Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Një çaj me Kadaretë

-640-0-1674907570x327828453-1352672092191542-3452378747708282760-n-514

Nga Monika Stafa

Rruga që duhej të përshkonim që nga Palais de Luxembourg, një prej rezidencave më të rëndësishme presidenciale (miqtë tanë vendas na thonë se lejen për zhvillim veprimtarish atje e jep vetëm zyra e Sarkozy-së), ku sapo kishim përfunduar konferencën ndërkombëtare “Albanie 1933-1944: l’honneur de l’home” (Shqipëri 1933 -1944; nderi i njeriut) deri tek shtëpia e Kadareve në Paris, ku ishim ftuar bujarisht “për një çaj”, nuk zgjat më shumë se 10 minuta kohë.

Ambasadori i Shqipërisë në Paris, Ylljet Aliçkaj, edhe vetë shkrimtar, përkujdesës i konferencës së bashku me senatorin e Rhone-s Bernard Fournier, njëherësh kryetar i miqve parlamentarë francezë të Shqipërisë, na shpjegon me fjalë e me gjeste se banesa e Kadareve është e stilit të vjetër. Ai na thotë se, ndonëse Kadare nuk mund të ftojë këdo që vjen në Paris nga Shqipëria dhe bota shqiptare në përgjithësi, përsëri në shtëpinë e tij ka vazhdimisht bashkëvendës të tij.

“Nga kjo anë zor se mund ta marrësh për gjirokastrit”, shton ai me humor dashamirës.
Në një farë mënyre vërtet shtëpia e Kadareve është kthyer si një qokë nderi për shqiptarët. Prej kohësh.

Të mos flasim për dimrin e vitit 1999, kur në Rambouilliet mbahej konferenca e famshme për Kosovën dhe delegacioni i shqiptarëve kryemëvete të ardhur nga Prishtina, mbërritur prej dyersh dhe frontesh të ndryshëm, ndoshta dhe të kundërt, s’kishte gjasë të pajtohej për ndonjë qendrim, pa fjalën autoritare të Kadaresë.

“Për të mirën e Shqipërisë”, patën shqiptuar ngulmueshëm më herët, elitat shqiptare të pas ‘90- tës. Nëse pretendohet se ka pasur ndonjë të tillë të vërtetë. Kadare ka qenë kritik për opozitën e parë?! Kështu më thanë miqtë atje. E besueshme, po të rikthejmë në mendjen tonë “çekun e bardhë”, ose “piramidën e parë” rentiere të Shqipërisë; pastaj “letrat me vlerë”, që shteti i shpërndante për vlerë toptan dhe në treg shiteshin vetëm me dy për qind, deri tek rrënimi tërësor i 1997-ës. Ja, pikërisht kjo është një çështje për të vrarë mendjen. Si ka ndodhur që mendimin kritik Kadaresë ia njohin vetëm për aq sa lidhet me refuzimin e së shkuarës, kurse qortimet për mbrapshtitë e kohërave të reja nuk ia kujton thuajse askush?!

Nuk e kisha takuar ndonjëherë Kadarenë. Konferenca që sapo qe mbyllur, kushtuar “modelit Shqipëri”, me referencë shpëtimin e hebrejve para dhe gjatë luftës antifashiste, si paraprirje e mitit më të fuqishëm të Europës së sotme, atij miti që ndoshta duhet t’i jemi mirënjohës për shembjen e perdeve të çelikta politike dhe gjeopolitike që ndanin botën në një ftohtësi akullnajore, ishte një konferencë për imazhin e Shqipërisë. Kisha menduar me veten time, gjatë ditëve të vrullshme të Tiranës, duke përgatitur e përkthyer trajtesën “Shtypi i kohës për shpëtimin e hebrejve”, se një ngjarje që lidhej me imazhin e Shqipërisë, duke u zhvilluar në zemër të Parisit (“Sigurisht, Palais de Luxembourg nuk është Shtëpia e Bardhë, por gjithsesi është zemra e Parisit, që ruan ende hijen e një kryeqyteti botëror të kulturës dhe diplomacisë”), pra, një veprimtari ku do të nderohej emri i Shqipërisë, s’do të kishte gjithë kuptimin e merituar pa “prekjen” e I. Kadaresë, të jemi realistë, një kryeshenjë e trashëgimit shpirtëror shqiptar. Nuk ia kisha inkurajuar vetes që ta besoja plotësisht kjo, por ja që po ndodhte.

