Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Gjykata e Lartë bëhet me 9 anëtarë, kush është gjyqtari më i ri i dekretuar nga Meta

meta-7-757x450-757x405 (1)

Presidenti i vendit Ilir Meta ka emëruar anëtarin e 9-të të Gjykatës së Lartë, i cili është Asim Vokshi, dhe ka dhënë dhe një kronologji të përmbledhur të zvarritjes së plotësimit të vakancave në këtë gjykatë.

Në një sqarim të gjatë të presidentit Meta, është zbardhur dhe kronologjia që është ndjekur deri në emërimin e Vokshit si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Fillimisht Vokshi ka qenë gjyqtar në Kolegjin Zgjedhor, dhe sipas parashikimeve ligjore që ishin në fuqi atij i ndalohej ngritja në detyrë si dhe promovimi për pozicione më të larta.

Por pas ndryshimeve të bëra në mënyrë të njëanshme në Kuvend, emri i tij është propozuar nga KLGJ për të qenë pjesë e Gjykatës së Lartë, me një numër më të madh pikësh se kandidatët e tjerë.

”Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, shpreh rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Kuvendit të Shqipërisë, mbi vonesat e pajustifikuara të krijuara në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore, të cilat dukshëm të krijojnë bindjen se trajtimi ligjor dhe administrativ i procesit të promovimit në karrierë në Gjykatën e Lartë të gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit, të cilët ishin dhe anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, është zvarritur në mënyrë të qëllimtë,  duke i mbajtur ata nën presion të vazhduar politik, deri sa anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të përfundonin dhe të shpreheshin me vendim mbi procedurat ankimore që do t`u paraqiteshin si rezultat i ankimeve mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021.

Nëse KLGJ do të kishte vepruar me ritme më të shpejta në procesin e vlerësimit me pikë në këtë proces të ngritjes në detyrë të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, do të ishte shmangur çdo dyshim se procesi i promovimit në karrierë të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, është shtyrë në kohë, apo përmes ndryshimeve ligjore është deformuar, me qëllim për t’i mbajtur ata nën trysni të vazhduar deri sa të përfundonin procedurat ankimore mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021″, thuhet mes të tjerave në qëndrimin e Metës.

KRONOLOGJIA E PËRMBLEDHUR E FAKTEVE MBI PLOTËSIMIN E GJYKATËS SË LARTË ME TRUPËN E NEVOJSHME GJYQËSORE

Presidenti i Republikës SH.T.Z Ilir Meta,ka dekretuar emërimin e gjyqtarit më të ri të Gjykatës së Lartë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në datën 23 korrik 2021, ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zotit Asim Vokshi si anëtari më i rinë Gjykatën së Lartë, i cili është përzgjedhur për t`u emëruar në këtë Gjykatë përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.

Presidenti Meta, pasi u njoh me vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur për kandidimnë datë 09.07.2020, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përmes Dekretit nr. 13188, datë29.7.2021, ka vendosur që:

Zoti Asim Vokshi të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë bëhet me 9 (nëntë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë që duhet të ketë.

Në respektim të transparencës me publikun, vlerësohet me rëndësi të risillet në vëmendje kronologjiae veprimeve të KLGj-së dhe Kuvendit të Shqipërisë,si dhe qëndrimet e Kreut të Shtetit lidhur me këtë veprimtari.

Në datën 23 korrik 2020, Kuvendi miratoi ligjin nr.101/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, që vinte si rezultat i kontributit dhe marrëveshjes së palëve në datë 5 Qershor 2020, nëKëshillin Politik.

Ky ligj, në nenet 33 dhe 34 të tij, riformatoi tërësish nenet 146 dhe 149 të Kodit Zgjedhor, duke sanksionuar në mënyrë taksative mes të tjerash se, “Gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund:[…] b) të lëvizet nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershme për shkaqe disiplinore, organizimi gjyqësor apo ngritje në detyrë;[…]”.

