Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Artisti ndërkombëtar Agim sulaj, sjell talent tek ” Rrënjët”

317769361_579039190894111_6067307885887324392_n
Aleksandër Çipa
Kur hyra në ekspozitën me hapësirë modeste ” Rrënjët”, të piktorit me njohje në rritje ndërkombëtare, vlonjatit Agim Sulaj, shpirti më ishte bosh dhe mendja ishte e ftohtë. Ndërsa kur dola, shpirti më mbeti plot dhe mendja vërtitej si balonë. Nuk kishte shumë kamera e gazetarë kulture, ndërsa zhvilloi ceremoninë formale të çeljes. Ishin artistë të zgjedhur, miq të paktë të mbetur në Tiranë atë fundjavë, adhurues të piktorit dhe kurreshtarë që numëroheshin me gishta.
Por ky inventar i varfër pranie njerëzore në një çast, nuk ka asnjë vlerë me materien artistike ” Rrënjët” të piktorit që jeton krenarisht si ” zog në arratinë” udhëtuese të karrierës së vet nëpër metropole të Europës së sotme, nëpër bienale dhe edicione ekspozitash ndërkombëtare, nëpër sallonet, atelietë apo pavionet me më tepër traditë dhe bujë të arteve figurative, duke u shfaqur dhe ardhur vetëm si Agim Sulaj dhe duke mbetur po aq krenarisht në lartësi të vlerësimeve në shtim, si piktori shqiptar.
Ekspozita ” Rrënjët” është një kapriçio vetiake identifikuese në shërbim të identitetit kombëtar që artisti Sulaj e mbart natyrshëm dhe e sjell estetikisht me risi krijuese. Është një qëndrestari autoriale tematike dhe qëmtimi kompozicional, duke e shërbyer si talent peneli, në hiper-realizëm. Nuk është aspak i grishur nga dilema e konceptit të Friedrich Shleiermacher-it për Formaesthetik.
Agim Sulaj me ” Rrënjët” vjen si herbartian. Ku formën dhe përmbajtjen i mishëron, në materien e vet artistike, si vlefshmëri e shtuar nga gjithë këndshikimet dhe këndvlerësimet. Simbolika e “rrënjëve” të tij është përmbajtje e riaktualizuar dhe e rinjerëzuar e heronjve, jo duke mbetur besnik i mitit apo kultit të tyre, por duke rikrijuar imazhin njerëzor me brendi madhështie në formatin e së njerëzuarës.
E bën këtë me penel duke realizuar portrete natyrale dhe duke u ngritur natyrshëm dhe mjeshtërisht në epërsinë e estetikës dhe antropologjisë së rrallë karakterizues. Tek “Rrënjët”, piktori Sulaj sjell tre herë portretin e Skënderbeut. E risjell në mënyrën shilerjane, si lëndë ndijore për imazhin e portretizuar njerëzisht të Heroit Kombëtar Shqiptar, të ikonës më determinante shqiptare në historinë e Europës dhe Botës. As më pak e as më shumë, në këtë prurje, Agim Sulaj duket se shfaqet si student i shkollës klasike italiane, por në të vërtetë është mjeshtër i portreteve karakteriale, me përmbajtje dhe substancë magjepsëse psikologjike dhe estetike deri në tejkalim. Sqimatar i tipareve të mbartura autoriale nga puna në punë, nga formati në format. Me një talent prej përzgjedhësi pa të dytë, për temat e pikturave të cilat vijnë si ngasje e ndërgjegjes së tij se; arti është formë mendimi dhe identiteti, piktori sjell tri portretet e njerëzuara të Skënderbeut, por po aq bukurisht rindërton punën me duetin e themelonjësve të shtetit shqiptar, Ismail Qemali dhe Isa Boletini në kuadrin kalendarik të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndërsa aftësia për sjelljen e një portreti atipik të “poetit të liqerit”, Lasgush Poradeci duke e identifikuar prej shpinës së vet në një varkë liqeni, përbën një kuotë artistike për vetë autorin.
Piktori ka sjellë në këtë ekspozitë një galeri atipike karakteresh dhe gjendjesh antropologjike, shqiptarë të identifikueshëm si figura të antropokombit në mosha, gjini, krahina dhe hapësirë historike.
Askush (në dijeninë time) nuk e ka bërë diçka të tillë kaq sintetikisht dhe aq të përqëndruar sa Agim Sulaj. Duke besuar se një intensitet të tillë karakteresh tipologjike e kanë dëshmuar më herët, autorë të mëdhenj të pikturës shqiptare si Abdurahim Buza, Ismail Lulani apo europianisht në një kohë më të pasme Omer Kalleshi.
Ekspozita “Rrënjët” është vetëm një pjesë e kuruar njëhershëm prej Sulajt, por punët dhe veprat e tij tashmë janë të shpërndara në një gjeografi të gjerë, nëpër sallone dhe galeri.
Hiseja tjetër e madhe e veprës autoriale të tij është edhe më e jehonshme dhe më mrekulluese.
Lehtësisht njohësit dhe vlerësuesit e karrikaturës bashkëkohore botërore e cilësojnë karikaturistin Agim Sulaj një Goja-shqiptar. Në listat kalendarike të konkurseve ndërkombëtare, apo bienaleve të njohura në krejt Italinë dhe viset e tjera të Europës dhe disa kontinenteve, Agim Sulaj ka siguruar e madje dhe risiguruar trofetë më të çmuara.
Në mbi 100 konkurse ndërkombëtare ka fituar vlerësimet e më të çmuarve dhe më të zellshmëve në dashurinë e sotme për artin dhe fuqinë shprehëse të tij. Forca e madhe shprehëse, aftësia potenciale karikaturizuese, thellësia prej ironiku dhe talenti për të ikonizuar groteskun e shoqërive të sotme, magjia e tij për vepra me kohezion të përbotshëm, janë një pjesë e së mundshmes së thënë, për drejtvlerësimin dhe orientimin e kurreshtarëve dhe dëshiruesve të artit e veçanërisht atij shqiptar, të një artisti si
Agim Sulaj që ndërsa ikën tej e këtej botës, dëshmon përmes penelit dhe talentit rrënjët e identitetit të vet shqiptar. E bën këtë edhe kur degë dhe filiza të shumta në mos i mërgohen, së shpeshti i thahen e humbasin kësaj rrënje. Për këtë arsye dhe këtë kontribut, mund të cilësohet artisti i madh shqiptar.
Tiranë më 30 Nëntor 2022

Leave a comment