Në dhjetë minuta udhë më këmbë, sipas një riti tim të brendshëm (me mend herë pas herë uroja si të moçmit dikur z. Aliçkaj, që nuk zgjodhi një mënyrë më të shkurtër, për shembull me autoveturën e ambasadës, për të shkuar te Kadaretë), mund të rivendosja njëfarë rregulli në mendjen time dhe të ftilloja pyetje e përgjigje të mundshme. Shumë njerëz e kanë të zorshme të thonë se admirojnë këtë shkrimtar apo këtë tjetrin, dhe janë të njëjtët që s’e kanë për gjë fare të thonë, bie fjala, se do të shtroheshin përdhé për “DJ Bobo-në” a ndonjë tjetër, megjithëse ndoshta nuk e dinë fare se ajo shkurtesë në krye nuk ka ndonjë kuptim fisnikërues, thjesht është bashkim i nistoreve të shprehjes “disc jocker”, domethenë “ai që ndërron disqet”. Emri i I. Kadaresë dhe prania e tij do të më bënte kudo të nderuar, jo vetëm në zemër të Parisit. A duhet t’ia them këtë? Ndoshta jo! Ai duhet ta dijë se kjo është e vërtetë. Por duhet ta shpreh gjithsesi.

Ah, ç’më vjen ndërmend tani, për të më prishur gjakun. Unë vij nga bota e shtypit. E shtypit që të shtyp. E shtypit që të numëron jo kafetë, por dhe dhëmbët. Ta ketë lexuar vallë “Mos e prekni jetën time private?”. Jo, s’mund të pretendohet kaq shumë! Eshtë një thirrje që ia bëj shpesh vetes dhe them se më kthjellon. Të paktën këtë të ketë lexuar… Sa shumë vrer shqiptarësh është derdhur në shtyp kundër tij! Vrer Salierësh, vrer njerëzish të veckël, vrer qeniesh paraqytetare, para-urbane, që s’kanë gjuhë tjetër komunikimi! Ah, kur s’jam prej dikahit tjetër. Për shembull, nga mjekësia, apo nga fitoteknia. Vetëm nga shtypi, jo! Dhe ai ka të drejtë!

Duhet t’ju ketë qëlluar edhe juve, sigurisht: kur ju kanë pyetur për vendin tuaj, dhe ju keni thënë “Shqipëri”, do të ketë qenë dikush aty për të pyetur: “Po ku është kjo Shqipëria?”. Natyrisht, pyetje të tilla nuk mund t’i bëjnë njerëz të fismë, si albanologet Antonia Young e Claire Lavoine (gjithnjë mbetem e çuditur që shumica e studiuesve të historisë së Shqipërisë kanë qenë e janë “lady”, si janë në Francë Odile Daniele e Odette Marquette; në Rusi Nina Smirnova, Gertrude Entrej e Julia Ivanova; në SHBA Rose Line e Antonia Young); dhe të tjerë që ishin të pranishëm në konferencën tonë. Por fakt është që është një pyetje që bëhet.
Ju mund të përgjigjeni: “Shqipëria?! Ah, nuk e ditkeni, sa keq! Po ndoshta keni dëgjuar për Nënë Terezën!”. “Nënë Terezën e Kalkutës? Sigurisht, atë e njeh gjithë bota! Të më ndjeni, por unë kisha përshtypjen se Shqipëria gjendet diku në Europë…”. “- Zotëri, ju nuk keni pse kërkoni ndjesë, Shqipëria në Europë gjendet, edhe Nënë Tereza e Kalkutës është shqiptare”. Pastaj ti mendon me vete: E kush i hyn këtij debati?! Më shumë se gjysma e botës mendon se Nënë Tereza është nga India. Dhe, në fakt, nobelistja jonë është një fenomen universal. Me pak drojtje e rimerr veten dhe thua: “Ndoshta keni lexuar diçka nga I. Kadare?!”.