Këto ndryshime në Kodin Zgjedhor, u përshendetën nga gjithë aktorët vendas dhe ndërkombëtarë, por dhe nga Presidenti i Republikës, i cili përmes Dekretit nr. 11573, datë 31.07.2020, shpalli menjëherë këto ndryshime ligjore, të cilat më pas u publikuan në Fletoren Zyrtare nr. 143, datë 4.08.2020, duke bërë që ndryshimet e miratuara me konsensus në Kodin Zgjedhor të hynin në fuqi në datën 19 gusht 2020.

Bazuar në këto rregulla të dakordësuara të Kodit Zgjedhor, Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11700, datë 6.9.2020 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin”, caktoi datën e zgjedhjeve për Kuvendin, në 25 prill 2021, ditë e diel.

KLGJ, në datën9 shtator 2020, hodhi shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Bazuar ne vendimin nr. 293, datë 09.09.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor janë:

Alma Kolgjoka
2. Asim Vokshi
3. Edlira Petri
4. Emona Muçi
5. Esmeralda Çeka (Xhili)
6. Gentian Medja
7. Manjola Xhaxho
8. Sokol Ibi

Por përgjatë kësaj periudhe, Këshilli i Lartë Gjyqësor me Vendimin nr. 245, datë 9.7.2020, kishte shpallur për kandidim pozicionin e lirë gjyqtar në Gjykatën e Lartë në fushën e së drejtës administrative. Aplikimet ishin të hapura deri në 30 korrik 2020. Aplikuan për ngritje në detyrë në këtë pozicion këta gjyqtarë të Gjykatave të Apelit:

Arbena Ahmeti;

Artur Kalaja;

Asim Vokshi;

Gentian Medja.

Kandidatja Arbena Ahmetaj është tëhequr nga kandidimi, ndaj dhe procedura e verifikimit të 3 kandidatëvepër plotësimin e kritereve të kandidimit, ka filluar me datë 7 gusht 2020 dhe ka përfunduar në4 dhjetor 2020.

Ndërkohë, mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë, pa dakordësi dhe në mënyrë të njëanshme realizoi ndërhyrje në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, të miratuara në Kuvend në datën 5 tetor 2020, përmes ligjit nr. 118/2020. Ky ligj përmes Dekretit nr.11797, datë 22.10.2020, u kthye nga Presidenti i Republikës, për rishqyrtim në Kuvend.

Nga këto ndryshime të njëanshme në Kodin Zgjedhor u prekën disa nene kryesore që lidhen posaçërisht me dakordësinë e marrëveshjes së arritur në 5 qershor 2020, ku ndërmjet tyre dhe neni 149 i Kodit Zgjedhor që garantonte mbrojtjen e posaçme që ligji u ofronte anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor.

Ky ndryshim nuk u pranua nga Presidenti i Republikës, ku pjesë e arsyetimit të Dekretit të Presidentit, në kthimin për rishqyrtim, ishte dhe antikushtetutshmëria e dispozitave përmes të cilave synohej ndikimi në pavarësinë dhe paanësinë e Kolegjit Zgjedhor, me synim kapjen politike të tij, duke shfuqizuar pikërisht togfjalëshin që ndalonte ngritjen në detyrë të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, gjatë ushtrimit të funksionit të tyre.

Presidenti i Republikës, në arsyetimin e Dekretit nr. 11797, datë 22 tetor 2020, (faqe 72-75) ndër të tjera do të citonte se:

“Si formë presioni dhe ndikimi ndaj paanshmërisë, objektivitetit dhe pavarësisë së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, është jo vetëm ndalimi i nënshtrimit të tyre ndaj hetimit a procedimit disiplinor, apo transferimi e vlerësimi i tyre negative në detyrë, por një formë që mund të paraqesë rrezik për  “kapjen” apo ushtrimin e ndikimit ndaj tyre, është dhe “ngritja në detyrë”.

