Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Vendimi për vizat për Kosovën, të mërkurën në rend dite në takimin e ambasadorëve të BE-së

-640-0-1669722609xviza-kosove-104

Miratimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të jetë të mërkurën në rend dite në takimin e ambasadorëve të BE-së, në Bruksel.

Në takimin e këtij grupi, të njohur si Coreper, vendimi pritet të miratohet pa diskutim, pasi për tekstin e tij, vendet anëtare të BE-së janë pajtuar më 22 nëntor, në një takim të këshilltarëve për çështje të brendshme dhe drejtësi.

Teksti është përpiluar nga Çekia, e cila ka udhëheqjen aktuale të BE-së, pas disa takimeve të grupeve punuese dhe diskutimeve dypalëshe me vendet që kanë pasur vërejtje.Sipas versionit të fundit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka.Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare.

Edhe sa shkallë deri te liberalizimi i vizave?Vendimi që do të dalë të mërkurën në rend dite, ka qenë fillimisht i paraparë të votohet më 23 nëntor.Ai është hequr nga agjenda, për shkak të tensioneve në Kosovë që ka nxitur një vendim i Qeverisë së vendit për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe.

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.Krahas tekstit për liberalizimin e vizave për Kosovën, Çekia ka bërë edhe një deklaratë, me të cilën vendeve anëtare të BE-së u kërkohet që të bëjnë çmos që sistemi ETIAS të jetë funksional në datën e caktuar, përkatësisht më 1 nëntor të vitit të ardhshëm.ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.Franca ka qenë shteti që ka këmbëngulur më së shumti që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën, të lidhet me funksionalizimin e ETIAS-it, duke thënë se ai është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendeve anëtare.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva./ REL

Related Posts

Leave a comment