Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

15 vjetori i Pavaresise se Kosoves. Begaj:Shqipëria mbështet dhe vlerëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA-së

-640-0-1676485143xb71dbc9b-1def-44f8-883e-78a4a5804f48-675x450-988

Presidenti Bajram Begaj ka deklaruar se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë republikën e Kosovës në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe do të intensifikojë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj.

Këtë deklaratë Begaj e bëri gjatë fjalës së tij në pritjen e organizuar pasditen e sotme nga ambasada e Kosovës në Tiranë, me rastin 15 vjetorit të Shtetit të Pavarur të Kosovës.

“Kosova, shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Ishte fillimi i një epoke të re, ku shteti i Kosovës u projektua si një shtet modern, demokratik, që shihte nga e ardhmja, me një vullnet të palëkundur euro-atlantik.

Republika e Kosovës, një shtet sovran dhe i pavarur, ka demonstruar me fakte, pjekurinë dhe maturinë në qëndrimet e saj. Në këto 15 vite, Kosova ia ka dalë më së miri të respektojë e të nderojë zotimin që i bëri botës, përmes firmëtarëve të pavarësisë, se ishte dhe do të jetë një faktor për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.

Lidhja vëllazërore e Shqipërisë me Kosovën është e natyrshme. Jemi një komb i ndarë në dy shtete, ndaj humbjet dhe fitoret, dhimbjet dhe sukseset, i kemi të përbashkëta.

Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës, në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe do të intensifikojë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj. Partneriteti ynë strategjik duhet thelluar edhe më tej, në dobi të shteteve tona, të kombit tonë”, deklaroi Begaj.Ai theksoi se situata e krijuar së fundmi gjatë provokimeve të rënda në veri të Kosovës, ishte një tregues i qartë se nuk kemi me kohë për të humbur në përpjekjet për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane.

“Mbështetja e pakursyer nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  për ne dhe për të gjithë Ballkanin, është një garanci sa politike po aq dhe gjeografike se e ardhmja e vendeve të rajonit nuk është ajo e luftërave dhe ndasive, por e dialogut dhe bashkëpunimit.

Aplikimi i Kosovës në procesin për anëtarësim në BE si dhe kalimi i propozimit për liberalizimin e vizave, na riforcuan bindjen se e ardhmja e kombit shqiptar do të jetë ajo e të qenurit bashkë në familjen e madhe evropiane.

Agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe tentativat për ta shtrirë konfliktin edhe në rajonin e Ballkanit, na bëjnë të kuptojmë akoma më mirë sot, se sa e rëndësishme është për faktorin shqiptar në Ballkan, të jetë i njëhsuar në qëndrimet e tij.

Situata e krijuar së fundmi gjatë provokimeve të rënda në veri të Kosovës, ishte një tregues i qartë se nuk kemi me kohë për të humbur. Shqipëria mbështet dhe vlerëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të duhet të fokusohet tek njohja e ndërsjellë dhe respektimi i minoriteteve.

Në këto 15 vite, Shqipëria ka parë me krenari lindjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës. Jam plotësisht i bindur se dhe në vitet në vijim, Shqipëria do të shohë me po aq krenari rrugëtimin euro-atlantik të shtetit të Kosovës; rrugëtim i cili do të përmbushë ëndrrën e çdo shqiptari brenda dhe jashtë trojeve tona”, u shpreh presidenti.

Related Posts

Leave a comment