Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Fatos Klosi: Sali Berisha nuk do të vijë kurrë në pushtet, ja goditja që do i japë Ilir Meta

-640-0-fatos-klosi-332

Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Klosi foli për paralajmërimin e fortë të ambasadores amerikane Yuri Kim për partitë politike, mesazhin amerikan për Sali Berishën, koalicionin e tij me Metën, përplasjet brenda Partisë Demokratike, zgjedhjet vendore të 14 majit, si edhe për çështjen e Kosovës me Serbinë, po ashtu dhe për luftën në Ukrainë.

Sipas Klosit, zgjedhjet e lokale i fiton bindshëm Partia Socialiste. Klosi shprehet se Meta është në pozita më të mira dhe do të përfitojë nga Sali Berisha me koalicionin për zgjedhje. Sipas tij, SHBA e ka “në dorë” Sali Berishën me të gjitha aferat e tij, pasi dosja “non grata” është e mbështetur me fakte dhe prova.

-Zoti Klosi, të premten që shkoi ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim iu kërkoi drejtueseve të partive politike që duhet të sigurohen që fushatat dhe aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe transparente. Drejtuesit duhet të sigurohen që listat e tyre të kandidatëve të përmbushin kërkesat e ligjit, si dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për kandidatë të pastër dhe me integritet të lartë. Si e shikoni këtë thirrje?

Një këshill e mençur që u ka thënë partive, pra zgjidhni njerëz të ndershëm që mos t’ju kthehen mbrapsht dhe të mos ju ndodhin probleme më vonë. Kjo është këshilla e saj për të gjitha partitë, por më shumë për PS mendoj, pasi kësaj të fundit i ka ndodhur dhe më duket në kohën e duhur se tani janë duke u zgjedhur kandidatët për kryetar bashkie për zgjedhjet e 14 majit.

-Po ashtu, diplomatja Kim risolli në kujtesën e partive politike dhe qytetarëve, edhe strategjinë e Presidentit Biden Kundër Korrupsionit, i cili identifikon kërcënimin unik që paraqet korrupsioni për demokracinë dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. A mendoni se ky ishte një mesazh edhe për Sali Berishën i shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit?

Është mesazh për të gjithë, pasi për Berishën nuk besoj se kanë më mesazh për ti dhënë. Për ta ai është një politikan që nuk i duhet vendit dhe sidomos Partisë Demokratike. Mesazhi është për të gjitha partitë dhe duhet të dëgjojnë më shumë partitë që janë më të rëndësishme, pra partitë e mëdha.

-Sipas jush, a ka SHBA dosje për Sali Berishën dhe të korruptuarit e tjerë?

Nuk besoj se SHBA shpallin non grata një person se duan ta shpallin kot, është një shtet serioz nuk e di si i mbajnë informacionet kanë dosje ose jo, por që mendoj se vendimi për të shpallur non grata një person kalon në shumë institucione.  Po ashtu, jam i sigurt që është një vendim i marrë mbi bazën e fakteve.

-Një tjetër zhvillim ka të bëjë me zgjedhjet lokale të 14 majit, teksa Partia Socialiste ka publikuar listën e kandidatëve, ndërkohë që edhe dyshja Berisha-Meta kanë listën e tyre, por nuk janë vetëm këta, pasi edhe Partia Demokratike zyrtare do dalë me listë të saj. Si ju duken emrat e propozuar dhe kush mendoni se do i fitojë zgjedhjet?

Sigurisht mendoj se do ti fitoj Partia Socialiste, sepse është një parti serioze dhe e kanë treguar në këto vite në bashkitë që kanë dalë fituese në vend që kanë punuar, ndërsa nga ana tjetër ata të tjerët janë të përçarë. Por, përveç partisë janë edhe kandidatët ata të cilët influencojnë mendjet e njerëzve nëse duhet që të votojnë apo jo për një parti. Unë jam i sigurt se fiton PS sepse opozita është në pozitat  më të vështira që mund të ketë qenë ndonjëherë dhe kjo e bënë të vështirë fitoren e opozitës në këto zgjedhje.

-Sipas jush, PD është e Berishës apo Alibeajt?

Partia Demokratike nuk është e askujt. Ashtu si janë bërë ata realisht nuk është e askujt. Është dukur se Berisha përkrahet nga shumica e demokratëve, por një parti nëse do të udhëhiqet nga Berisha është pa të ardhme në Shqipëri sepse nuk do të mbështetet nga SHBA. E quaj absurde ta mendosh si thotë Berisha se do vij në pushtet duke qenë non grata nga Amerika, pjesa tjetër me Lulin ka shumë për të bërë ose me Alibeajn që është i ri në këtë punë kanë akoma shumë punë për të bërë. Opozita është për të ardhur keq, për ta në fillim, por edhe për vendin tonë që nuk ka një opozitë. Kam dëgjuar edhe Belindin që është kandidat për Tiranën që ka thënë ca shifra që duket që janë gënjeshtra të pastra. A e ka idenë se Tirana është 1/3 e Shqipërisë dhe nuk flitet do bëjmë këtë dhe atë pa pasur asnjë eksperiencë.

