Humbje që na pikëlloi, që përzishëm na mblodhi bashkë …

Nga Sadik BEJKO – 

Faslli Haliti ndërroi jetë në orën 15 të ditës së sotme.
Shkak u bë një goditje në zemër, goditje që u përsërit pas një viti, por këtë herë qe fatale.
Ai tani nuk është më.

Të dy me poetin Suljeman Mato dolëm nga shtëpia dhe e gjetëm veten pranë njëri-tjetrit.
Morëm në telefon dhe e ngushëlluam Nirvanën, të shoqen e mikut tonë Faslliut.
Si në kohë pandemie, Faslliun do ta përcjellë familja. Nuk do të ketë pritje tani për tani.

Pas këtyre kumtimeve nga Nirvana, me nga një gotë raki, (do të donim edhe me ndonjë qiri të ndezur për atë, por u ndruajtëm… ai është ende i papërcjellë në botën tjetër) ne ramë në kohët e shkuara, kohëra kur jemi parë dhe e kemi njohur njëri-tjetrin.
Kujtuam Faslliun djalë të ri, poezitë që shkruante, librat e botuar, ndëshkimet që pësoi, Lidhjen dikurshme të Shkrimtarëve, miqtë tanë poetë.
Kujtuam miqtë e brezit tonë tashmë të rrëgjuar e të mpakur. Dikujt i punojnë gjymtyrët për të lëvizur, por jo më ajo dora që shkruante prozë, poezi. Një tjetri duhet t’i shkosh te shtëpia për të pirë një kafe e për të shkëmbyer dy llafe. Ai ka në femur, në çapok, një shufër hekuri që i është ndryshkur dhe i rëndon sa një shinë treni.
Një tjetër ka shkuar në një shtëpi fshati, ku rron i veçuar. Një tjetër ka kapërcyer oqeane…dhe rron ku s’e gjen dot asnjeri.
Ja dhe Faslliu…
Ne tani kemi dhe një parcelë te varrezat ku shokët tanë të ikur, po arrite ti mbledhësh, mund t’u japësh nga një kafe a raki.

Jemi një brez që ikja e një miku, si ikja e sotme e Faslliut, mund të na vërë në mendime si atë bariun në mbrëmjen mbas furtunës që numëron krerët, edhe sa dele i kanë mbetur në vathën e tij?
Ne kujtuam më të mirat e poezive të miqve tanë. Po dhe më të mirat, më të imtat, më personalet, më intimet dhe të parrëfyerat ngjarje… ato që bëjnë jetën në përditshmëri dhe që humbin në pa kthim sa herë vdes një njeri… Humbje që na pikëlloi, që përzishëm na mblodhi bashkë … Dhe që nuk mund ta nxinte as kjo mbasdite, as kjo natë me kaq hidhtësi të trishtimit që rrjedh si shi…përbrenda nesh.

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three × two =