Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

HAJDUTË APO SPIUNË?

hajdut spiune kompjuterik
Hetimet e fundit me sa duket po e lidhin skandalin e nxjerrjes së pagave me një histori spiunazhi. Në favor të Rusisë, shtetit që ka një nga agjencitë më profesionale të inteligjencës klasike dhe digjitale!
Media (sidomos ajo pro-qeveritare) po nxiton ta propagandojë këtë fakt me një qëllim të qartë: fashitjen e zemërimit dhe zhytjen në harresë të skandalit të dyfishtë – thyerjes së konfidencialitetit të një prej informacioneve më private të individëve dhe ynereve që zbuluan pagat tashmë të dala në shesh.
Nga Erion DASHO –
… Le t’i marrim me radhë:
Një shtet ku një punonjës korruptohet me 200 dollarë për të shitur pagat e gjithë të punësuarve publikë dhe privatë, nuk është shtet, por një bandë haxhiqamiliste. Madje edje banditi i famshëm i fillimshekullit të kaluar besoj e trajtonte me më shumë respekt informacionin.
Për të zgjidhur këtë problem, nuk mjafton të hetohet dhe të dënohet personi që shtypi tastierën, por ata që mbajnë përgjegjësinë për kuadrin ligjor dhe rregullator, konceptin e sigurisë kibernetike në AKSHI dhe kontrollin e përditshëm (me mekanizma digjitalë dhe analogë) të mënyrës se si zbatohen këto masa sigurie.
Për mendimin tim përgjegjësia fillon nga kryeministri që ka shtyrë përpara një agjendë digjitale pa u merakosur për faktin se nuk ka as fonde dhe as njerëz të aftë për ta konceptuar dhe zbatuar një masë të tillë transformuese.
Në një status të para disa ditëve e kam krahasuar nismën për Shqipërinë digjitale me koncertin në vitin 36 dhe ky krahasim besoj se mjafton që çdokush të kuptojë se përse bëhet fjalë…
***
Së dyti, informacioni i dalë në shesh tregoi anën më të errët të mënyrës se si qeveris forca politike aktuale.
Që prej ardhjes së saj në pushtet, ka patur akuza se promovimi i PPP-ve si masë “magjike” për të zgjidhur problemet e ekonomisë dhe industrisë së shërbimeve, është në fakt një mënyrë moderne hajdutërie dhe korrupsioni.
Njohja me sistemin e pagave të koncesionarëve e provoi këtë dyshim. Të fryra përtej çdo mase, disa prej këtyre pagave ishin edhe indikacione të qartë të abuzimit. P.sh. një i afërm i personit që merrte vendimin për të dhënë kontratën koncesionare paguhej dhjetëra mijëra euro nga i njëjti koncesionar. Ose një shofer në koncesionar (që mund të imagjinohet lehtë se kush e ka rekomanduar) paguhet më mirë se Presidenti i Republikës.
Kjo metodë vjedhje dhe korruptimi është denoncuar shpesh, por tashmë publiku ka edhe provat që katërcipërisht provojnë akuzat që deri më parë ishin hipotetike ose të njohura vetëm për një rreth të ngushtë njerëzish.
***
Skandalet e shumta që hapi skandali i nxjerrjes së pagave nuk mund të mbulohen me krijimin e një skandali artificial me shërbimin e sigurisë ruse.
Shërbimi rus që mendohet se ka aftësinë të komprometojë zgjedhjet amerikane, apo që para disa vjetësh bllokoi e-Estoninë, programin më profesional të digjitalizimit në Europë, nuk ka nevojë për një punonjës që korruptohet me 20 mijë lekë!
Me këtë paçavure sistem që ka ngritur Edi Rama me shokë, edhe një haker amator mund të hyjë dhe të bëjë lëmsh gjithë shtetin shqiptar.
Prandaj, në vend që të merret me filma me 007-të, prokuroria shqiptare bën mirë të hetojë hajdutët që kanë tetë vjet që zhvatin xhepat e shqiptarëve!
Ndërkohë t’u futë edhe ndonjë “pëllëmbë” kalamajve që kujtojnë se mund të ndërtojnë Shqipërinë digjitale sipas tekave të një të marri…

Related Posts

Leave a comment