Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

I ka futur “tmerrin” SHBA dhe Europës, por pse TikTok nuk ekziston në Kinë?

download (50)

Të gjithë në Uashington po flasin për ndalimin e TikTok-ut pasi administrata Biden po e trajton aplikacionin, me pronarë kinezë, si një kërcënim për sigurinë kombëtare.

CEO i aplikacionit, Shou Chew dëshmoi më 23 mars për më shumë se 5 orë përpara një komiteti të Kongresit dhe një gjë ishte e qartë: Ligjvënësit amerikanë mbeten të bindur se TikTok-u është një kërcënim urgjent për sigurinë kombëtare.

Sipas CNN, një numër ligjvënësish shprehën skepticizmin e tyre të thellë rreth përpjekjeve të kompanisë për të ruajtur të dhënat e përdoruesve amerikanë. Asgjë nga ato që tha Chew nuk i zbeu shqetësimet e tyre rreth lidhjeve të kompanisë me Kinën.

Kjo do të thotë që gjasat janë që Uashingtoni të vijojë t’i përsërisë thirrjet për ndalimin e TikTok-ut nëse kompania nuk ndahet nga “prindi” i saj kinez.

Ku qëndron problemi?

Qeveria amerikane thotë se është e shqetësuar se Kina mund të përdorë ligjet e saj të sigurisë kombëtare për të aksesuar sasinë e konsiderueshme të informacionit që TikTok, si shumica e aplikacioneve të mediave sociale, mbledh nga përdoruesit e tij amerikanë.

Sipas ekspertëve ligjorë perëndimorë, ligjet në fjalë janë me një spekter jashtëzakonisht të gjerë. Ato kërkojnë që “çdo organizatë apo qytetar” në Kinë “të mbështesë, të ndihmojë dhe të bashkëpunojë me punën e inteligjencës shtetërore”, pa përcaktuar se çfarë do të thotë “punë e inteligjencës”.

Nëse Pekini fiton akses në të dhënat e përdoruesve të TikTok, SHBA druhet se informacioni mund të përdoret për të siguruar informacion mbi persona të angazhuar në hallka të rëndësishme të pushtetit në vend.

Për shembull, mund të ndihmojë Kinën të zbulojë veset, preferencat ose pikat e dobëta të një rekruti të mundshëm spiun ose objektivi shantazhi, ose duke ndërtuar një profilin e vizitorëve të huaj në vend duke i kryqëzuar ato të dhëna me bazat e tjera të të dhënave që ai mban.

Edhe nëse shumë prej përdoruesve të TikTok janë adoleshentë të rinj që në dukje nuk kanë asgjë për të fshehur, është e mundur që disa nga ata amerikanë mund të bëhen zyrtarë të qeverisë ose industrisë, historia e të cilëve në mediat sociale mund të jetë e dobishme për një kundërshtar të huaj.

Një shqetësim tjetër është mundësia që Kina të ketë akses në të dhënat e algoritmit të TikTok ose operacionet e biznesit, dhe mund të përpiqet të ushtrojë presion mbi kompaninë për të formësuar atë që përdoruesit shohin në platformë, ose duke hequr përmbajtjen përmes censurës ose duke nxitur përmbajtjen dhe propagandën e preferuar prej saj tek përdoruesit.

Kjo mund të ketë pasoja të mëdha për zgjedhjet në SHBA, politikëbërjen dhe diskursin demokratik.

Qëndrimi i Kinës

Në këtë çështje, qeveria kineze ka veton. Në dhjetor, zyrtarët kinezë propozuan ashpërsimin e mëtejshëm të rregullave që ndiqen për shitjen e algoritmeve të rekomandimeve të bazuara në përmbajtje për blerësit e huaj.

Algoritmet e TikTok-ut, që cilët i mbajnë përdoruesit të ngjitur pas aplikacionit, besohet se janë çelësi i suksesit. Këto algoritme japin rekomandime bazuar në sjelljen e përdoruesve të tyre, duke u servirur video që mund t’i pëlqejnë.

Rregullatorët kinezë i shtuan fillimisht algoritmet në listën e kufizuar të teknologjive në gusht 2020, kur administrata Trump bëri të ditur se do ta ndalonte TikTok-un nëse nuk shitej.