Ja, kështu më ndodhi dhe mua në një bisedë gjatë cocktaille-it në Palais de Luxembourg. Kadare?! Si jo, s’e dija se është shqiptar, të më ndjeni përsëri për padijen time! Unë kujtoja se mund të ishte hebre. Ju e dini se në emrin e këtij shkrimtari, Ismael, gjendet edhe emri i hyjit të hebrejve, “El”, njësoj si te “Israel”, “Jakohel”, “Rachele”, “Daniel”, “Ezekiel” dhe shumë të tjera?! Ah, e shoh se nuk e ditkeni! Voila, Madame! Ja, kështu! Qenkeni me fat vërtet që keni një shkrimtar të tillë.

Dhe tani është radha juaj të çuditeni!

Ylljet Aliçkaj, ky njeri i papërtuar, që bota e njeh si krijues më shumë se vetë ne shqiptarët (duke përjashtuar ndoshta filmin “Slogan”), na shpjegon gjatë rrugës se ja, këtu, fare pranë banesës së Kadareve në Paris, gjendet një kafe që lidhet me emrin e shqiptarëve: në vitet 1950 aty qenkan mbledhur mërgimtarët tanë, kryesisht mërgimtarë politikë, që bënin plane për përmbysjen e regjimit në Shqipëri duke rrëkëllyer konjak “Courvoisier” e “Remi Martin”. Por unë nuk e kam mendjen aty. Dhe them me vete “Faleminderit” që ambasadori nuk më kërkon përgjigje. “Slogani” im është: Ti po shkon në këtë shtëpi prej dyerve të shtypit. Kujtoju njëherë ç’ke të përbashkët me të? Domethënë, ç’ka pasur në përditshmëri për të?!

Edhe këtë vit Kadare nuk e fitoi çmimin Nobel. Pse më duket sikur në këtë mënyrë të formuluari ka njëfarë kënaqësie tinëzare?

Shkrimtar i oborrit apo kontestator i sistemit?
Bobo! Çështja Nata me hënë!

Si mund të nxirret nga mendja, që ndjenjat e një babai shkrimtar janë po aq të denja dhe të ligjshme sa dhe të çdo babai tjetër? Dhe kërkojnë pastaj “më shumë njeri“ te Kadare. Nëse njeriut i cënohet brendësia e tij, qoftë dhe brendësia e një shkrimtari, si do të mbetet një qenie ideale, ashtu si do të donim ne?

Befas Shqipëria ime e dhimbshme më duket shumë katundareske. Nga kryet në fund. Për t’u dhimbsur. Gjithçka në shitje. Për para, për lexues, për teleshikim, për dhunë në jetën e tjetrit. Më kanë mjaftuar vetëm pyetjet e përditshme të njerëzve që njohim për të kuptuar se cili është lëndimi i njeriut të cënuar në jetën private. Dhe befasisht e ndiej veten brenda një faji kolektiv…

Ja, tani, një zë do të na ftojë që nga citofoni të ngjitemi lart. Mezi e ndjek bisedën e njërit prej tanëve që ka shtypur butonin në hyrje të ndërtesës. Nga cila anë të ngjitemi, themi. Nga ana B, bucon zëri i fuqishëm i Kadaresë. D si Domosdova? pyesim ne. B, B, ushtron ton ai, si Budallë!

Po, ky është pikërisht zëri i I. Kadaresë. Po hyjmë në shtëpinë e tij, duke dëgjuar si të parën fjalë pikërisht këtë, B si Budallë!. Gjithsesi, kjo fjalë, që ndoshta nuk iu drejtua askujt, apo thjesht qe një formë shprehje dëbimi (ekzorcimi), në kuptimin që vetëm nje Budallë nuk ka punë aty, na ktheu në humor.

Cdo ketë pasur vallë në kokën e tij ato caste të vrullshme mendimesh që rrjedhin si lumenjtë e fryrë pas stuhish? Nje Zot i madh e di, cfarë, por mua më vjen mirë që e jetova atë moment të tijin intim, ku ai mu duk se ishte me shumë vetja se kurrë. Dhe në çast i thashë vetes “Të lumtë”, që ai moment po më bënte të ndihesha si të hyja në shtëpinë e një të njohuri të prejkohshëm.

