Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“DIELLI” ME SHQIPTARËT NË GREQI

335633071_598502282180793_8996753746872856646_n
Keti Bandilli, mësuese e gjuhës shqipe në Hania, Kretë të Greqisë, në një rrëfim ekskluziv për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpjegon me detaje punën edukative e patriotike për mësimin e gjuhës, kulturës, historisë e traditës shqipe në Kretë dhe aktivitetet sociale e kulturore në dobi të komunitetit shqiptar në Hania, Kretë të Greqisë.
SHKOLLA SHQIPE «FARI I DIJES» NË HANIA, KRETË TË GREQISË
Shkolla shqipe «Fari i Dijes» (Kështu e quajmë edhe pse skemi shkollë tonën, më saktë : Kurset plotësuese të gjuhës shqipe nga mësues vullnetarë ) i hapi dyert e saj për herë të parë në vitin 2018 në ambientet e dy shkollave në qytetin e Haniasë dhe jashtë tij. Ishte një arritje e suksesshme falë përpjekjeve të z. Idlir Zadia, ish- kryetar i Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë në Hania. Në këtë mënyrë me shumë përpjekje dhe këmbëngulje nga ana e tij kryesisht dhe e kryesisë së Shoqatës, u realizua hapja e dyerve të shkollave për fëmijët e bashkatdhetarëve në Hania dhe rreth saj. Vështirësitë që ndeshëm u kapërcyen me përkrahjen e tij, të prindërve dhe padyshim të punës e përkushtimit të mësueseve tona. Me respekt e vlerësim të veçantë po përmend emrat e tyre : Mariana Shollo, Mimoza Pojani, Keti Bandilli, Zhuljeta Kobellari dhe Ermira Misku( për një kohë të shkurtër). Ecuria e mësimdhënies ishte në nivel të lartë në sajë të përgatitjes akademike të këtyre mësueseve. Një vit i suksesshëm që u karakterizua nga një pjesëmarrje e plotë e nxënësve, nga interesimi i prindërve dhe sigurisht nga mbështetja e kryetarit me kryesinë e Shoqatës.
MËSIM SHQIP, MUZIKË SHQIP DHE KULTURË KOMBËTARE
Çdo vështirësi e përballuam së bashku. Përveç proçesit mësimor nxënësit morën njohuri dhe për muzikë, për kulturën shqiptare dhe njëkohësisht organizuan disa herë festa më program të plotë. Këta nxënës ishin krenaria jonë , forca jonë për të vazhduar më tej misionin tonë sa të vështirë, po aq të bukur. Në vitet në vijim vumë re që ra interesi nga ana e prindërve, kjo për çdo mësues është si një goditje dhe pa dashur të zhgënjehemi bënim përpjekje për prurje nxënësish të rinj. Vinin të rinj, por largoheshin të tjerë, sidomos ata që ishin më të rritur dhe nuk kishin kohë . Gjithsesi misionin tonë e vazhduam edhe gjatë periudhës së vështirë të pandemisë.Nxënësit tanë ishin matanë një ekrani dhe ndiqnin mësimet rregullisht me ne nga ana tjetër. Do mbetet në kujtesën tonë kjo fazë e vështirë sepse mundëm të japim dije edhe pse u ndeshën me masat e izolimit. Këto sollën sfida të reja të paeksploruara më parë në proçesin e mësimdhënies.Kështu ,mësues – nxënës u ndeshëm më nevojën e njehsimit të nevojave mësimore më inovacionet teknologjike. Çdo pengesë e kapërcyem si unë,ashtu dhe tre koleget e mia,Mimoza Pojani, Mariana Shollo dhe Zhuljeta Kobellari. Nxënësit tanë arritën të marrin njohuritë e duhura.