Ky parim kaq i rëndësishëm, i paanshmërisë dhe pavarësisë së anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, parim i mbrojtur posaçërisht nga Zotimet ekzistuese për zgjedhje demokratike në shtetet pjesëmarrëse në OSBE, apo Kodi i Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore, cenohen rëndë përmes shfuqizimit të bërë në dispozitën e sipërcituar të togfjalëshit “apo ngritje në detyrë”.

Pra, nëse një ndikim direkt përmes masave penalizuese do të ishte shumë i zhurmshëm dhe i vështirë për t`u fshehur para opinionit publik, tashmë mazhoranca e vetme qeverisëse ka mundësuar një zgjidhje më të qetë e të lehtë: atë të kapjes së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, përmes propozimeve për ngritjen në detyrë.

Lidhur me këtë çështje, është për t`u evidentuar se, angazhimi dhe kërkesat zyrtare të Presidentit të Republikës në adresë të Këshillit të Lartë Gjyqësor për plotësimin sa më shpejt me 19 (nëntëmbëdhjetë) gjyqtarë të Gjykatës së Lartë kanë qenë të përsëritura dhe në mënyrë të vazhduar që prej muajit qershor 2019.

Ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor, edhe pse po mbush dy vite nga konstituimi i tij, me zvarritje të pajustifikueshme, deri më tani ka propozuar për emërim në Gjykatën e Lartë vetëm 3 (tre) kandidatë nga radhët e juristëve të spikatur në datën 5 mars 2020, të cilët u emëruan menjëherë nga Presidenti i Republikës në datën 10 mars 2020.

Pra, qartësisht propozimi për ndryshimin e garancisë për pavarësinë e Kolegjit Zgjedhor, ka si qëllim mbajtjen nën trysni të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, dhe jo shqetësimin për plotësimin e Gjykatës së Lartë.

KLGJ-ja ende nuk ka përfunduar procedurat e verifikimit dhe vlerësimit për plotësimin e 15 anëtarëve të tjerë të kësaj gjykate ku përfshihet dhe pozicioni i 4 (katërt) në Gjykatën e Lartë, që duhet të plotësohej nga radhët e juristëve të spikatur, procedurë kjo që po mbush 13 muaj dhe nuk është finalizuar ende.

Referuar kësaj gjendje dhe vonesave të pajustifikuara të procedurave të ndjekura nga KLGJ për plotësimin e vendeve vakant në Gjykatën e Lartë, parashikimi i ndryshimit të nenit 149 të Kodit Zgjedhor, që nga ana tjetër garanton procesin e zgjedhjeve të lira e demokratike, nuk mund të konsiderohet si pengues në plotësimin e Gjykatës së Lartë.

Edhe nëse fakti që disa aplikantë të zgjedhur me short si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, kanë aplikuar për t`u bërë anëtarë të Gjykatës së Lartë, përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, atëherë Kuvendi duhej të sigurohej që përmes kësaj ndërhyrjeje të siguronte zgjidhjen vetëm të kësaj pengese dhe përfundimin menjëherë të procedurave respektive nga KLGJ, dhe jo të ndërmerrte këtë nisëm shfuqizuese,duke lënë kështu një shteg të hapur për aplikim në vijimësi të këtij rregulli që anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, t`u ofrohet në vijimësi promovim në karrierë si shpërblim për qëndrimin që ata duhet të mbajnë.”

Ashtu siç në fakt pritej, Kuvendi i Shqipërisë nuk reflektoi, por në seancën e datës 29.10.2020, me vendimin nr. 64/2020, vendosi rrëzimin e Dekretit të Presidentit të Republikës, duke bërë të mundur botimin e këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në datë 3 nëntor 2020, dhe hyrjen në fuqi të ndryshimeve të njëanshme të rregullave të konkurrimit në Kodin Zgjedhor në 18 nëntor 2020.

