FSHF ua hedh fajin polakëve, UEFA nis shqyrtimi i provave

Federata Shqiptare e Futbollit mbajti dje një komunikatë për mediat, ku sqaronte pozicionin e saj në lidhje me ngjarjet e dhunshme të ndodhura në stadiumin “Air Albania” gjatë ndeshjes Shqipëri-Poloni, e mbyllur me fitoren e polakëve me rezultatin 1-0. Në atë takim, pas shënimit të golit të Polonisë në të 77’, pati momente të dhunshme nga tifozët, që hodhën në fushë dhe në drejtim të lojtarëve polak shishe uji dhe sende të tjera, duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes për më shumë se 20 minuta. Tashmë, ky incident do të jetë objekt shqyrtimi nga komisionet disiplinore dhe të etikës në UEFA, pra pritet një ndëshkim i rëndë për FSHF-në. Kjo e fundit dje ka mbajtur qëndrimin e saj, nëpërmjet një komunikate për mediat, ku jo vetëm e shfajëson veten me justifikime të tilla si “organizim jo perfekt”, por ka shkuar më tej, duke bërë përgjegjës grupin e tifozëve polakë që kanë provokuar dhe hedhur shishe uji apo dhe kanë thyer stolat e impiantit. Në fakt, tifozeria polake ishte po aq e dhunshme dhe hodhi objekte në fushë njëjtë sikurse disa segmente të tifozerisë tonë, por duhej pranuar nga FSHF që organizimi la për të dëshiruar, përderisa janë lejuar tifozë që të futen me sende të ndryshme dhe shishe uji në stadium.

Reagim me “qitje të largët” i FSHF-së

Reagimi i FSHF-së dje ishte me “qitje të largët”, që do të thotë se ajo jo vetëm nuk mori përgjegjësi direkte, por i kujtoi UEFA-s se në Shqipëri nuk kishte grupime tifozeria të përcaktuara huligane dhe të dhunshme. “Ndeshja na shfaqi gjithashtu disa probleme të rënda, që duhet zgjidhur dhe adresuar sa më parë. Incidente që nuk na nderojnë aspak ne, Shqipërinë dhe tifozët e saj të mrekullueshëm. Federata Shqiptare e Futbollit ishte duke punuar prej muajsh me UEFA-n në lidhje me një aktivitet të rëndësishëm sa i përket sigurisë në stadiume, edhe në kuadër të finales së Conference League që do të organizojmë në 25 maj 2022. Pas ngjarjeve në ndeshjen me Poloninë ky aktivitet bëhet edhe më emergjent, në mënyrë që të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në të tilla çështje të bëjmë më të mirën për organizimin e një ndeshjeje. Ne jemi të vetëdijshëm se incidentet e të martës në mbrëmje nuk na nderojnë. Duhet të nxjerrim të gjithë mësime sa na përket si organizatorë. Kishim 22 mijë tifozë të shkëlqyer dhe vetëm dhjetëra individë na njollosin gjithçka të mirë që skuadra ka bërë deri më tani. Një gjë është shumë e qartë: Ne nuk kemi tifozë të dhunshëm, nuk kemi një historik të tifozëve problematikë, përkundrazi sjellja e shkëlqyer dhe mbështetja që tifozët tanë japin në ndeshjet dhe jashtë fushe është bërë objekt krenarie për ne”, shkruan FSHF.

Akuza tifozerisë polake

Më pas vjen komenti që ngjall debat, ku akuzohen tifozët polakë. “Ngjarjet janë pasojë e një provokimi të vazhdueshëm, dhe një sjelljeje shumë agresive nga ana e tifozëve polakë që kanë goditur për gati 2 orë tifozët tanë në dy tribuna. Tifozët polakë njihen për të tilla sjellje dhe prej ditësh të gjithë autoritetet e përfshira në ndeshje kanë bërë maksimumin për të parandaluar ngjarje më të rënda”, thekson ndër të tjera FSHF. Ndërkohë, në UEFA po grumbullojnë materialin e kësaj ndeshjeje dhe po shqyrtojnë provat. Natyrisht që pritet një ndëshkim i rëndë për FSHF-në.

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two + 17 =