DPA hap Këndet Arkivore në Dibër, Klos dhe Mat

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka hapur tre Kënde Arkivore, në Dibër, Klos dhe Mat, në bashkëpunim me secilën nga bashkitë e çdo qyteti. Këndi i Arkivor i Peshkopisë u prezantua nga drejtoresha e Evidencës Qendrore dhe Komunikimit në DPA Elsa Saka, në prani të kryetarit të bashkisë Shkëlqim Murja dhe përgjegjëses së Bibliotekës së qytetit Florinda Sela. Ky kënd është i akesueshëm në ambientet e Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli”. Më pas u çel Këndi Arkivor Klos në prezencën e përfaqësuesve të bashkisë dhe bibliotekës. Me mbështetjen e bashkisë ky kënd u hap pranë ambienteve të bibliotekës së qytetit. Edhe prezantimi i Këndit Arkivor në Mat u bë nga Saka në prani të nënkryetarit të Bashkisë Mat Hysni Zeneli, drejtorit të Pallatit të Kulturës Sokol Meta dhe punonjësve të bibliotekës së Burrelit. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ( DPA) shprehet se prej këtyre këndeve, çdo studiues merr shërbim të njëjtë si në sallën e studimit në Tiranë. “Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me këtë nismë ka për qëllim shtrirjen e Këndeve Arkivore në sa më shumë qytete brenda dhe jashtë vendit, që kërkimi dhe hulumtimi mbi dokumente të jetë për të gjithë njësoj dhe sa më i lehtë”, shprehet DPA, një njoftimin zyrtar.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave më parë ka hapur Këndet Arkivore edhe në Tetovë, Kërçovë, Ferizaj dhe Podujevë. Arkivi i shtetit shqiptar është institucioni më i rëndësishëm arkivor në shkallë kombëtare ku grumbullohen, ruhen, përpunohen dhe shërbehen dokumentet kryesore, që dëshmojnë për historinë e kombit dhe të shtetit shqiptar. Historia e arkivave në Shqipëri është e lidhur me historinë e kombit dhe të shtetit shqiptar, dhe është rezultat i proceseve dhe i fazave të zhvillimit të tyre. Në vitin 1951, Arkivi i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri në vitin 1962. Po këtë vit u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, në varësi të Këshillit të Ministrave.

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nineteen − seventeen =