Portën na e hap Elena (dreq, ky ka pasur fat edhe me zonjën, veçse ajo e ka atë pjesën hyjnore, “El”, në krye, them me vete). Ajo nuk është Elena Kadare, apo zonja Kadare, të paktën në këtë çast. Ajo është zonja e shtëpisë Kadare. Ka diçka intime në paraqitjen e saj, që tani i thonë “performancë”. Po ajo që e mbaj mend që prej shumë kohësh, veçse tani si në shtëpinë e saj.

“Smajl, shih kush ka ardhur!” – i drejtohet ajo të shoqit, me këtë shkurtesë të padëgjuar ndonjëherë prej meje, që më shpërngul vetvetiu prej botës së El-it në atë të Irlandës. “Smajl, “smille” (qesh) pra”, kjo është fjalia e vetme që më formulon mendja!

Ndoshta është pikërisht magjia e artit të këtij njeriu që m’i sjell ndërmend gjithë këto përngjasime. Intuita nuk më ka tradhtuar kurrë, them me vete dhe e lë mendjen time krejt të lirë. Le të harbojë po të dojë, këtu dhe gabimi ka diçka të vlefshme. Këtu nuk kanë vlerë as “yes-men”, as “yes-women”. Kushedi sa të tillë ka qenë i detyruar të dëgjojë ai njeri.

Çudi, pse gjithnjë e kisha lidhur emrin e Elenës (Kadare) me emrin e asaj Helenës tjetër, të jelinit, Helenës së Trojës?! Kjo jona është një pajtore e vërtetë. Pajtorja e Ardenicës. Pajtorja e Durrësit. Pajtorja e Shelcanit. Pajtorja e Kadaresë, e Kadareve, e miqve të tyre, e të njohurve të tyre…

Smajl, miqtë kanë ardhur! Ndërsa përsërisja me mend këtë fjali, në ndërkohën e shkurtër që vetëtimthi kaloi ndërsa përshkonim udhën prej portës së hapur deri tek dhoma e ndjenjes, apo “salloni”, si i thonë këta të këtushmit, m’u kujtua se në “zarfin e ftesës”, si thuhet në zhargonin parizien, që kishte sjellë lajmin tek hyrja hijerëndë e Palais de Luxembourg, na njoftohej se ishim të mirëpritur në shtëpinë e Kadareve “për një çaj”. Pikërisht një çaj ishte gjëja më e mirë për mua në këtë çast, pas atij të ftohti që kisha përshkuar rrugëve të Parisit dhe fytit të tharë prej motit nordik në janar. Do zoti dhe Elena ka përgatitur ndonjë prej atyre ëmbëlsirave të shijshme, për të cilat në Tiranë thonë “si të asaj”.

Ne kemi hyrë tashmë në bisedë. Pas përshëndetjeve, që ne i quajmë “të rastit”, por që e bëjnë një shtëpi të jetë shtëpi, ambasadori Aliçkaj nis të tregojë rreth një takimi që ka pasur me homologë të tij të vendeve të Ballkanit, ku është diskutuar për Kosovën:

Folën të gjithë, përveç ambasadorit të Beogradit, shpjegon në mënyrë gati natyraliste Aliçkaj. Atëherë unë e pyeta homologun serb drejtpërsëdrejti: Po ti, ç’mendon? Dhe ai m’u përgjigj: Ja, ato që thanë kolegët e mi parafolës.

Nuk është aspak e vështirë të provokosh zemërimin, apo “mëninë” e I. Kadaresë. Doni ta provoni?! Bëni një lëshim për Kosovën! Në vështrimin e I. Kadaresë s’është aspak e vështirë të lexosh pakënaqësinë.

Po ti, çfarë u the?!, i drejtohet ai ambasadorit, i cili parashtron me kujdes gjithë argumentin e tij. Dhe mua më duket se po lexoj në mendjen e tij një dëshirë të sinqertë që diplomati të ketë dhënë përgjigjen më të mirë, më të merituar. Ai do të kënaqej nga kjo, padyshim. Nuk e di pse ndiej një dëshirë të marr pjesë në këtë bisedë.

