmet e bashkëkohësisë së letrave shqipe. Po kaq, hejza në kuptimin e dytë, tashmë si një metaforë e rrokshme, mbase si një vijë ndarëse e rrjedhave të ndryshme, pra e lavrimit letrar, në të dy anët e kufirit shtetëror (sa absurde kufi shqiptar-shqiptar), në mënyrë që të tejkalohet më në fund përndarja e letërsisë së jashtëkufijve, ose e murit të pakalueshëm prej xhami që ia kemi ngritur vetvedit, nëpër kaq mote, me veprim më të shtuar në vitet e lirisë që përsëri ka mbetur jetime. Megjithatë, ndërkaq vihet re se nivelet e shenjimit të Hejzës, pra natyra e larme e krijimtarisë letrare, të kahjeve dhe prurjeve të Pashkut, merret kryesisht si një pikë reference e shqiptimit letrar, nga më të përveçmet të letrave shqipe.
Analiza e thelluar e teksteve letrare, realizuar në këtë lexim, sidomos e romanit OH , si dhe njërit nga autorët, me kontribute të vyera në ligjërimin e tragjedive moderne, Gof dhe Sinkopa , që pa asnjë drojë përfaqësojnë dy nga tekstet e vlerta, nivele të ngritura në lëmin e dramaturgjisë së shqipes bashkëkohore. Po kaq në mënyrë të veçantë janë hetuar gjurmët e mjeshtrit të tregimtarisë bashkëkohore, që zbulohet e plotë në tregimet fantastike dhe të natyrave të tjera, si dhe në prozën e shkurtër për fëmijë. Në një hapësirë të gjerë, vetëm të shqyrtimeve tekstologjike, e cila rreket ta vendos në komunikim me lexuesit e të gjitha anëve të kufirit, e sidomos në Shqipëri, e parë në të gjitha përmasat si dëshmi dhe piketë e lavrimit modern të letrave shqipe. Kjo situatë e mbijetesës së shkrimit letrar, jo pak e ndërliksur e letrave shqipe, tashmë kërkon shqyrtime të thelluara, trajtime dhe verifikime të plota, si letërsi zyrtare dhe e njohur, që megjithatë ende vijon të qëndrojë në krye të hierarkisë letërsishkrimore, ku pa asnjë dyshim përfshihen edhe korifejtë e realizmit socialist, me Kadarenë, Agollin, Qosen, Arapin etj. , në pjesën dërrmuese të veprës së tyre, duke qenë epiqendër e hierarkisë letrare, si vlerë vijuese e saj, megjithë faktin domethënës të pranisë së disa teksteve me vlera të këtyre autorëve, por edhe më ngjyresa moderne, që trëshëgojmë prej tyre, sidomos në lavrimin e romanit, por edhe të poezive të F. Arapit. Po kaq vlerë bart edhe letërsia jozyrtare dhe e mbetur në hije, për shkaqe jashtëletrare, që tashmë duhet kthyer, në panteonin e letrave shqipe, për të zgjeruar hapësirat e komunikimit me letraren, që nuk pati hapësirë ndikimi në atmosferën letrare, në kohën e shkrimit të teksteve. Në konceptin e receptimit të letërsisë në përgjithësi, merr vlerë të posaçme sugjerimi i Harold Bloom-it, kur shprehet: “Më ka ardhur në majë të hundës çfarëdolloj argumenti që ndërthur endjen e leximit vetmitar me të mirën publike..” .Një pohim sugjerues, njëherit tepër kundërvënës, i cili tërheq vëmendjen për të dalë nga kontekstet e receptimit të zakontë, që i kërkon letërsisë shenjëzimet jashtëletrare dhe, sidomos për të depërtuar prapa kodeve dhe magjisë së teksteve letrare të autorit, në gjinitë dhe zhanret e ligjëruar. Pra, për të ikur përfundimisht prej rrethanave të zakonshme të mosvlerësimit të letërsisë, me kritere të qarta letrare, por më shumë të një leximi sociologjik dhe historicist, biografik dhe përmbajtësor, e sidomos të leximit ideologjik, që gati e shkërmoqi vlerën letrare të letërsisë shqipe, në gjithkohësi dhe gjithhapësi, dhe në rastin e leximit të Pashkut, në këto pista do të shkaktonte keqkuptime të shumta. Rrethanat