MBËSHTETJE NGA LIDHJA E MËSUESËVE NË GREQI
Këto dy vjet shkolla «Fari i Dijes» funksionon në ambientet e një shkolle, të shkollës 6-vjeçare nr.7 në qendër të Haniasë. Këto vite kemi patur dhe kemi mbështetjen e Lidhjes së Mësuesëve në Greqi,e cila na siguroi lejen e marrjes së ambienteve,si dhe prurjen e librave të reja për nxënësit nga Ambasada jonë në Athinë. Problematike mbetet çështja e prurjes së nxënësve të rinj dhe mendoj që mos ndërgjegjësimi i vetë shqiptarëve është shkaku kryesor. Asnjë mësues nuk mund të detyrojë një nxënës të vijë e të mësojë, kjo varet nga vetë familja e tij. Duhet që shteti ynë të bëjë atë që ekziston në shtete të tjera. Pra një bashkëveprim mes dy shteteve që mësimi i gjuhës amtare të hyjë rregullisht në program shkollash. Në këtë mënyrë lehtësohet dhe proçesi i marrjes së lejes nga seksioni i arësimit këtu të ambienteve mësimore. Gjithashtu mësuesët që sakrifikojnë vullnetarisht duhet të njihen nga shteti ynë e të paguhen si kudo në botë. Përveç shkollës tonë, ekzistojnë dhe kurse të tjera të gjuhës shqipe. Në gjimnazin e Kubesë, në qytet dhe në Kastel.jashtë Haniasë.
PRINDËR, SILLNI FËMIJËT PËR TË MËSUAR SHQIP
Materiali që përdorim me nxënësit është rezultativ, libri përmban tre nivele dhe njohuritë janë të përmbledhura dhe të përshtatura për nxënësit që jetojnë jashtë atdheut. Falenderojmë hartuesit e tij dhe QBD për materialin e vlefshëm në dobi të fëmijëve shqiptarë këtu ku jetojnë. Ajo pra që dua të ritheksoi është problemi ynë kryesor : Prurja e nxënësve në klasat e shkollës shqipe. Më lejoni tu bëj thirrje bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Hania dhe jo vetëm: Prindër shqiptarë të nderuar! Mos ngurroni të sillni fëmijët tuaj në shkollën shqipe! Asgjë nuk do humbasin, përkundrazi! Do të përfitojnë njohuri akoma më tepër nga sa mendoni. Nuk mjafton vetëm e folura shqip në familjet tuaja. Nevojitet të mësohet gjuha amtare me baza . ashtu siç mësohet çdo gjuhë tjetër. Këtu bëhet fjalë për gjuhën amtare e cila po të përvetësohet në shkollë do ti ndihmojë fëmijët tuaj edhe për gjuhët e tjera, si dhe do tu ruajë identitetin e tyre kombëtar. Po të vini re kudo në botë, të gjithë mësojnë gjuhën amtare kudo që ndodhen. Ne jemi mësues vullnetarë që po ju ofrojmë mësime falas për fëmijët tuaj, për të ardhmen e tyre. Më lejoni të them diçka për veten. Thjesht si shembull. Nxënësja ime e parë kur erdha në 1994 në Greqi ishte bija ime. E folura shqip që në ditët e para, u pasua ndër vite me të mësuarit rregullisht me shkrim e lexim. Sot që është studente tregon akoma më tepër interes dhe vazhdon e përparon në nivelet më të larta të gjuhës shqipe.
KUR TË PËRGËZOJNË QYTETARËT GREKË…
Shoqëria greke këtu ku jetojmë nuk na ka shfaqur reagime për misionin tonë. Përveç pengesave në Seksion të arsimit për marrjen e lejes( gjithmonë na vonojnë edhe pse marrin një pagesë nga ne për dhënien e klasave). Përgjithësisht na përgëzojnë qytetarë grekë, kryesisht intelektualë. Vetë drejtorët e shkollave tregojnë entuziazëm dhe natyrisht që çdokush i l logjikshëm të vlerëson kur bëhet fjalë për arësimim. Madje kur mësues grekë vijnë e na shohin herë herë, përgëzojnë nxënësit dhe bëjnë krahasim me grekët jashtë kufijve, të cilët mësojnë gjuhën e tyre në shkolla. Me pozviitet na shohin kudo. Madje para dy vjetësh na morën në intervistë si staf mësimor për gazetën lokale këtu. Për sa i përket shoqërisë shqiptare në Hania duhet të ndryshohet mendimi që kanë dhe të ndërgjegjësohen për këtë çështje.