Çfarë do të thoja unë?!, m’u bë sikur sikush më pyeti, por në fakt ishte vetëm qenia ime e brendshme që pyeste:

Unë? Epo … ja … Unë do të thoja pak a shumë se të gjithë këta që folën janë sivëllezërit e tu, domethënë janë përfaqësues të vendeve të tyre, por, gjithsesi, kanë pak jugosllavizëm brenda tyre (madje pak jugosllavizëm mund të ketë edhe brenda shqiptarëve të Kosovës, shqiptoj nën zë me dhimbje), kështu që nuk më vjen ndonjë çudi që dëgjoj prej gojës së tyre, atë që ti ke dëshirë të shqiptosh. Mirëpo puna është se tani Kosova nuk është më çështje jugosllave, dhe duhet dalë prej kësaj kornize.

I dhashë vetes të drejtë të bëja një pushim të shkurtër dhe të merresha qetësisht me çajin dhe ëmbëlsirën time, e cila sigurisht do të ishte edhe më e mirë të nesërmen, që do të festohej ditëlindja e shkrimtarit. Por kjo zgjati fare pak.

Ja, kjo i duhet thënë atij të Beogradit, merr tonalitet zëri i Kadaresë. Ata duhet ta kuptojnë se kanë humbur jo vetëm të drejtën politike, por edhe atë historike e kulturore. Serbët kanë mbetur të izoluar edhe në shkrim, jo më në të tjera gjëra. Një shekull më parë shqiptarët kishin dy alfabete latinë, domethënë dy alfabete europianë. Qysh në kohën e Buzukut shqipja është shkruar si në Europë. A e dini se interneti i kthen në shenja të pakuptueshme germat e alfabetit cirilik që përdorin serbët.

Kadare duket sikur kërkon pëlqimin tonë me sy. Unë marr zemër nga mbështetja që gjej në mendimin e tij dhe them prapë duke i besuar intuitës: Ndoshta vetëm malazezët mund të veçohen prej ish-jugosllavëve. Ata janë të vetmit që janë hapur me Shqipërinë. Malazezët dhe hebrejt s’kanë viza me ne. Në një çast të vetëm më vërtitet turbull në mendje një emër princi pasardhës të Njegoshëve malazezë, që e kam përmendur në një reportazh për Cetinjën, të cilin Kadare e çmon si një njeri me sjellje europeiste.

Në të vërtetë biseda për Kosovën dhe për imazhin e Shqipërisë sundojnë gjithë mbrëmjen. Gjatë “çajit”, që zgjat gati tri orë, flitet herë me gjuhë e terma diplomatikë, herë me gjuhë e terma më të lirshëm, se si do të jetë e ardhmja e çështjes shqiptare. I. Kadare mendon se nuk ka pasur një çast më të lartë për shqiptarët. Ky është apogjeu. Asnjëherë shqiptarët s’kanë qenë kaq dinamikë dhe enegjikë në rajon, asnjëherë s’kanë pasur aq ndikim e fuqi për të bërë vetveten sa tani.

Ju të diplomacisë si mendoni, i drejtohet ai ambasadorit Aliçkaj. Eshtë pak e ndërlikuar, thotë ai, ka mendime të ndryshme dhe të kundërta, kështu ndodh gjithnjë kur vendoset një kufi.

Por shkrimtari në këtë diskutim nuk ka ndërmend të pajtohet kollaj. Kjo punë dihet tashmë, thotë ai. Kosova është një çështje e vendosur. Apo ju mendoni ndryshe?! kthehet ai me vështrim pyetës.

Më thuaj ti, që ua gjete aq mirë lidhjen atyre sivëllezërve të diplomatit të Beogradit. Si e mendoni ju punën e Kosovës?!.
Në të vërtetë kisha shkuar e papërgatitur për të dhënë opinione dhe përgjigje për çështje të tilla. Aq më tepër në një mjedis shumë të lartë, ku diplomatë me përvojë bashkëbisedonin me një mendimtar referencë të çështjes shqiptare. U mundova jo pak për të gjetur fjalët e duhura. Gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte shprehja shpëtimtare e presidentit Bush: Time is Now!. Ne në Tiranë në të vërtetë nxituam ta shpallim menjëherë pavarësinë e Kosovës, sepse “Koha është Tani”. Por, sidoqoftë, nxitova t’i përgjigjesha pyetjes që m’u bë, “edhe në mos qoftë pikërisht right now, procesi ka një krye dhe është drejtuar nga pavarësia; ashtu si një unazë fejese është premtimi i dasmës, ashtu pavarësia e Kosovës të çon pashmangshmërisht tek festa.

