Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Messi dhe Mbappe, “qershia mbi tortë”. A ju bind ky top-formacion i Botërorit të Katarit?

skysports-lionel-messi-kylian-mbappe_5999271

Botërori i Katarit u mbyll më së miri, me një organizim thuajse perfekt, me ndeshje plot spektakël, emocione të shumta dhe surpriza të këndshme. Pati favoritë në letër që u eliminuan krejt papritur qysh në fazën e grupeve, si Gjermania apo Belgjika, ndërkohë që Maroku konsiderohet “Hirushja” e këtij kompeticioni, sepse eliminoi Spanjën dhe Portugalinë njëra pas tjetrës, për të shkuar vetë në gjysmëfinale.

E para kombëtare afrikane që e bën këtë në histori. Ka shumë për të analizuar, por së pari, referuar një bilanci të përgjithshëm, “Corriere dello Sport” e nis me top-formacionin e Botërorit të Katarit. Sipas prestigjiozës sportive italiane, këto janë emrat e përfshirë në modulin 4-3-1-2 dhe “përseja” për secilin prej tyre.

1.LIVAKOVIC (Kroacia)

Një “qime floku” përpara Bounou, portierit maroken. Avantazhi minimal i kroatit lidhet me ndeshjen e fundit, finalen e vendit të tretë, të fituar nga ballkanasit. Livakovic pati një Botëror të mahnitshëm, duke lartësuar aftësitë e tij në pritjen e penalltive. Falë pritjeve të tij, Kroacia mundi Japoninë në 1/8 dhe Brazilin në çerekfinale nga penalltitë, pas kohës shtesë. Një vlerësim të madh meriton edhe argjentinasi Martinez; ishte finalja e tij.

2.HAKIMI (Maroku)

Treni i krahut të djathtë të kombëtares së Afrikës së Veriut ishte një nga lojtarët më interesant dhe spektakolar të këtij Botërori. Hakimi, duke nisur nga pas, Zyech në pritje të shkëmbimit dhe Ounahi duke pasuruar trekëndëshin me teknikën e tij. Në këtë rol, ish-lojtari i Interit ishte sigurisht më i miri i turneut.

3.ROMERO (Argjentina)

Në gjykimin e ish-lojtarit të Atalantës, finalja ndaj Francës ka peshë të konsiderueshme. Garat e mëparshme ai luajti në nivele të mira, në aktin e fundit bëri paraqitje monstruoze.

4.GVARDIOL (Kroacia)

Duartrokitje për një djalë që debutonte në Botëror, i lindur më 2002, një nga qendërmbrojtësit më të fortë në Evropë. Ai pati vetëm një ditë të keqe në “Katar 2022”. Ajo ditë përkoi me një duel të pamundur për gjithkënd tjetër, duelin me Messin. Gjithçka tjetër e tij ishte prej lojtari të madh.

5.THEO HERNANDEZ (Franca)

Ai e solli Francën në finale me golin e tij ndaj Marokut, zëvendësoi vëllain e tij Lucas pas dëmtimit dhe, nëse përjashtojmë 120 minutat me Argjentinën, dominoi në krahun e majtë.

6.DE PAUL (Argjentina)

Teknikë dhe muskuj, ja mesfushori më i kompletuar në Botërorin e Katarit. Pak poshtë ish-lojtarit të Udinese vendoset Griezmann, i cili fjalë për fjalë u zhduk nga finalja me Argjentinën.

7. ENZO FERNANDEZ (Argjentina)

Në zemër të lojës dhe më pas, për të përfunduar dhe përmbyllur aksionet. Ai me të vërtetë bëri një Botëror të mrekullueshëm.

8.AMRABAT (Maroku)

Një rritje e pabesueshme, nga ndeshja e parë deri në gjysmëfinale. Ai po luante mirë edhe te Fiorentina, por thellësia e Botërorit të tij ishte e çmendur. Ambrabat ndjeu përgjegjësinë e një ekipi të tërë dhe i dha Marokut forcë e krenari. Në votat e “Corriere dello Sport” e nisi nga 6.5 në ndeshjen e parë kundër Kroacisë dhe arriti në 7.5 në ndeshjet me eliminim direkt kundër Spanjës dhe Portugalisë. Ai e përfundoi Kupën e Botës duke luajtur si qendërmbrojtës në minutat e fundit të finales për vendin e 3-të.

9. MODRIC (Kroacia)

Në Botërorin e tij të fundit la në kujtesë lojtarin e madh, numrin e madh 10. Ai luajti disa ndeshje fantastike, me atë goditje nga jashtë që vetëm ai mund ta bëjë në atë mënyrë. Ata që e duan këtë lojë shpresojnë ta shohin përsëri të paktën në Kampionatin Evropian, edhe nëse mosha rritet.

10.MESSI (Argjentina)

Ai ishte “mbreti” i Katarit, sunduesi absolut i një turneu që e kurorëzoi si lojtarin më të mirë. Në një vit e gjysmë të kaluar te PSG, argjentinasi nuk e kishte arritur kurrë këtë nivel loje, as nuk i ishte afruar. Ai priste Kupën e Botës për të vërtetuar se kush ishte në të vërtetë. Krahasimi i përjetshëm me Maradonën më në fund është zgjidhur: ai është në të njëjtin hap. Çfarë fati, Argjentina, dy lojtarët më të mirë në botë nga viti 1980 e deri më sot kanë veshur fanellën e Albiceleste.

11.MBAPPÉ (Franca)

Një ‘hat-trick’ në finale dhe mosfitimi i Kupës së Botës. Do të jetë keqardhja e gjithë karrierës së tij dhe sigurisht që vendi i parë mes golashënuesve nuk do të mjaftojë për ta ngushëlluar. Ka një Francë me Mbappe dhe Francë pa të. Pa Mbappe, kombëtarja transalpine është thjesht një ekip i mirë, asgjë më shumë.

TRAJNERI

REGRAGUI (Maroku)

Trajneri i Marokut e meriton këtë vend për mënyrën se si kombëtarja e tij ka tërhequr vëmendjen e botës. Sigurisht që Scaloni e fitoi Botërorin, por tashmë ka ndodhur me dy trajnerë të tjerë argjentinas. Kush e di se kur do të arrijë një trajner tjetër i Marokut të shkojë deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës.

Related Posts

Leave a comment