ELITAT SI PROTEZË TË KAOSIT

Nga Xhemal AHMETI –
Shteti, identiteti, kultura, kombi funksionojnë në sajë të një konsensusi konstant, të cilin shumicat e konsiderojnë si themel të paprekshëm të (ko)ekzistencës së tyre.
Çka përbën këtë konsensus konstant në shoqëritë shqiptare? Gjuha, origjina, fetë, simbolika gjatë festave, veshja dhe forma e ngrënies, ritualet akrobatike të përkujtimit dhe rikonfirmimit të së kaluarës, lufta për mbijetesë, synimet politike apo çka?
Ashtu pa menduar gjatë shumëkush prej nesh që shkruajmë agorave thotë: gjitha këto! Po na kërkuan një përshkrim të këtyre “gjithave”, se si ato ndodhin në përditshmëri nga halli themi; “paj gjitha këto janë dinamike, të pakapshme, të lëvizshme”. Janë pra, sipas nesh, ashtu siç i definonin pitagorikët: gjëra jovendimtare (arrhetoi), irracionalitete (alogoi) që prodhojnë inkommensurabilitete (asummetroi) dhe broçkulla të llojit? Kaosi nuk përshkruhet? Nuk besoj se Descarte do të krijonte brenda vetes rendin (specifik personal) rigid se si të kërkojë të vërtetën pa qenë i aftë ta përshkruante kaosin jashtë që gërryente jetën e miliona njerëzve luftërave fetare. Ngase dinte ta përshkruajë në frymë atë që ndodhte jashtë vendosi të mendojë me vetëdije, në kërkim të një modeli sa më preciz të shpjegimit të botës. Domosdo se në këtë e sipër (shkundja nga memoria) polli edhe paradoksin dhe iluzionin – i cili u ndoq me besnikëri pastaj nga postmoderna – që sugjeron se e vërteta mbi kulturat, identitetet e botën u detektuakan pa u mbështetur në ndonjë narrative paraprake (qoftë edhe si konstruksion ose duke përdhosur ato pa ofruar një ndryshe). Të urtit tjerë nga Kanti e deri tek Foucault e Agamben prandaj riaktualizuan rëndësinë e “Dispozitivit”, të cilin Foucault në analizën diksursive të tij me të drejtë e trajton si histori apriori (ne duhet të bazohemi në një sistem vlerash të qena për të mundur të gjykojmë sjelljet sociale si normale apo abnormale që të dyja me vlerë të barabartë analize] ). Prandaj postulati i sociologut francez ishte “të bëhesh tjetri” (modifikim i atij të Nietzsches që thoshte “Bënu ai që je”) dhe që për esencë mendonte se s’ka identitet pa dije historike mbi tjetrin, shoqërinë, kulturën nëpërmjet të cilave mëson se kush je (prindërit, shkolla, sistemi, kultura) pa tu marrë e drejta të bëhesh ndryshe.
Agorave shqiptare vazhdimisht prodhojmë trajtesa e tekste që mëtojnë të përshkruajnë dromca të kaosit që sundojnë shoqërinë shqiptare. Kontribute, të cilat i gëlltit harresa pas disa orëve dhe përfundojnë si algoritme për delete humnerave të portalerisë virtuale. Me vetëm kaq e dimë se nuk përshkruhet kaosi. E ky as që do duhej të ishte synimi. Përshkrimi i kaosit pa kërkimin e portave se si të dilet nga ai është poaq zbavitje, poaq spektakël për shoqërinë sa edhe lajmi për të pasmet bombastike të ndonjë popdive që veçse nuk i eksplodojnë buzët dhe hundët nga silikoni dhe infektimet saherë shfaqet aty ku s’ka aparate klimatike.
Elitat nuk kanë të drejtë oreçast të difamojnë politikën, shtetin, për mungesë strategjish rreth atyre që i konsiderojnë vlera, duke u thënë se pa një konsensus konstant shoqëror nuk ec shteti, kombi, kultura pa e sjellë vetë kurrë një përshkrim monografik mbi temat si shteti, identiteti, religjionet, demokracia, që pastaj të sjell ndonjë model konkret se si mund të dilet fillimisht nga kaosi, cilat janë ato vlera apriori historike shqiptare dhe se në ç’ mënyre ndërtohet ai konsensus konstant shoqëror para se masat të nisen të ndihen si zombi të hutuar që për ëndërr kanë ikjen nga ai kaosi i shumëpërfolur.
Me një fjalë: “Elitat” janë kategoria që më së paku ka të drejtë të kërkojë llogari nga politika për kaosin – vetëm duke demantuar çdolloj narrative pa aftësinë të ofrojë diçka zëvendësuese – përkundrazi ajo del të jetë vetë fabrika prima e ushqimit të të njëjtit kaos.
Ndoshta Deleuze megjithatë kishte të drejtë kur shkruante (vlerësimet për Foucault) se gjitha anomalitë, të cilat ne i konsiderojmë si zona të kaosit (fashizmi, racizmi, nepotizmi, mizogjinia, homofobia, radikalitete politike e fetare) janë produkt i mungesës së mendimit, janë efekt i idiotizmit universal (në këtë rast të elitave shqiptare).

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

9 + thirteen =