Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

EKSPOZITA “FIRST KINGS OF EUROPE” (Mbretërit e parë të Evropës)

1

Për herë të parë, objekte të trashëgimisë prehistorike nga Shqipëria janë pjesë e një
ekspozite ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.
Objekte nga fondet e Institutit të Arkeologjisë dhe koleksioni i Muzeut Arkeologjik në
Tiranë, janë pjesë e ekspozitës lëvizëse në Amerikën e Veriut, e titulluar “First Kings of
Europe”, me organizues Field Museum of Natural History, në Chicago-SHBA. Në këtë ekspozitë
marrin pjesë 25 institucione nga 11 vënde të ndryshme nga Evropa Juglindore. Ekspozita ka si
temë kryesore periudhën e formimit të elitave gjatë prehistorisë së vonë, nga komunitetet
bujqësore të Neolitit, tek elitat e konsoliduara të periudhës së Hekurit në Ballkan.
Shqipëria do të përfaqësohet në këtë ekspozitë me 17 objekte, të cilët datojnë në një
interval kohor i cili fillon që prej 4 600 vjet më parë ose nga periudha e hershme e Bronzit, deri
në 2400 vjet më parë, në fundin e periudhës së Hekurit. Të gjitha objektet vijnë nga varreza të
ndryshme tumulare të gërmuara në Shqipëri, nga veriu në jug të vendit. Objektet e përzgjedhura
në përputhje me tematikën e ekspozitës tregojnë histori të ndryshme: ritualet mortore që
shoqëronin të vdekurin gjatë periudhës së Bronzit të hershëm, siç janë grupi prej gjashtë
figurinash prej balte që shoqëronin varrin qendror të tumës 6 të Shtojit në rrethin e Shkodrës;
elitat ushtarake dhe politike të periudhave parahistorike, të cilat përfaqësohen nga armë të
ndryshme bronzi dhe hekuri apo objekte të panoplisë ushtarake, siç është helmeta ilire nga tumat
e Çinamakut në rrethin e Kukësit; tregojnë stolisjen e pasur të veshjes së femrave nga zona e
Matit dhe Shkodrës, të cilat spikasin për origjinalitetin e kompozimit të tyre; tregojnë objekte
importi luksi, tregues të një statusi të spikatur, siç është vargu prej rruazash prej guri gjysëm të
çmuar ose kornaline nga varreza e Rehovës në zonën e Kolonjës, apo kantari atikas me figura të
kuqe, nga varri i një prijësi ilir nga zona e Matit; por dhe prodhime elegante dhe origjinale të
qeramikës lokale, siç janë kantarët lokalë të kulturës ilire nga veriu i Shqipërisë. Njëkohësisht,
një pjesë e objekteve të përzgjedhura, përmes stileve, materialeve, tipeve që përfaqësojnë, janë
dëshmi e pjesëmarrjes së territorit të sotëm shqiptar në rrjetin kompleks të shkëmbimeve ndër-
rajonale me kulturat fqinje, me Greqinë, Ballkanin dhe Evropën qendrore, por dhe me kulturat e
bregut perëndimor të Adriatikut, në Gadishullin Italik.
Një version i vogël i kësaj ekspozitës, e cila e pati theksin tek ritualet, e titulluar “Rituals and
memory: The Balkans and Beyond”, u shfaq fillimisht në Institute for the Study of the Ancient
World (ISAW), pjesë e Universitetit të New York, në datat 22 Shtator 2022 – 19 Shkurt 2023.
https://isaw.nyu.edu/exhibitions/future-list
Hapja e ekspozitës së plotë, fillon në 31 Mars 2023, në Field Museum of Natural History
Chicago, ku ajo do të qëndrojë deri në 28 Janar 2024. Në periudhën 5 Prill 2024-19 janar 2025,
ekspozita do të vendoset në National Museum of History, në Gatineau, Kanada.
Puna për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë projekt u drejtua nga Dr. Rovena Kurti, në
bashkëpunim me Rudenc Ruka dhe Prof. Luan Përzhita, Instituti i Arkeologjisë/Akademia e
Studimeve Albanologjike.

Krahas përgatitjes së ekspozitës, nën kujdesin e kolegëve amerikanë, Attila Gyucha dhe William
A. Parkinson, arkeologë nga vëndet e ndryshme pjesëmarrëse kanë kontribuar në botimin e një
monografie për publikun e gjerë, rreth tematikave të ndryshme që trajton ekspozita
(https://ioa.ucla.edu/press/firstkingsofeurope), si dhe në përgatitjen e një katalogu të objekteve të
ekspozuara, i cili do të dalë së shpejti nga shtypi (http://www.ioa.ucla.edu/first-kings-catalog).
Për më tepër rreth ekspozitës shih: https://www.fieldmuseum.org/exhibitions/first-kings-europe

Leave a comment