Sipas ketyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor (neni 149), dy nga kandidatët aplikantë në këtë vend vakant, përfshirë këtu zotin Asim Vokshi, në periudhën 19 gusht 2020 – 18 nëntor 2020, nuk plotësonin kushtet e zgjedhshmërisë për anëtarë të Gjykatës së Lartë, pasi sipas ndryshimeve konsensuale tëKodit Zgjedhor të23 korrikut 2020, ishte e ndaluar ngritja në detyrë e anëtarëve që ishin zgjedhur pjesë e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor.

Ky kusht bllokues ra pas ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor të 5 tetorit 2020, ndryshim ky i kërkuar nga ministri i Drejtësisë. Presidenti i Republikës vëmendësoi dhe kërkoi reflektim nga Kuvendi gjatë procesit të kthimit të ligjit, mes të tjerash edhe pikërisht mbi hijen e rëndë të dyshimit që do të binte në pavarësinë e atyre gjyqtarëve që gjatë ushtrimit të mandatit të tyre si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, do të kandidonin edhe për t`u ngritur në detyrë.

Ky shqetësim u faktua nga ecuria e mëtejshme e procesit. Kjo për arsye se, procedura e verifikimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, që njëkohësisht përmes shortit ishin zgjedhur dhe anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, ka përfunduar nga KLGJ qënë4 dhjetor 2020.

Ndaj Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke qënë se kishte përfunduar procesin e verifikimit dhe të kualifikimittë të tre kandidatëve në garë, që prej 4 dhjetorit 2020, do duhej të vepronte më shpejt dhe i ka patur të gjitha mundësitë të zhvillonte procesin e vlerësimit etik dhe profesional të renditjes së tyre (proces ky që kryhet nga vetë KLGJ), dhe të dilte me njëvendimmarrje, përpara se Kolegji Zgjedhor të niste të ushtronte funksionin e tijvendimmarrës në mënyrë të plotë dhe normalisht,përpara nisjes së fushatës zgjedhore.

Në këtë mënyrë do të shmangej çdo hapësirë për dyshime mbi objektivitetin e punës sëatyre anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor,që njëkohësisht ishin dhe kandidatë për t`u ngritur në detyrë në Gjykatën e Lartë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, është një organ permanent që përbëhet nga 11 anëtarë, dhe që ka burime njerëzore dhe kapacitete të mjaftueshme për të realizuar në kohën e kërkuar procese të kësaj natyre të vlerësimit me pikë të kandidatëve.

Por përkundër kësaj qasjeje dhe nevojës jetike për plotësimin e Gjykatës së Lartë me trupën e saj pa vonesa, ashtu si dhe nevoja e shmangies së çdo mundësie për dyshime mbi paanësinë e anëtarëve të kësaj trupe, shqetësim ky që ishin ngritur nga Presidenti i Republikësqë prej muajit tetor 2020, rezulton se KLGJ ka realizuar procedurat e vlerësimit me pikëlidhur me kandidimin për anëtar të Gjykatës së Lartë tëkandidatëve që ishin njëkohësisht dhe anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, gjatë periudhës post zgjedhore, e që përkonte pikërisht me periudhën më intensive tëushtrimit të detyrës së këtyre gjyqtarëve mbi shqyrtimine ankimeve të subjekteve të ndryshëm politikëmbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021.

Kjo tregon edhe një herëe në mënyrë të përsëritur se, Këshilli i Lartë Gjyqësor, pavarësisht lëvizjeve politike të Kuvendit të Shqipërisë, nuk ka reaguar në kohën e duhur dhe me shpejtësinë që kërkonte kjo çështje, si për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, ashtu dhe në përmbushje të rolit dhe përgjegjësive që parashikon Kushtetuta në nenin 147, ku citohet se:

“Këshilli i Lartë Gjyqësor siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

