Bllokimi i llogarive bankare për ortakët dhe administratorët, antikushtetues

Ndryshimet në udhëzimin e procedurave tatimore, që sansionojnë urdhrin e bllokimit të llogarive bankare për ortakët, aksionarët apo administratorët e shoqërive në rast mos shlyerje të detyrimeve, konsiderohen antikushtetuese nga përfaqësuesit të studiove ligjore më me zë në Shqipëri.

Aigest Milo, partner ekzekutiv në kompaninë ligjore “KALO& ASSOCIATES” argumenton se ndryshimet bien ndesh në ligjin “Për procedurat tatimore” dhe atë “Për shoqëritë tregtare” dhe nga çdo gjykatë ky udhëzim duhet të shpallet i pavlefshëm. Z. Milo paralajmëron se zbatimi i tij jo vetëm që do të rris paditë e biznesit ndaj administratës tatimore, por edhe do t’u sillte dëme të mëdha sipërmarrjeve shqiptare.

“Problematika e ndryshimeve në pikën 90.1 të udhëzimit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” është paragrafi, ku përcakton bllokimin e llogarive bankare të aksionarit, ortakut dhe administratorit të shoqërisë, e cila është një përsëritje më e zgjatur e problemit që ka ekzistuar edhe më përpara. Pra, paragrafi i përfshirë në këtë udhëzim është i panevojshëm, pasi neni 99 i ligjit “Për procedurat tatimore” përcakton qartazi se kur i kalon përgjegjësia ortakut dhe administratorit, në rast të mos shlyerjes të detyrimeve.

Vendosja e këtij paragrafi në pikën 90.1 të udhëzimit i hap rrugë një abuzimi të tejskajshëm nga organet tatimore. Sigurisht do të jetë më i zbutur, pasi nëse më përpara e çonin automatikisht urdhrin e bllokimit, tani do të presin nëse do të paguhet diçka nga tatimpaguesit apo jo, por abuzimi vazhdon të jetë. Kjo pasi neni 99 i ligjit parashikon qartazi procedurat për kalimin e përgjegjësisë dhe për referencë të çon të ligji “Për shoqëritë tregtare”.

Në nenin 16 të këtij ligji sqarohen rastet se kur i kalon përgjegjësia ortakut dhe administratorit dhe ky është guri themeltar në legjislacionin tregtar shqiptar dhe ndërkombëtar. Parimi i mbrojtjes nga forma e shoqërisë, është bazë për çdo lloj aktiviteti tregtar në të gjithë botën. Prandaj ka shoqëri me përgjegjësi të kufizuar apo shoqëri aksionare që kanë qartazi një personalitet juridik të ndarë nga ortakët. Nuk jemi në rastin e një personi fizik tregtar që ka përgjegjësi të pakufizuar, midis aktivitetit tregtar dhe atij personal. Në rastin konkret nuk mund të transferohet përgjegjësia e shoqërisë te ortakët, dhe aq më tepër te administratori, që është një i punësuar i shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur përfshihen skenarët e nenit 16 të ligjit “Për shoqëritë tregtare”.

Ne kemi trajtuar shumë çështje gjyqësore kundër administratës tatimore pikërisht me këtë tematikë, pasi edhe në ato raste kur tatimet shohin që mund të jetë abuzuar me nenin 16, nga ortakët e shoqërisë apo administratori, nuk janë ato që vendosin penalizimet, por duhet t’i drejtohen gjykatës dhe vetëm pas vendimit të formës të prerë u jepet e drejta tatimeve të urdhërojnë bllokimin e llogarive të ortakut dhe administratorit të shoqërisë.

“Personat e përcaktuar sipas pikës 1 (ortakët, aksionarët dhe administratorët) mbajnë përgjegjësi personale ndaj palëve të treta, përfshirë edhe autoriteteve publike (ndryshimi këtu është bërë për administratën tatimore) vetëm nëse shkeljet vërtetohen me vendim të formës të prerë”, përcaktohet qartë në ligj. Edhe vetë ligji “Për procedurat tatimore” referon direkt te neni 16 i ligjit “Për shoqëritë tregtare”. Çdo shtrembërim vjen nga udhëzimi për procedurat tatimore dhe keqinterpretimi që i bën Ministria e Financave këtij ligji. Pra kështu siç është hartuar udhëzimi, është qartas i kundërligjshëm. Çdo gjykatë duhet ta shpallë të pavlefshëm këtë paragraf të udhëzimit, i cili është qartazi në kundërshtim të hapur me legjislacionin shqiptar.”

