“DIELLI I VOGËL”

Idajet JAHAJ-

(-vargje të Fatos Arapit- “Universi familjar”)

Të dashurit e zemrës, anëtarët e familjes, që nga gjyshi e gjyshja, nëna e babai, motra e vëllai, poeti i quan “Dielli i vogël”. Shkasin e merr nga nëna. E quan “diell të vogël”, nga trupi i saj i imtë, por që shpirti i saj është i madh, i madh, si dielli… E pastaj, tërësisht me këtë metaforë-epitet cilëson gjithë familjen, e cila shndrit në zemrën e tij si ai- Dielli i madh në kozmos.
Pra, është dielli i madh i rrethit familjar. Ai e ngroh dhe e ndrit poetin, në çdo hap të jetës së tij. Për atë mendon, trishton, përndizet nga dashuria, mediton e tejqyr spiralet e jetës. Malli, si një zjarr hyjnor, i përzhit fytyrën e rrudhat, i ngroh mendimin e zemrën. Për secilin, që nga gjyshi e gjyshja, ai thur kurora vargjesh e ua çon, qoftë me fantazi, qoftë edhe direkt, atje mbi varret e tyre. Dhe përlotet, derton. Këndon këngën brejtëse të ndarjes prej tyre. Shpirti kërkon copën e diellit të ikur.

Thur vargje të kulluara, figura të argjendta, me tingëllima të nikelta…Figurat pleksen si degëzat e yjeve për ata të shtrenjtë. Nëna “i është shndërruar e tëra në mall” e, me gjerdanin e shpirtit të saj, rrethon gjithë të tjerët.

Por le t’u referohemi vargjeve të tij për secilin nga “planetët e këtij dielli”, që nga gjyshi, të cilin poeti nuk e pa, sepse ai mbeti atje larg, në kryeqytetin e një vendi të huaj.

Në gjysmën e dytë të shekulli XIX gjyshi i tij mërgoi në Stamboll. Punoi shumë vite dhe atje vdiq. Koha tashmë “flet me gjuhën e heshtjes për ‘të”- thotë nipi i tij poet. Kujtimi i gjyshit lëkundet në sytë e nipit si fjollë ajri e argjendtë. Ka shkuar atje poeti, për ta gjetur varrin e gjyshit, por …”varret flasin me gjuhën e luleve”. Dhe tufën e tij e dërgon me dorën e shpirtit mbi varrin e gjyshit. “E shkrife diellin e Stambollit”- i thotë, teksa “syri i diellit të vërtetë u rrëzua pas kodrave”. Brenga i merr trajtë metaforash të përdëllyera. E miklon me zemrën e tij të re e kthehet në dheun e tij, në Shqipëri.

Gjyshja.”Ja dhe ti në arkëz- si kukull e vogël”. Ky zvogëlim përkëdhelie rrit dhembshurinë ndaj asaj, së shtrenjtës. Si kukull, pra, si “diell i vogël”. Malli i dallgëzon në shpirt. Hyn në përrallat që ajo i tregonte dikur. Ajo tashmë është e “Bukura e Dheut”! Arkëza i vezullon dritë… Dhe e pikturon në vargje “me shtiza e rreze në duar”. Nga degëzat e shpirtit të saj fluturojnë zogj dhembjeje e malli.

A nuk na flladit kështu poeti, duke na ngacmuar në kujtimet për gjyshet tona të ëmbla si “rreshka fiku” ? …
Babai. I ve në dukje këngën e zemrës së tij, si amanet: “Kur të vdes, dua një varr të thjeshtë, atje në Bregdet. Nëpër natë të dëgjoj këngë labe e fjalë valësh. Të dëgjoj bisedat e yjeve me qiparisat. Dhe fjalët e kaltra të detit matanë.
Dhe:

Një grusht dhé,
dy-tri copa qielli
e stërkala gjoli.

Poeti e ndjen se “çdo ditë që vjen, më çon më afër babait” Pra, atje, në tej-jetë, me kalimin e moshës. “Po zvogëlohem, thinjat më rëndohen”. Ja mrekullia: peshën nuk ia jep ndonjë pjese tjetër të trupit, por atyre, të pa-peshave- thinjave! Ngarkesa emocionale është e madhe.