Ndihem mirë këtu tek Kadaretë. Ata janë shumë të vëmendshëm ndaj mendimeve që shprehen dhe aty nuk ka hierarki zyrash. Aty vëmendjen e fiton mendimi i vlefshëm.

Shtëpia e Kadareve është gjithaq e rregullt, sa dhe e çrregullt, si çdo shtëpi shqiptare dhe ma merr mendja dhe si çdo shtëpi tjetër. Sjelljet e njerëzve janë krejt të lirshme. Vetë Kadare aty gëzohet e aty merr zjarr, sidomos kur i kujtohen ca tipa që për një vizë apo për një simpati të pamerituar prej të huajve janë gati të shajnë vendin e lindjes që prej kohës së ilirëve deri tek plehërat e Tiranës së sotme. Ai ka një zotësi të rrallë, për të kulluar prej së përditshmes së rëndomtë dhe shpesh mërzitëse shenja të një bukurie optimiste që nuk të shkojnë në mendje. Bashkëcelebrimin e meshës shqip prej Dom Nikë Ukgjinit me një meshtar francez në Notre Dame de Paris ai e krahason me reformën humaniste të priftërinjve shkrimtarë të shekullit të 16-të, për të cilët disa kohë më parë kisha pasur rastin të shprehesha se përfaqësojnë të parën dhe nga të rrallat lëvizje mendimi në botën shqiptare. E dini ju cdo të thotë që sot Notre Dame de Paris të kumbonte shqip për herë të parë në historinë e Francës? A e dini ju, ngulmon ai me nervozizëm, se cfarë ka bërë ai prifti nga Shkodra?

Simboli i institucionit fetar dhe shtetëror francez ka oshëtitur në gjuhën shqipe. Thojini botës, se cfarë ngjau. Mos rrini indiferentë dhe inferiorë para këtyre fqinjëve që janë një Hic para nesh- dhe uplas ne kanapenë dhunshëm sikur i doli një shkulm inati i mbledhur dokohësh.

U trondita! Nuk kish si ndodhte ndryshe. Unë kisha takuar Historinë. Po, po, Historinë, atë të vërtetën me të tërën e saj. Me Kosovën, Camërinë, me Ulqinin, me Hotin, Grudën, Plaven e Gucinë me Janinën dhe gjithcka tjetër ku rrjedh gjak shqiptari.

Ja sa shumë gjëra kemi që e bëjnë një shqiptar të ndjehet së brendshmi europian po aq sa një francez apo c’dreqin tjetër, mendova. Por fqinjët tanë veriorë s’po bëhen të vetëdijshëm për këtë, madje as për interesat e veta pragmatiste, thotë shkrimtari.

Ai shpreh aq shumë mendime të vlefshme, sa njëherë më shkon në mendje t’i kujtoj Elenës se ndoshta duhet të mbajë ditar për të shenjuar gjithë këto që thuhen. Por më duket ende e tepërt të shpreh mendime për një punë të tillë dhe e lë për një herë tjetër. Sepse kjo është një bisedë e saponisur. Kam shumë bindje te rikthimi, jo vetëm këtu, por edhe te mikpritësit tanë francezë e shqiptarë, tek dr. Brikena Çabej e Mme. Solange d’Angely dhe tek vetë Kadaretë. Në fund të fundit, në përcjelljen tek dera na pyesin: Kur vini nesër?!

Po, nesër. Sepse nesër është 28 janar, është ditëlindja e shkrimtarit, të cilit nuk jam e sigurt, nëse i kemi dhënë më shumë gëzim a trishtim. Nesër kushedi sa vizitorë do të ketë këtu! Bashkë me ambasadorin Luan Rama vendosim që ditëlindjen t’ia urojmë me një kartolinë.

Shkrova me një kaligrafi të paqëndrueshme timen, një urim të thjeshtë:“Pranë Le Flore nuk mund të rrija dot pa Ju uruar Ditën Tuaj të Lindjes!”

Paris, 27 Janar 2008

Related Posts

Leave a comment