-Demokratët kanë hedhur akuza se Ilir Meta po shfrytëzon marrëveshjen me Berishën për të tjetërsuar votat në favor të Partisë së Lirisë dhe në momentin më të parë, ai nëse do i jepte mundësia do tentojë të “vrasë’ politikisht Sali Berishën dhe të marrë frenat e opozitës. Keni një koment?

Janë problemet e opozitës këto, çdo parti edhe në një koalicion lufton për vete. Më duket një aleancë pragmatike sepse Berisha është pa logo dhe  pa të drejtën për tu futur në zgjedhje. Pastaj a po përpiqet Iliri të përfitoj normalisht, kjo është politika.

-Nga ana tjetër, një zhvillim i fortë ka ardhur nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila ka sekuestruar dy vilat e ish-gruas dhe partneres së ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. A mendoni se po troket ora e pandëshkueshmërisë dhe a rrezikohet që ish-ministri socialiste, Arben Ahmetaj të arrestohet për shkak se është përfshirë në aferën e inceneratorëve?

Nuk e di sa rrezikon, por kur merren vendime të tilla që ushtrohen kontrolle do të thotë se hetuesia ka shkuar larg dhe i sheh si të rëndësishme informacionet që mund të mbledh nga këto kontrolle. Më takon që të uroj SPAK që ka marr përsipër që të luftoj korrupsionin dhe i uroj punë të mbarë, por që SPAK është nuk është ai që vendos akuzën para gjykatës. Në të gjithë botën kolona më e rëndësishme e pushtetit është drejtësia, të gjitha konfliktet mes individëve dhe mes individëve dhe shtetit i zgjidh drejtësia.

-Ndërkohë dy pyetje të fundit, desha t’ua bëj për zhvillimet nga rajoni dhe bota. Duke u fokusuar tek takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në Maqedoninë e Veriut pak ditë më parë sipas jush kush fitoj nga marrëveshja e Ohrit, Kosova apo Serbia?

Uroj që të dyja kanë fituar. Duhet të fitojnë të dyja që marrëveshja të jetë serioze dhe e qëndrueshme dhe të harrohet kjo situatë konflikti nën zë. Të mos harrojmë se edhe serbët janë nacionalist se është një vend që ka luftuar shumë me armiqtë e vet shumë më herët sesa ne. Për të mirën e të dyja palëve duhet që ti lënë nacionalizmat që nuk të cojnë asgjëkund. Kurti që bëri deklarata të forta më në fund u bind nga partnerët ndërkombëtarë se nuk ka zgjidhje tjetër dhe duhet një kompromis, ku të dyja palët duhet të lëshojnë nga pak. Edhe ata kanë thënë  se ne do dalim garantë se asosacion serb nuk do jetë shtet brenda shteti dhe është merita e atyre partnerëve për tu bërë dicka. Të dyja palët kanë dituar diçka dhe duhet të fitojnë, janë europianët ata që kanë këshilluar të dyja palët se duhet bërë ky hap.

-Ka kaluar më shumë se një vit nga lufta Rusi-Ukrainë, ndërsa duket se paqja është larg dhe retorika deri në përdorimin e armëve bërthamore nga Moska sa vjen e ritet, kjo edhe pas urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata e Hagës për të arrestuar presidentin rus, Vladimir Putin. Si ju duket situata në syrin tuaj dhe a mendoni se konflikti do të shuhet?

Konflikti do të mbyllet, por nuk dihet se sa kohë do të kërkoj. Rusia është një vend i madh, por hyri në një luftë me llogari të gabuara, ai është shpallur në kërkim jashtë Rusisë, por edhe Ukraina edhe pse është një vend i vogël është duke u ndihmuar nga vendet e tjera dhe NATO.  Lufta bërthamore është e fundit, është shkatërruese për të gjithë njerëzimin. Duke qenë dy grupime, Rusia me ato pak aleatë që ka dhe Ukraina me mbështetjen e NATO dhe shteteve dashamirës me të do të bëjë që as njëra dhe as pala tjetër të mos ketë fitore të lehtë, por edhe si në Kosovë unë them se pa një kompromis kjo luftë nuk zgjidhet, Ukraina është shkatërruar, por edhe Rusia është shkatërruar ekonomia e saj nga sanksionet që janë vendosur nga disa shtete. Për mua kjo është zgjidhja që duhet gjetur një kompromis.

Related Posts

Leave a comment