Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Emigrantët e kthyer hasin vështirësi të mëdha për t’u rifutur në tregun shqiptar të punës

Capture

Një studim i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, që u publikua sot në Tiranë, thekson se emigrantët e kthyer në Shqipëri po hasin vështirësi të mëdha për ri-integrimin e tyre në tregun e punës edhe si punëtorë edhe si investues.

Shumica e tyre pohuan gjatë intervistimit se kthimi i tyre në Shqipëri ishte i përkohshëm, se ndjeheshin të zhgënjyer nga mungesa e politikave të ri-integrimit, dhe se ishin të pasigurtë për të ardhmen e tyre në atdhe.

“Shqipëria po shënon vitet e fundit një fluks të madh të migracionit të kthimit, kryesisht nga Greqia dhe Italia, ku gjendja ekonomike dhe papunësia e familjeve emigrante shqiptare u përkeqësua papritur për shkak të recesionit”, – theksoi nga studimi Armela Xhaho, hulumtuese e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Por edhe në tregun e punës të Shqipërisë emigrantët e kthyer ndeshën vështirësi të mëdha, edhe si punëtorë edhe si investues, theksohet në studim, ndërsa klimën e biznesit ata e vlerësojnë si të pafavorshme.

Shumica e të intervistuarve deklaruan se burokracia, informaliteti dhe korrupsioni janë pengesat kryesore për ri-integrimin e tyre në tregun e punës.

Ata theksuan se procedurat jotransparente të biznesit për investimet dhe kreditë e buta janë si pengesa serioze për riintegrimin e tyre në tregun shqiptar të punës.

Sipas studimit, asnjëri prej të intervistuarve nuk kishte marrë ndihmë financiare apo pako stimuluese pas kthimit të tyre në atdhe.

“Dështimi për të adresuar nevojat e menjëhershme të riintegrimit të të kthyerve përmes krijimit të një politike aftësuese dhe kornizës institucionale mund të përkeqësojë më tej dhe të dëmtojë potencialin e tyre zhvillimor” – thuhet në studim.

Përveç emigrantëve të kthyer me forcë nga shtete të tjera, për të cilët statistikat vlerësohen si më të plota, midis atyre që u kthyen vullnetarisht, rënia ekonomike ishte arsyeja mbizotëruese pas migrimit të jashtëm.

“Pavarësisht nga faktorët tërheqës dhe shtytës mbi vendimet e kthimit, pothuajse të gjithë të kthyerit përjetuan disa sfida riintegrimi, veçanërisht në lidhje me riintegrimin në tregun e punës.

Studimi zbuloi se asnjë nga të kthyerit nuk ka pasur mundësi të marrë informacion nga Sportelet e Migracionit dhe arsyeja ishte sepse ata nuk ishin në dijeni të ekzistencës së mekanizmave të tillë.

“Ata pohuan në intervista se e patën të vështirë të merrnin informacion, orientim dhe udhëzime rreth sektorëve të mundshëm ku mund të investonin kursimet e tyre. Po ashtu, ata kishin pak informacion mbi ligjet vendase për fillimin e një biznesi ose shërbimi publik për të kthyerit” – theksojnë autorët e studimit.

Ekspertët e IDM-së pohuan se të kthyerit e perceptuan mjedisin e biznesit në Shqipëri si të pafavorshëm, gjë që solli ndikime negative për biznesin e tyre.

“Politikat për tërheqjen e investimeve (të huaja) nuk bëjnë dallime ndërmjet sipërmarrësve migrantë ose investitorëve (të huaj), ndaj të kthyerit ndiheshin të zhgënjyer me politika të tilla. Ata u përpoqën për të përfunduar dokumentet dhe thanë se shteti ushtroi një politikë të ashpër ndaj tyre duke kërkuar dokumente” – thuhet në studim.

Emigrantët e kthyer mendojnë se shërbimet dhe informacionet ndaj tyre janë shumë poshtë standardit të dëshiruar dhe se shërbime të tilla janë të fragmentuara, kryesisht të bazuara në projekte.

“Nëpër intervistat e tyre shprehetet një retorikë negative dhe keqardhje për investimin në Shqipëri. Ndjenjat e zhgënjimit dhe pafuqisë ishin të pranishme tek të gjithë ata që kishin investuar në Shqipëri. Për shumë prej tyre kthimi në atdhe ishte i përkohshëm, ndërsa vetëm për disa të intervistuar prirja e kthimit ishte e përhershme” – thekson studimi.

Autorët vlerësojnë se mungesa e politikave të qarta të ri-integrimit mund të shërbejë edhe si faktori kryesor shtytës për riemigrimin e të kthyerve, përderisa shumë prej migrantëve ndihen mjaft të pasigurt për të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Megjithatë një pjesë e emigrantëve të kthyer konsiderohen nga autorët e studimit si investitorë potencialë dhe agjentë të zhvillimit ekonomik, ndaj ata kanë perspektiva më të mira punësimi në atdhe dhe komunitetet mund të përfitojnë nga aftësitë profesionale dhe që fituan jashtë vendit./VOA

Related Posts

Leave a comment