SHQIPTARËT E HANIASË …
Shqiptarët e Haniasë përgjithësisht qëndrojnë afër njëri- tjetrit duke ofruar mbështetje sa munden. Për sa i përket integrimit të tyre në shoqërinë vendase, ju siguroj që janë pjesë lëvizëse e shoqërisë duke ushtruar me sukses profesionet e tyre në pjesën më të madhe të sektorëve të ekonomisë vendase. Në rast se do dërgoja mesazh për diasporën në USA, fillimisht do dëshiroja të përgëzoj të gjithë kolegët atje,.që ashtu si ne këtu ushtrojnë profesionin fisnik të mësimdhënies. Suksese dhe punë të palodhur më nxënësit tuaj! Ndërsa gjithë bashkatdhetarëve u bëj thirrje që të gjejnë mundësinë e të dërgojnë fëmijët e tyre në klasat e gjuhës mëmë. Gjuha amtare nuk është asnjëherë e tepërt dhe as e fundit në listën mësimore!
KUSH ËSHTË MËSUESE KETI BANDILLI?
Kam studjuar në Universitetin «Eqerem Çabej»në Gjirokastër në degën e mësuesisë. Ushtrova profesionin për 6 vjet në shkollën 8-vjeçare «Jakov Xoxa»në Fier. Në 1994 u largova për në Kretë të Greqisë ku dhe krijova familjen time.. Pasioni im ka qenë gjithmonë mësimdhënia. Ndoshta ka ndikuar fakti që gjyshja dhe mamaja ime ishin dhe ato arsimtare. Më kujtohet që e vogël luaja me një regjistër shkollor të gjyshes time, kujtim i saj kur doli në pension. E më pas kur u bëra vetë mësuese këshillohesha me mamanë time për punën me nxënësit. Angazhimi im si mësuese këtu në Kretë ka filluar në 1998 nëpërmjet programeve evropiane që aplikuan universitetet e Selanikut, Athinës dhe Kretës. Ushtrova mësimdhënien e gjuhës shqipe në tre shkolla 6-vjeçare të qytetit. Gjithmonë kam patur dhe kam një dashuri pa kushte për nxënësit e mi, buzëqeshjet dhe sinqeriteti i tyre shtonin alkiminë në komunikimin tonë dypalësh. Kjo ndodh gjithmonë… .Dua të përmend edhe vështirësitë që ekzistonin … një nga më tipiket ajo e mos frekuentimit të rregullt. Ishin 15 orë në javë, gjithmonë mbas mësimit të gjuhës greke. Këtu jam hasur më vështirësi duke humbur minuta të tëra duke mbledhur nxënësit që preferonin të luanin sesa të mësonin shqip. Ndërkohë duhej të fokusohesha tek nxënësit që më prisnin në klasë. Gjithsesi ndjehesha e bekuar që kisha në klasë plot nxënës që donin të mësonin.. Ata ishin shtysa ime për të ecur përpara. Nga ana tjetër isha e ndërgjegjshme që s’kemi të drejtë të detyrojmë askënd që të bëjë diçka pa dëshirë, edhe pse gabon. Paralelisht ndër vite kam ndjekur seminare të ndryshme të organizuara nga Universiteti i Kretës. Me shfaqjen e krizës ekonomike u ndërprenë dhe programet e mësimdhënies në shkollat publike.. Me sa duket nuk u rinovuan programet përkatëse. Gjithashtu jam angazhuar dhe privatisht me nxënës shqiptarë dy-gjuhësh. Gjithashtu kam punuar dhe vendas që kanë dashur të mësojnë pjesërisht gjuhën shqipe. Me nxënësit e shkollës «Fari i Dijes» jemi shumë të lidhur. Pjesa më e madhe janë nxënës që i kemi prej vitesh dhe kanë hyrë në zemrat tona. Përsëri dëshiroj tu drejtohem bashkatdhetarëve tanë që jetojnë e punojnë në qytetin tonë: Mos gaboni me fëmijët tuaj duke u hequr të drejtën të mësojnë gjuhën amtare! Jeni Ju që i drejtoni fëmijët tuaj,që të pajisen me «byzylykun « e përjetshëm, atë të gjuhës amtare!

Related Posts

Leave a comment