Arkivi Qendror Shtetëror, në 72 vjetorin e krijimit

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, festoi 72- vjetorin e krijimit të Arkivit Qendror Shtetëror. Fillimet e veprimtarisë arkivore në Shqipëri datojnë që nga antikiteti. Historia dëshmon se në bibliotekat që ekzistonin në shtetet ilire, në principatat feudale shqiptare, në shtetin e Skënderbeut, në shoqëritë patriotike e kulturore, në institucionet fetare, në firmat tregtare, në esnafët, në familje dhe individë të veçantë, krahas librave ruheshin edhe dokumente. Në materialin publikuar të mërkurën nga DPA, mes të tjerave thuhet se shpallja e Pavarësisë, më 1912 dhe krijimi i shtetit të pavarur shqiptar, krijoi kushte edhe për organizimin e punës për kujdes më të madh për dokumentet.

“Për herë të parë në histori vlerësimi i dokumenteve dhe administrimi e ruajtja e tyre gjen pasqyrim në aktin më të lartë normativ të shtetit. Në Kanunin e Përkohshëm të Qeverisë së Vlorës, u sanksionua veprimtaria e njësive të posaçme strukturore në organet e administratës shtetërore, për punën me dokumentet. Krahas këtyre masave nuk reshtën dhe përpjekjet për krijim e një arkivi qëndror”, thuhet në material. Dokumenti i parë që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, që bën fjalë për përpjekjet drejt krijimit të një Arkivi Qendror, është vendimi i datës 02.01.1932 i Këshillit të Naltë të Shtetit, për shqyrtimin e projekt-rregullores, për regjistrimin e ngjarjeve me rëndësi. Në këtë projekt-rregullore, parashikohej edhe krijimi i Arkivit të Përgjithshëm të Shtetit.

Lufta e Dytë Botërore, ngadalësoi nismat e marra nga organet shtetërore për arkivat. Përpjekjet për krijim e një arkivi qendror vazhduan edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në 1951, AQSH kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, varësi të cilën e ruajti deri në vitin 1962, kur u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit (sot Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave), në varësi të Këshillit të Ministrave.

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 − ten =