Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

KQZ gati të ndajë paratë e partive/ PD e PS do të marrin “pjesën e luanit” nga financimi vjetor

auto_celibashi-1-752x4401676645029

Zgjedhjet po afrojnë dhe nevoja e partive për lekë është një domosdoshmëri. Kur qeveria ende nuk ka përcaktuar shumën e parave në dispozicion për fushatën elektorale të partive, që do të garojnë në vendoret e 14 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është gati të shpërndajë financimin vjetor.

Për vitin 2023, fondi është 345 milionë e 600 mijë lekë. Pjesën kryesore e marrin dy partitë e mëdha ajo Socialiste dhe Demokratike për shkak të numrit më të lartë të deputetëve të dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Mbi 151 milionë lekë i marrin socialistët, ndërsa kundërshtarët e tyre demokratë mbi 103 milionë.

Të ardhurat vjetore janë ulur për Partinë e Lirisë. Reduktimi i ndjeshëm i mandateve nga zgjedhjet e 2017-ës në ato të 2021-it, bën që në arkën e saj të shkojnë më pak se 15 milionë lekë. E kundërta për Social-Demokratët e Tom Doshit. Tre mandatet e tij përkthehen në mbi 12 milionë lekë.

Nga financimi vjetor përfitojnë 11 parti. Ligji për financimet e partive politike parashikon që 70 për qind e buxhetit të shtetit ndahet sipas numrit të mandateve të fituara dhe 20 për qind shpërndahet në mënyrë të barabartë mes partive parlamentare, dhe atyre politike që në zgjedhje kanë marrë mbi 10 mijë vota. Ky është rasti i nismës “Thurrje”, që edhe pse pa asnjë mandat deputeti, por vetëm se në parlamentaret e fundit mori mbi 10 mijë vota, ajo do të përfitojë mbi 6 milionë lekë.

Pas mbështetjes financiare vjetore, KQZ-së i duhet të ndajë edhe lekët vetëm për fushatën zgjedhore. Beteja për vulën e Partisë Demokratike bën që ky vendim të merret pas 3 marsit, ku pritet që gjykata e apelit të përcaktojë se e kush e drejton PD-në Sali Berisha, apo i dorëhequri pa letra Lulzim Basha.

Related Posts

Leave a comment