Asnjë kontratë e re koncesionare nuk mund të jepet në këtë periudhë sa kohë që ligji po rishikohet. Me këtë propozim, deputeti Erjon Braçe kërkon që edhe rinovimet të ngrijnë deri në miratimin e rregullave të reja.
“Kam merak kohën, sepse gjatë kësaj periudhe është e padrejtë që të rinovohen e të jepen kontrata koncesionare të reja, ndërkohë që në fund të vitit ne ndryshojmë rregullat”, tha Braçe.
Edhe Partia Demokratike ka propozuar 4 ndryshime në ligjin për koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat, ku në thelb mbetet transparenca që nga firmosja e kontratave deri te shpenzimet dhe shërbimet për qytetarët.
Për Ministrinë e Financave, rishikimi i rregullave për koncesionet do të bëhet duke marrë në konsideratë edhe këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili kërkon analizë të thellë për kostot dhe përfitimet e çdo kontrate dhe kufizime që të mos venë në rrezik buxhetin e shtetit.