Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Gjendja e studimeve arbëreshe, në Kuvendin e organizuar nga QSPA

-800-0-60dea9ab1248d

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët bën me dije se organizon më 27-29 shtator, Kuvendin e parë të saj me temën “Gjendja aktuale e studimeve arbëreshe”. QSPA shprehet se ky tubim mëton të nxjerrë në pah arritjet e deritanishme në lëmitë e ndryshme të studimeve mbi universin arbëresh. Kjo sipas QSPA si në studimet gjuhësore, studimet letrare, etnografike, antropologjike kulturore, të çështjeve juridike që lidhen me statusin aktual të arbërishtes si dhe, të përpunojë një strategji pune të përbashkët me të gjitha forcat studiuese në të gjitha trevat shqipfolëse, por po aq edhe të gjithë albanologëve të huaj që kanë pasur e kanë në vëmendjen e tyre çështjen e Arbërisë. “Njëkohësisht, ky Kuvend mëton të dalë me një Rezolutë mbi perspektivat e ardhshme të zhvillimit të të gjithë këtyre problematikave.

Kuvendi do të ketë të ftuar, kumtues me emër e reputacion të spikatur në mjedisin studimor të këtyre lëmive, nga brenda dhe jashtë Shqipërisë”, shprehet Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët. Si një ndër aktivitetet e para të ideuara që në krijimin e QSPA, Kuvendi ishte parashikuar të mbahej në shtatorin e vitit 2020 dhe për shkak të pandemisë u shty fillimisht për në nëntorin e shkuar, e më tej në pjesën e dytë të këtij viti. Personalitete të fushave të ndryshme që kanë studiuar ndër vite botën arbëreshe do të bëhen së bashku në Kuvendin e shtatorit, i cili do të hapë rrugën e një cikli Kuvendesh Diturake mbi “gjakun tonë të shprishur”. Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) është institucioni kërkimor shkencor për diasporën shqiptare. Ajo kryen studime në fushën e historisë, letërsisë dhe të kulturës së komunitetit arbëresh. Në kuadër të kësaj qendre funksionon edhe Këshilli Koordinues, i përbërë me nëntë përfaqësues nga Akademia e Shkencave, Akademia e Studimeve Albanologjike, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, etj.

Leave a comment