Nëse udhëzimi nuk shfuqizohet efektet e tij do të jenë të rënda për sipërmarrjen thotë z. Milo nga kompania ligjore “KALO& ASSOCIATES”. “Në praktikë asgjë nuk do të ndryshojë në qasjen e administratës tatimore ndaj këtyre procedurave. Jam i sigurt që organet tatimore do të vazhdojnë bllokimin e llogarive bankare në të njëjtën kohë, si ndaj tatimpaguesit, ortakut, aksionarëve apo administratorit, sepse është më se e qartë se administrata tatimore drejtohet nga praktika të gabuara dhe të mirë vendosura. Pra ky udhëzim do të sjellë situatën që kemi aktualisht, si: problematikë, shkelje të hapura, dhe dëm të madh për ortakët dhe administratorët, që do t’u bllokohen llogaritë bankare dhe nuk mund të bëjnë dot asnjë veprim që nga marrja e pagës, këstet e kredisë etj.”

Z.Milo rekomandon që ky paragraf të saktësohet më shumë nga Ministria e Financave ose nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, t’u dërgohet degëve rajonale një letër sqaruese se si zbatohet me korrektësi neni 99 i ligjit “Për Procedurat Tatimore”, ose në rast të kundërt do të kemi raste të shumta gjyqësore, në të cilat do të jenë Gjykatat Administrative ato të cilat do të marrin vendim mbi paligjshmërinë e kësaj pike në udhëzim.

Për ndryshimet e miratuara të njëjtën qasje jep edhe Sokol Nako partner menaxher i kompanisë ligjore “Wolf Thiess”. Zoti Nako thekson se ndryshimet në udhëzim janë antikushtetuese, pasi prekin barazinë midis ortakëve dhe aksionarëve që janë rezident dhe atyre jo rezident, si dhe penalizojnë pa analizuar ortakët dhe aksionarët.

“Pa provuar që çdo ortak apo aksioner që ka rol në administrimin e shoqërisë dhe si pasojë ka sjellë borxhin tatimor, është i padrejtë dhe bie ndesh me parimet kushtetuese. Sepse sjell përgjegjësi objektive (bën përgjegjës një individ që mund të mos ketë faj), dhe jo subjektive. Për më tepër kjo masë mund të sjellë diskriminim midis ortakëve apo aksionarëve që janë rezident në Shqipëri dhe atyre që janë jashtë Shqipërisë. Një masë e tillë nga kjo pikëpamje prek parimin e barazisë të përcaktuar në Kushtetutë.”

Sokol Elmazaj, konsulent ligjor dhe partner në “Boga&Associates” shkruan në një koment në faqen e tij zyrtare në Linkedin se “Qëllimi dhe fokusi për mbledhjen e detyrimeve tatimore brenda kufijve të ligjit është i mirëkuptueshëm. Megjithatë, neni 90 i Udhëzimit kapërcen kufijtë e nenit 99 të Ligjit për Procedurat Tatimore dhe shpërfill nenin 16 të Ligjit për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare, sipas të cilit është gjykata ajo që vendos nëse ortakët/aksionarët dhe/ose administratorët e shoqërisë tregtare kanë kryer ndonjë nga shkeljet e listuara në këtë nen. Fokusi i biznesit është harmonia mes ligjeve dhe zbatimi rigoroz i tyre. Në rastin konkret, kufizimi i përgjegjësisë së ortakëve sipas Ligjit për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare, për Sh.p.k. e Sh.a., një nga parimet bazë të së drejtës tregtare, shuhet në vështrim të Udhëzimit për Procedurat Tatimore”./ Marrë nga “Monitor”/

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 − one =