Megjithatë, analistët dhe ekspertët ligjorë besojnë se Pekini në fund të fundit mund të preferojë që TikTok të largohet nga tregu amerikan në vend që të dorëzojë algoritmin e tij.

Pas dëshmisë të dhënë nga CEO i aplikacionit, Ministria kineze e tregtisë deklaroi se shitja e detyruar e TikTok-ut mund të dëmtonte seriozisht besimin e investitorëve globalë në Shtetet e Bashkuara.

“Nëse lajmi për shitjen e detyruar është i vërtetë, Kina do ta kundërshtojë,” deklaroi zëdhënësja e ministrisë Shu Jueting në një konferencë për shtyp në Pekin, duke shtuar se çdo lloj marrëveshjeje do të kërkonte aprovim nga qeveria kineze.

TikTok, në pronësi të një kompanie kineze por në Kinë nuk ekziston

TikTok është i zhvilluar me teknologji kineze, por në Kinë është i paaksesueshëm. Në fakt, në Kinë nuk ka ekzistuar kurrë. Në Kinë është popullor një version tjetër i TikTok, një aplikacion motër i quajtur Douyin.

Të dy aplikacionet janë në pronësi të kompanisë kineze mëmë ByteDance, por Douyin ka dalë në treg përpara se TikTok dhe u bë viral në Kinë. Algoritmet e tij të fuqishëm u bënë themelet e TikTok-ut dhe janë çelësi i suksesit të tij global.

Megjithatë, dy platformat, të ngjashme në dukje, luajnë në fakt me rregulla të ndrshme.

Douyin është shumë popullor në Kinë ku numëron 600 milionë përdorues në ditë. Si TikTok-u, ai është një aplikacion me video të shkurtra.

ByteDance u themelua nga Zhang Yiming, një ish-punonjës i Microsoft, dhe u bë fillimisht i njohur për aplikacionin e tij të lajmeve, Jinri Toutiao ( Titujt e Sotëm), që doli në treg në 2012, pas kohë pas themelimit të kompanisë. Toutiao krijonte përmbajtje të personalizuar për cdo përdorues dhe njerëzit shumë shpejt u bënë të “varur”.

ByteDance aplikoi një formulë të ngjashme te Douyin. Më pas në 2017, kompania private kineze bleu një startup amerikan dhe nxorën në treg TikTok, si një version i Douyin përtej oqeanit. Po ashtu, kompania bleu edhe aplikacionin musical.ly dhe përdoruesit e tij i kaloi në TikTok në vitin 2018.

Që prej atëherëm TikTok është bërë global. Në 2021 aplikacioni arriti më shumë se 1 miliardë përdorues aktive mujorë në të gjithë botën.

Filtrat e bukurisë janë kudo

TikTok dhe Douyin janë të ngjashëm, por kur përdoruesit hapin kamerat, diferenca bëhet e qartë: Douyin ka një filtër automatik bukurie që rregullon tonin e lëkurës në fytyrë dhe formën e fytyrës. Kjo për t’u përshtatur standardeve të bukurisë në Kinë.

Kurse, TikTok i ka filtrat e bukurisë, por ato nuk aktivizohen automatikisht.

Douyin është krijuar për online shopping

Një tjetër ndryshim mes TikTok dhe Douyin është tregu masiv online i Kinës. Transmetimi i drejtpërdrejtë i shitjeve të produkteve është një industri që gjeneron miliarda në Kinën kontinentale dhe mori një shtysë e madhe gjatë pandemisë.

Douyin është një nga platformat kryesore për transmetime të drejtpërdrejta, së bashku me Taobao, tregu në internet i Alibaba-s i ngjashëm me eBay.

Blerja përmes aplikacionit bëhet lehtë: Produktet dhe zbritjet shfaqen në ekran gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta dhe blerjet janë një “swipe” ose një klikim larg.

Censura është e shfrenuar

Kina ka një nga regjimet më të rrepta të censurës në botë dhe Douyin duhet të ndjekë rregullat. “Watchdog-ët” e internetit monitorojnë dhe bllokojnë informacione të ndjeshme politikisht.

Related Posts

Leave a comment