e përveçme të pranisë së universit letrar të bashkëkohësisë, ndërkaq të shoqëruara me sprova dhe eksperimente letrare, si ngjyresë e trefishtë e lavrimit letrar, më në fund të bind si përvojë se shënon një fakturë të rrokshme estetike, tekstesh dhe alternativash, modelesh dhe poetikash, ndërkaq formati bashkëkohor paraqitet i ndryshueshëm edhe në pikëpamje gjuhësore. Pra duke shqiptuar letraren, në nivel variantesh gjuhësore dhe versionesh letrare, Pashku me të gjithë krijimtarinë e vetë ka endur një dukuri unike në letrat shqipe. Në rastin e prozës së shkurtër, kemi një situatë tipologjike, të përveçme të autorit, të realizimit të tregimeve fantastike, një emërtesë e shkrimtarit, ndonëse thuren edhe tregime me ngjyresa të tjera, në dy variante apo versione shkrimore, të ndryshme nga ana gjuhësore, ndonëse të realizuara me nuanca të përfillshme nga pikëpamja letrare. Faktologjia e tregimeve fantastike dhe të ngjyrave të ndryshme, në dy variante gjuhësore, pra në variantin e gegnishtes dhe të njësuar, realizuar mjeshtërisht nga shkrimtari, por ndërkaq edhe të projektuara si versione letrare, përbën një nga befasitë letrare, që kërkon verifikim dhe interpretim të përplotësuar, madje krejt të përveçëm. Praktika e shkrimit të tregimit fantastic dhe të toneve të tjera, në dy variante dhe versione, krijoi një hapësirë, që kërkon njohje dhe trajtim më të thelluar:
Në radhë të parë: Si një fakt gjuhësor, i periudhës letrare bashkëkohore, deri tek vepra e Pashkut, prej shkrimit letrar të gegnishtes, variantit të parëlindur të shqipes së shkruar. Me Martin Camajn sidomos me veprën e gjerë poetike, në prozë, dramatikë dhe studime letrare, kemi vijimin e mbijetesës së variantit letrar të gegnishtes, shoqëruar me ndonjë dëshmi të arbërishtes, sidomos në ndonjë tekst proze. Por, si shkencëtar i gjuhës, është i hapur edhe me gjuhën e njësuar, gjë që konfirmohet me rastin e hartimit të Gramatikës së Shqipes, në dy vite, përkatësisht në 1969 dhe 1984, por edhe në punime të tjera, thelbësisht shkrncore, të rrafsheve gjuhësore dhe albanologjike. Ndërsa Pashku, në krijimtarinë letrare, krejt ndryshe, ecën në kahjen e ligjërimit gjuhësor në të dyja variantet, pra fillimisht në gegnisht, e mandej të shkrimit të prozës së konverguar me gjuhën e njësuar.
Në radhë të dytë: Një fakt letrar, për dallim nga autorët e bashkëkohësisë, që lavrojnë tekste në dy variante gjuhësore, që ndërkaq për ma tepër përbëjnë edhe dy versione letrare të qarta, të cilat ndërkaq përfaqësojnë një aspekt të shqyrtimit të përvojës shkrimore të autorit. Pa asnjë dyshim, me krijimtarinë letrare të A. Pashkut, jemi në një rast krejt unik, të formatit bashkëkohor të letërsisë shqipe, sepse kalimi nga njëri variant në tjetrin, si dhe në ligjërimin e dy versioneve letrare, ndërkaq është kryer nga vetë autori. Tekstet letrare të autorit, veçmas në prozëshkrim, janë shoqëruar me një situatë origjinale, sepse secili nga variantet dhe versionet stilistikisht, shënon një vlerë të përveçme të ligjërimit, si gjuhë e letërsisë dhe e autorit. Faktologjia e tregimeve fantastike dhe të ngjyresave të tjera, e romanit OH, po kaq e dramatikës dhe prozës për fëmijë, vjen si një shans verifikimi real, tashmë të vetë ekzistencës së letrares, ku shqyrtimi dhe interpretimi, duhet kryer duke u bazuar vetëmse në kriteret letrare, që i shkojnë për shtat poetikës moderne të ligjërimit letrar të autorit.

Related Posts

Leave a comment