Ditëlindja e 84 e akademikut Rexhep Qosja/ Pse duhet kujtuar e uruar ditëlindja e profesorit të nderuar

Sot akademiku, shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Rexhep Qosja, i lindur më 1936, feston 84 vjetorin e lindjes së tij.

E në këtë ditë kaq të veçantë për të, ai ka marrë edhe dhuratën më të bukur. Bëhet fjalë për daljen në treg të romanit të tij më të ri, me titullin “Të fshehtat e treguara”.

Ai është autor i mbi pesëdhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Rexhep Qosja është një shkrimtar i angazhuar si rrallëkush tjetër me një zë të fuqishëm si intelektual, me një autoritet të padiskutueshëm. Me një përkushtim të deklaruar për t’i shërbyer kombit të tij, për ta ndriçuar dhe prosperuar atë, shpesh, shumë shpesh, Rexhep Qosjes letërsia dhe studimet e tij i duken të pamjaftueshme për këtë qëllim të lartë, ndaj dhe hidhet vrullshëm në publicistikë, jep intervista dhe bën polemika në shtyp dhe medie të tjera, pasi e ka kuptuar ndikimin që ka fjala e tij.

“Ju, i dashur Profesor Rexhep Qosja, jeni një ndër krenaritë e kombit shqiptar.
Një personalitet si Ju, me veprimtari të shumanshme; mendje erudite, me ndihmesa të shquara e cilësore në mjaft fusha: në historinë e letërsisë dhe të qytetërimit shqiptar, në historinë politike të shqiptarëve; veprimtar me vetëdije qytetare e kombëtare të lartë, i bëni nder kombit shqiptar dhe çdo shqiptari.
Ju jeni sot një ndër referencat më të rëndësishme të kombit shqiptar dhe të çështjeve shqiptare dhe një ndër pikëtakimet e kulturës e qytetërimit shqiptar me kulturën botërore.
Jam i lumtur t’Ju uroj në këtë përvjetor të ditëlindjes, si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, por edhe si një lexues i veprës Tuaj.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në urimin për Akademikun Rexhep Qosja.

ArbëriaNews.net dhe Shtypi.net i urojnë profesorit të nderuar shëndet fizik e shpirtëror. Kemi fatin kombëtar që të kemi historian të letërsisë dhe kulturës kombëtare, kemi fatin që jeton dhe jetojmë në të njejtën kohë dhe hapësirë.
Paç jetë të gjatë e të shëndetshme, të paçim mes nesh e me ne edhe vite të tjera bashkë me veprimtarinë Tuaj që mbulon hapësirat historike, letrare e gjithkombëtare!

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

19 − 4 =