Stili bisedor, intim, është karakteristikë e poetit të spikatur. Në këtë formë vadit lulet e figurave si misionare të mallit, të ngarkuara rëndë… Dhe kështu hijeshojnë pemët e vjershave, masivi poetik modern.
Nëna. I përsërit “e vogla, e vogla”. “Diell i vogël”. Si për të rritur vëllimin e madh të dritës në zemër. Merakun- nëpër bij’ e bija, nipër e mbesa shpërndarë. Loton për ‘të. Po heshtja e lotit është gjëmim në shpirt. “U rritën shpejt lulet mbi varrin e saj. Nga shpirti i saj”. Dhe e përfytyron: “duke iu ngatërruar këmba nëpër rrezet e diellit që hyjnë nga dritarja”.

Po motra? Motra? Kishte emrin Liri e si liria ishte e shtrenjtë. Një vajzë e hajthme, veprimtare e lirisë për vendin e për brezat brezat, në luftën e Çlirimit. Fokuson te ajo peshën e poezisë. Zhbiron dritën e mallit të vëllait për motrën. Pranë varrit i pëshpërit: “ Fryn erë me shi, motra ime”. Kështu, përzier me tufan e ka edhe shpirtin e tij. Nga pikëllimi për motrën e ikur.

Thirrori: “Motra ime” tingëllon në shumë vargje të poetit. Edhe kur kujton motrën tjetër të tij,- atë të idealeve të lirisë- Margarita Tutulanin: “Margarita moj, shoqja ime, moj, motra ime, moj”.Ndihet jehona e vajtimeve popullore, aq të thekshme. Emrin e motrës e dyzon, pra edhe me idealin. Atje te varrezat, mban qiririn e ndezur në duar. Ia vendos te kryet. Dridhet si flaka e druajtur e qiririt.
“U bëmë lot qiriri, motra ime- i pëshpërit me përshpirtje.-Takohemi vetëm në këtë ditë. Terri njeh vetëm gjuhën e dritës”. Fashë filozofike. Terri është vdekja, ndarja nga njëri-tjetri.”Drita” është filli bashkues i mallit.

U shuan qirinjtë e varreve pranë. Poeti bën një veprim domethënës: “Unë shkoj me qiririn tënd në duart e mia e i ndez qirinjtë e tyre”! Pra tej-çon shpirtin e saj ! Veprim madhështor metaforik. E prandaj skalit:

“Pak dritë prej shpirtit…

Ky ngroh zemrat, jetët.
Tashmë për Vllasin (vëllanë). Ky është më përpara në trajtimin poetik, por po e vendosim këtu,në vargun e “diejve të vegjël”. Me figurën e tij prekëse, poeti transmeton ide dhe mendime të sferës së ndërgjegjes njerëzore e sociale. Afishimin poetik e karakterizon një gjendje delirante loti. Ngashëren për vëllanë dhe shpalos meditime të thella. Ato ngrenë copa jete e kohe. Vëllai ka pasur përfundim tragjik. Poeti nuk shpjegon për këtë, por jep rrëzëllitjen e shpirtit për idealet e përbashkëta, ëndrrat dhe aspiratat në jetë. Nënvizon absurditetin që ka sunduar herë pas here në këtë vend, sa që shumë herë ka marrë jetë njerëzish. “Pse”- në e tij poeti e shtyn edhe në shkallë globi. Realitetin e pasqyron me nota kritike, duke hedhur edhe rreze për perspektivën e tij. Shigjeton të keqen, por farkëton fasha drite për ardhmërinë. Hap qiej të lirisë e të mendimit njerëzor.
Bulëza e lotit i feks si vesë maji. Dhe mendimet: “…Në të njëjtën qelizë- liria dhe krimi”. Qeliza është individi, shteti, deri edhe në shkallë globi. Fatosi operon shumë me objektet- mikro-universe. Pra, globi,-qelizë, dhe “i varur në qepallë…” Syri tej-qyrës i dallon në thellësinë e kësaj qelize-të mirën dhe të keqen. Por konkludon rolin gërryes të së keqes. Ajo del më e fortë. Kjo është tragjedia.

Për të gjitha këto meditime e arsyetime merr shkas nga fati tragjik i këputjes së jetës së vëllait të tij të dashur.

