Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Këmbana që u “dëgjua” deri në Lidhjen e Kombeve

ilir-lluri

Nga Ilirian LLURI-

Viti 2021 shënon, 100-vjetorin e Meshës së Parë në gjuhën shqipe në Jug dhe 100-vjetori i përkthimit shqip të Kuranit. Nga Prifti i Parë Kombëtar Fan S. Noli , Papa Kristo Negovani dhe bekimi i Flamurit Shqiptar. AT Stath Melani: Koka në Athinë, trupi në Përmet, nuk u vra një prift, u vra një profet….

Ar Stath Melani/  Koka në Athinë, trupi në Përmet, nuk u vra një prift, u vra një profet.

 

Këmbana që u dëgjua deri në Lidhjen e Kombeve  1921-2021

100 – Vjetori i meshës së parë në gjuhën shqipe në Jug 

Teto Hasbieja nuk e dëgjoi jo vetëm të trokiturën e fortë në derën e shtëpisë, por edhe në dritaren e guzhinës që binte nga ana e rrugës. Ajo ishte një grua e thyer në moshë nga Shehajt e fshatit Çepunë, e cila ishte përkujdesur për tim atë, kur ai mbeti jetim nga nëna. Jeta e kishte përkulur ashtu siç tërheqim degën e një peme për t’i marrë frutat. E kishim mysafire. Shtëpia jonë kishte të njëjtën çati me të gjyshes sime nga ana e nënës, Aspasisë. Me gjithë merakun e saj se isha i vogël e mund të rrëzohesha, nëpërmjet një qepengjie u ngjita në tavan dhe duke shkelur nëpër trarë me kujdes, përmes një tjetre zbrita në koridorin e shtëpisë sonë. Teto Hasbienë e gjeta duke u falur në njerën nga dhomat. Po nuk ishte kjo arsyeja e mos hapjes së derës. Ajo kishte kohë që e kishte humbur dëgjimin. Mbeta shtangur tek dëgjoja disa fraza në një gjuhë të pakuptueshme. Ishte e para herë që shihja dikë tek falej mbi një shtrojë, me gjunjët mbështetur në një jastëk të vogël, shumë ngjyrësh. Kishim disa të tillë në shtëpi, të bëra nga duart e saj të rrudhosura.

Papa Kristo Negovani- Humelica

Përpjekjet e patriotëve shqiptarë për përhapjen e gjuhës shqipe kulmuan me një ngjarje tragjike. Në 12 shkurt të 1905 u vra i masakruar me thika nga një bandë greke prifti shqiptar Papa Kristo Negovani. Ai ishte djali i tregëtarit Harrallamb Çali nga Humelica e Gjirokastrës. Ndaj ishte krejt e natyrshme kur grupi polifonik i fshatit u paraqit në skenën e FFK 1978, me një këngë refreni i së cilës më ka mbetur ende në mendje; Papa Kristo Negovani/Papa Kristo Humelica

Fan Noli –Prifti i parë Kombëtar

Pas vrasjes së Bimbashit në Mars të 1908, çeta e Çerçizit u fsheh në pyllin e Sotirës në Dropullin e Sipërm. Brenda çantave me rroba dhe ushqime të dërguara nga Gjirokastra ishin edhe dy gazetat “Kombi” dhe “Drita“ e Sofjes. Ja si e përshkruan Mihal Grameno, kronikani dhe antari i vetëm i krishterë i çetës këtë moment;

Me të hapur gazetën “Kombi” sytë më mbetën tek i pari dhe i shtrenjti ynë, prifti kombëtar Fan Noli të cilin e kishin dorëzuar në Amerikë. Duke derdhur lot puthëm fytyrën e të bekuarit prift të Kishës Ordodokse Shqiptare. Nga gëzimi bërtisnim:- Rroftë Shqipëria ! Rroftë prifti kombëtar!

Kësaj ngjarjeje të madhe Grameno i dedikoi vargjet;

Beko uratë tinë, beko me ndihmë të perëndisë,

Që të çkëlqejnë përsëri, armët e Shqipërisë.

Me atë gjuhë që di ti, e kupton ç’do shqiptar,

Që të dërmojmë zgjedhën, e qënit barbar!

Tre vjet më vonë, në 11 qershor 1911 kryepeshkvi rus Imzot Platoni, në kishën Katedrale Ruse të Nju Yorkut dorëzoi për shqiptarët ortodoksë priftin tjetër shqiptar, At Naum Ceren nga Rehova e Kolonjës. Por do kalonin shumë e shumë kohë që kjo “erë” pro shqipes, të frynte brenda Shqipërisë. Në një artikull me titull “Franca duhet t’i ndihmojë shqiptarët” deputeti francez Justin Godart i cili vizitoi Gjirokastrën në 1921 midis të tjerash pohonte;

“Me gjithë propagandën e huaj që hyn fshehurazi nën robën e fesë, katolikët, muslimanët dhe ortodoksët para së gjithash janë shqiptarë. Në asnjë vënd nuk mbretëron toleranca fetare si në Shqipëri. Ditën e afërme kur do të formohet Kisha Ortodokse Kombëtare do të zhduket shkaku më i madh i turbullirave që vijnë nga jashtë.”                      “Lë Matin” 3 Qershor 1921 Paris

