Në Shqipëri, disa fermerë po kultivojnë këtë kulturë ende të panjohur për tregun vendas, bazuar në disa porosi të limituara. Spinaqi i kuq është unik në shije dhe në vlera. Ndonëse i rrallë për t’u gjendur në tregjet e fruta-perimeve, krahas shijes së tij të lehtë dhe delikate, ai është një burim fantastik plot vlera kurative për shëndetin.
Deri më tani, kemi mësuar, dëgjuar dhe treguar për përfitimet që vijnë nga spinaqi jeshil, por edhe i kuqi ofron një sërë benefitesh shëndetsore sidomos në kurimin e anemisë. Gjethet dhe kërcenjtë e spinaqit të kuq lëshojnë lëng të kuq që ka një ëmbëlsi, aromë dhe shije po aq delikate sa ajo e spinaqit jeshil. Sipas të dhënave në Shqipëri, disa fermerë po kultivojnë këtë kulturë të veçantë për të plotësuar kërkesat e limituara të disa restoranteve të shtrenjta në kryeqytet si dhe gjithashtu kërkesat e disa tregtarëve të huaj me qëllim eksportin e tyre.