Deficiti buxhetor u financua me tepricën e likuiditetit të eurobondit

Deficiti buxhetor në tremujorin e tretë u mbulua pothuajse i gjithi me tepricën e likuiditetit të akumuluar me eurobondin.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar u rrit me vetëm një miliardë lekë, kundrejt një zgjerimi prej pothuajse 20 miliardë lekësh të deficitit buxhetor. Diferenca u mbulua pikërisht me tepricën e likuiditetit të akumuluar në tremujorin e dytë të vitit, kur qeveria shqiptare ndërmori një huamarrje intensive.

Në 6-mujorin e parë të vitit qeveria e rriti stokun e borxhit me pothuajse 150 miliardë lekë, nga të cilat rreth 43 miliardë lekë ishte shtesa në stokun e borxhit të brendshëm. Kjo solli një tepricë rekord likuiditeti në llogarinë e qeverisë, tepricë që në mesin e këtij viti ishte rreth 110 miliardë lekë. Teprica e likuiditetit bëri që huamarrja në tregun e brendshëm financiar gjatë tremujorit të tretë të kufizohej kryesisht në rifinancimin e instrumenteve të maturuara. Shtesa me një miliard lekë në huamarrjen e brendshme ishte rezultante e maturimit të pjesshëm të titujve afatshkurtër, me 1.7 miliardë lekë, kundrejt shtesës në emetime me 2.7 miliardë në tituj afatgjatë.

Kërkesa më e pakët për financim në tregun e brendshëm financiar ka bërë që yield-et të jenë përgjithësisht të qëndrueshëm në tremujorin e tretë të vitit. Yield-i mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm në fund të shtatorit ra në 3.71%, nga 3.75% që kishte qenë në fund të muajit qershor.

Pas një huamarrjeje mjaft intensive në tremujorin e dytë, në tremujorit të tretë qeveria e uli kërkesën për borxh. Në tremujorin e tretë, huamarrja mesatare mujore në tregun e brendshëm zbriti në 26.6 miliardë lekë, nga 30.6 miliardë lekë që pati qenë në tremujorin e dytë. Në pjesën dërrmuese, bëhet fjalë për rifinancime të instrumenteve të maturuar. Në tremujorin e fundit, pritet që vlera mesatare e huamarrjes mujore të qeverisë në tregun e brendshëm financiar të ulet më tej në 26.2 miliardë lekë.

Në fund të muajit tetor, Ministria e Financave raportonte një deficit buxhetor progresiv prej 65 miliardë lekësh. Ky deficit është 10 herë më i lartë krahasuar me 10-mujorin 2019, por sidoqoftë shumë më i ulët se shuma prej 107 miliardë lekësh që parashikonte akti i fundit normativ për rishikimin e buxhetit të vitit 2020. Kryesisht, kjo ka ardhur nga mosrealizimi i shpenzimeve, me rreth 48 miliardë lekë më pak se plani./ Monitor/

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × 2 =