Presidenti i Republikës që prej qershorit 2019, meshkresat nr.1778 prot., datë 06.06.2019, nr. 1778/2 prot., datë 03.07.2019, nr. 2718/1 prot., datë 15.01.2020, nr. 1117 prot., datë 09.03.2020, nr. 1117/2 prot., datë 10.04.2020, nr. 1473 prot., datë 04.05.2020, nr. 1473/2 prot., datë 15.05.2020, nr. 1671 prot., datë 22.05.2020,nr. prot. 3115, datë 15.09.2020,ka mbajtur gjithashtu një komunikim të vazhduar me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe institucionet e tjera, sa i takon çështjes së përfundimit të procedurave për propozimin e kandidaturave për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Presidenti i Republikës, përmes këtyre akteve,ka ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimet për gjendjen, vonesat dhe problematikat në procedurat e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, bërjen funksionale të kësaj gjykate, duke kërkuar njëkohësisht marrjen e masave nga ana e KLGJ-së për shqyrtimin dhe propozimin sa më parë të kandidaturave për plotësimin e të gjitha vakancave në këtë gjykatë.

Plotesimi i Gjykatës së Lartë me të gjithë anëtarët e saj është evidentuar si çështja më serioze dhe nga Komisioni i Venecias në Opinionin e tij nr. 978, datë 19 qershor 2020, “Mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”. Në këtë Opinion, veç të tjerave, në paragrafët 31, 67, 76, 85, 86, 87, 101, 104, dhe 108, është vlerësuar jo vetëm gjendja aktuale, por dhe rëndësia jetike që ka bërja funksionale sa më shpejt e Gjykatës së Lartë.

Pra mjafton ky vështrim kronologjik i të gjitha këtyre fakteve, për të kuptuar se Këshilli i Lartë Gjyqësor, një organ ky i mbledhur për herë të parë në 20 dhjetor 2018, ka paraqitur vonesa të pajustifikuara në shpalljen, verifikimin, vlerësimin e kandidatëve për plotësimin e të gjitha vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, ndërkohë qësiç faktet tregojnë, Kuvendi i Shqipërisë, nuk ka patur vullnet për të evidentuar problematikën reale për këtë çështje, por përmes ndryshimeve ligjore, vetëm ka justifikuar dhe mbuluar vonesat e KLGJ-së

Për këto çështje Presidenti i Republikës ka folur në mënyrë shteruese edhe përmes Dekretit nr. 13 023, datë 14.04.2021,“Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 45/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”.

Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës dhe me vullnetin që Gjykatae Lartë të jetë sa më shpejt funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh, nërespekt e përmbushje të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, ka vlerësuar të shprehet me Dekret për emërimin ezotit Asim Vokshi, si anëtari më i ri i Gjykatës së Lartë, por gjithashtu vlerëson të domosdoshme të bëjë edhe një herë thirrrje publike, për gjithë institucionet dhe aktorët se,

Pavarësia e sistemit të drejtësisë, sidomos për gjyqtarë të karrierës, duhet të garantohet jo vetëm në dukje, por në themel të saj.

Vetëm kjo rrit besimin e gjithë shoqërisë tek sistemi i drejtësisë që duhet të sigurojë në vijimësi një staturë që garanton pavarësi të gjyqtarëve dhe veprimeve të paanshme të shërbimit publik gjyqësor në tërësi.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe të gjithë institucionet e tjera shtetërore të përfshira në këtë proces, duhet të angazhohen seriozisht dhe jashtë çdo ndikimi për bërjen sa më shpejt dhe plotësisht funksionale të Gjykatës së Lartë.

Funksionimi me trupat e nevojshme gjyqësore të Gjykatave të Apelit, është me rëndësi jetike për vendin. Kjo pjesë e sistemit të drejtësisë është pranuar nga KLGJ dhe aktorët e tjerë se po shkon drejt kolapsit të plotë. Kjo situatë lidhet direkt me procesin e integrimit europian, stabilitetin e Shqipërisë, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, pjesë thelbësore të të cilave janë aksesi i plotë në sistemin e drejtësisë dhe dhënia e drejtësisë brenda një afati të arsyeshëm.

Prandaj përveç të tjerave, kjo duhet të jetë prioritet i punës së KLGJ-së dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Tiranë, më 30.7.2021

Related Posts

Leave a comment