Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë / Akt banditesk mbi gazetarin dhe bashkëshorten e tij në Lezhë

Unioni
Tiranë më 25 Janar 2023
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon ashpër sulmin dhunues mbi gazetarin Elvis Hila dhe bashkëshorten e tij, të ndodhur ditën e mërkurë në qytetin e Lezhës. Sulmi i dhunshëm i dy qytetarëve të identifikuar, mbi gazetarin për shkak të detyrës, përbën një agresion kriminal dhe të dënueshëm.
Kallzimi zyrtar nga gazetari Hila dhe bashkëshortja e tij ndaj dhunuesve përbën një arsye që policia lokale të ndalojë sa më parë autorët dhe t’i verë përballë drejtësisë.
UGSH dënon me forcë aktin kriminal dhe mbështet plotësisht kolegun dhe bëhet pjesë e solidaritetit të krejt kolegëve të Lezhës, ndaj tij dhe familjes.
Kërkojmë nga autoritetet e policisë së shtetit të marrin masa të menjëhershme për garantimin e qetësisë dhe sigurisë së kolegut dhe familjes së tij si dhe mundësimin e gjithë lirisë për të ushtruar detyrën e vet si reporter.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
Raport i përcjellë pranë Zyrës Informuese të UGSH
LEZHË- Gazetari i Report Tv në Lezhë, Elvis Hila është dhunuar ditën e sotme për shkak të detyrës. Pre e sulmit ka rënë edhe bashkëshortja e tij. Tashmë gazetari ka bërë kallëzimin në Polici dhe dy autorët, Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri, janë shpallur në kërkim.
Gjithçka lidhet me lajmin që Report Tv dhe Shqiptarja.com ka publikuar ditën e sotme për një person që është dënuar në Lezhë me 1 vit burg për falsifikim dokumentesh.
“Jam me vendbanim në adresën e lartë përmendur, dhe punoj si gazetar i Report TV dhe Shqiptarja.com prej 10 vitesh. Sot me datë 25.01.2023 kam publikuar një lajm në portalin Shqiptarja.com dhe televizionin Report Tv ku unë punoj, në këtë lajm bëhet fjale për vendimin që është dhënë me datë 24.01.2023 nga Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë në lidhje me dënimin e shtetasit Fran Ameri për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”. Pasi lajmi është publikuar në mediat ku unë punoj rreth orës 14:47 të ditës së sotme më ka telefonuar nga numri i telefonit “+355693076906 djali i tij duke më share, ofenduar dhe kërcënuar në lidhje me publikimin e bërë. Rreth orës 16:42 isha me bashkëshorten time dhe jam telefonuar nga një tjetër shtetas me numrin “+355693638336″ i prezantuar si shtetasi Paulin Pergjini dhe me kërkoi që të takoheshim përballë Bar Firence në afërsi të rrugës së spitalit. Kur jam afruar aty e kam telefonuar numrin në fjalë dhe ka dalë nga një automjet tip Golf 6 i cili ishte i parkuar në anë të rrugës. Nga kjo makinë ka dale edhe shtetasi Indrit Ameri, emrin e të cilit nuk e di. Më thanë që të parkoja makinën dhe të dilja nga makina. Unë e parkova në anën e rrugës së vjetër të spitalit dhe aty me janë afruar personat në fjalë të cilët unë i identifikova si Paulin Përgjini dhe personi tjetër me Indrit Ameri dhe filluan të më kërkonin llogari dhe të më kërcënonin në lidhje me lajmin e publikuar. Pasi unë nuk pranova të zbrisja nga makina tentuan të më hapnin derën e makinës dhe në këtë moment ka zbritur bashkëshortja ime shtetasja Benereta Hila që t’u thoshte që të largoheshin. Pasi bashkëshortja ime tentoi t’i largonte nga dera e makinës dhe po mundohej të telefononte policinë shtetasi me Indrit Ameri i ka rënë me dorë telefonit dhe pasi ajo është ulur për të marrë telefonin ky shtetas e ka goditur me grusht në pjesën e pasme të qafës. Dhe më pas kanë ardhur në drejtimin tim dhe ka tentuar të më nxjerrë me forcë nga makina. Pasi nuk arritën të më nxirrnin nga makina shtetasit Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri më kanë goditur me shkelma dhe grushte. Bashkëshortja ime ka hypur në makine dhe jemi larguar drejt spitalit ku dhe morëm mjekimet e duhura. Proces verbalin e kallëzimit pasi e lexoj dhe konfirmoj se thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e kuptoj çfarë kam thënë, e firmos pa asnjë vërejtje”, ka dëshmuar në polici, gazetari.

Related Posts

Leave a comment