“…Veç shiu bujar të jetë gjaku yt”- i thotë në një varg. Zemra e vëllait ishte kristali i vesës që pasqyronte mëngjesin. Mëngjesin e kaltër të ëndrrave, të ardhmërisë. Bulëza e trëndelinës që aromëzonte idealet. Loti i poetit i miklon ato ëndrra, i kthen në petale mendimesh.

“…Ndjej vdekjen që po flet me vete. Këtu, në fatet tona, vetë tragjedia kishte humbur rrugën! E ne, pas saj, ishim e ardhmja e saj”.

I drejtohet vëllait:

“Ti- lumë atje poshtë,
Unë- lumë këtu lart”…

Dhe qajnë të dy. I vdekuri me të gjallin. Si në baladat përlotuese. Gjithnjë qan edhe për fatin e bashkë-kombasve:

“Të mjerët shqiptarë, me vdekjen në sy! Marrin Evropën me sytë nën këmbë!

Ç’ figurë: “Me sytë nën këmbë”! Një fantazmagori që përcjell mendim të madh. Politikat e përçarjes i bëjnë më dysh shqiptarët nëpër kohë. A thua- mallkim i zotit, që nuk shqitet nga kjo tokë? Ky meditim i poetit vazhdon tragjikisht edhe prej një shekulli shtet të vetin! Poeti ulërin për vëllanë, por edhe për shqiptarët, që marrin arratinë nëpër planet. A thua tragjeditë e Eskilit a të Shekspirit u ngujuan në këtë vend ?!

“ Në rrugë pa rrugë shqiptarët. Sytë e tu, vëllai im, janë dy liqene të menduar qiellorë”.
Dhe poeti i metaforës së thellë jep filozofinë ekzistenciale:

Ne jemi të ndërtuar prej substance prej nate të humbjes sonë” !

Pra, natë: sistemi, përçarja, mërgimi, ikja! Si çifutët në shkretëtirë, dhe prej kujt? Prej vetvetes? Prej qenies së një lloji? Dhe, thonë: Një race të zgjedhur, në një tokë të privilegjuar! Thonë…Poeti meditimin e shtyn në hapësira të gjera, në histori, në Universin tonë mijëravjeçar. Flatrat e mendimeve rrahin nëpër vjersha të ndryshme. Edhe në këto vargje për vëllanë. Kohën e quan “bishë që kruan kurrizin… në këtë kthinë të Mesdheut”.

Sërish në bisedë me vëllanë e vdekur: “Kujdes nënën! Të ka kërkuar nëpër ikona të vdekjes!” Ç’ religjion i madhërishëm! Ku zogjtë e zemrave fluturojnë. A nuk thoshte poeti i madh i një vendi tjetër:

Më vini në prehër të mëmëdhesisë,
Më lini të fle nën ikonë ?!…

Atje, te qielli i pavdekësisë. “Mos e lodh nënë,- i thotë vëllait.- Zëri i saj është bërë dhembje. Babai nuk është bërë harrim”. Pra, i flet Vllasit, vëllait të dashur, të bukur, të ëndërrt. Kujton babanë e tyre, Tolin, një patriot rilindës të zjarrtë. Kujton Lirinë- me fllade lirie në zemër. “Po ti s’ke vdekur,- i thotë vëllait.- Ti shkel mbi shkrumbin e humbjes sate”. Metafora të përkryera. Vëllai nuk vdes ndër kujtimet e të gjallëve! “Dhe zotin e vdekjes e sheh në sy”!

Në se natë është historia,
rreze drite janë thikat e mprehta!

A thua kosa e vdekjes do ta “zbukurojë” këtë vend?! Tragjikja e vargjeve të poetit arrin kulmin. Prandaj një dashamirëse e madhe e vendit tonë ka thënë: “Shqipëria-brenga e Ballkanit”. Dhe tash, në shekullin e ri- brenga e Botës,- shton poeti ynë. “Je guri prej jete”- i thotë së fundi vëllait. Nënkupton edhe brezat shqiptarë. “Lënda jote është jeta, mos-harrimi. Dhe …drita e shpirtit për këtë grigjë njerëzore.”

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

ten − one =