 

Prifti shqiptar- At Stafrovor Papapano

Stafrovor Papapano lindi në 1850 në Gjirokastër. Babai i tij Thimjo Çuçi nga Lekli i Tepelenës u largua nga vendlindja që në fëmini duke u strehuar në hauret e familjes Harxhi në Gjirokastër. Më vonë familja bleu shtëpinë e Pano Zhustit në lagjen “Varrosh”. Pasi mbaroi shkollën Stafrovori shërbeu si sekretar i mjekut Jani Vaja, djali i komandantit të Ali Pashë Tepelenës, Thanas Vaja po nga Lekli. Ai kishte mbaruar studimet në Universitetin e Pizës në Itali dhe ishte jo vetëm i pari mjek gjirokastrit, por ndoshta edhe shqiptari i parë i diplomuar në këtë profesion në Europë.

135 – Vjetori i Shugurimit Prift

Stafrovor Papapano punonte në një dyqan të vogël duke pasur si mbrojtje familjen e mulla Hamid Asqeriut dhe të djemve të tij. Paralelisht me punën në dyqan ushtronte edhe detyrën e sekretarit të mjekut Vaja, i cili e nxiti të shugurohej prift në vitin 1886. Aso kohe profesioni i priftit dhe mësuesit qenë të pandarë nga njeri-tjetri, ndaj edhe Stafrovori punoi si i tillë në fshatrat Pecë, Suhë dhe Shtëpëz. Shkonte shpesh në Rumani për të kontrolluar një pasuri të lënë nga gjyshi. Në Bukuresht u njoh me patriotët e kolonisë shqiptare si Nikolla Naco, Thoma Avrami e Pandeli Vangjeli. Në këto takime u ideua dhe u punua për çeljen e një kishe shqiptare, të cilën e konkretizoi Papa Harallamb Çalamani. Sa herë kthehej nga Bukureshti në Stamboll ku ishte vendosur familja në vitin 1897, Stafrovori çonte në shtëpi abetare, libra e gazeta në gjuhën shqipe të cilat i shpërndante në fshehtësi. Por po në fshehtësi prej tyre mësonte shqipen edhe djali i tij, Thomai.

Shpallja e Hyrietit – 1908

Pas shpalljes së Hyrietit në 1908, familja la Stambollin dhe u kthye në Gjirokastër. Këshilli i arsimit grek EFORIA e caktoi At Papapanon të ushtronte detyrën e priftit në një nga kishat e qytetit, ndërsa djalin e tij, Thomanë mësues në shkollën greke të lagjes “Varrosh”. Por ky vendim u anullua pasi, babë e bir morën pjesë në pritjen madhështore që ju bë Bajos dhe Çerçizit në qytet pas shpalljes së konstitucionit. Pas kësaj Mitropolia e Gjirokastrës e emëroi At Stafrovorin në një fshat minoritar të Dioqezës së Delvinës. Ai refuzoi të shkojë dhe u kthye në Rumani ku me përkrahjen e shqiptarëve të Konstancës, Peshkopi i qytetit e emëroi prift në Mangalie të Dobruxhes.

ILO MITKË QAFZEZI

 

Kthimi i familjes Papapano në atdhe

 

Në janar të vitit 1915 ai u kthye në Shqipëri. Pas pushtimit grek të Gjirokastrës familja e tij ishte vendosur në Vlorë nga frika e ndëshkimit, për shkak të aktivitetit patriotik. Djali i tij Thomai, në nëntor të 1908 kishte çelur në Gjirokastër shkollën e parë shqipe. Në skelë u prit nga At Stath Melani dhe At Dhamiani nga Berati, me karrocën e të cilëve udhëtoi drejt qytetit. Në Vlorë ndodhej dhe Peshkopi i Beratit, Joakimi, shqiptar nga origjina. Komuniteti ortodoks i Vlorës i kërkoi Peshkopit ta emëronte prift Stafrovorin, por pa rezultat. Familja Papapano u kthye në Gjirokastër e gjysmuar në nëntor të vitit 1916. Në Vlorë u ndanë nga jeta të dy gratë e shtëpisë. Stafrovori humbi gruan dhe nusen e djalit e cila ishte shtatëzënë.

P.s – Në 1917 bandat greke i prenë kokën At Stath Melanit dhe e dërguan në Athinë. Populli i këndoi;

Koka në Athinë trupi në Përmet/Nuk u vra një prift u vra një profet.

105 – Vjetori i emërimit prift në Gjirokastër

 

Në 1916 kur qyteti ra në duart e italianëve, At Papapano filloi të ushtrojë detyrën e kryefamulltarit në kishën e lagjes “Varrosh”. Ishte koha kur ceremonitë fetare bëheshin vetëm në gjuhën greke. At Papapano kishte meshuar në gjuhën shqipe, por jo në Shqipëri. Shpallja e Vidit mbret i Shqipërisë në 1914 u prit me entuziazëm nga të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Dhe kjo kish një arsye. Që pas vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët kishin përsëri mbretin e tyre.

Mesha për mbretin e dytë të Shqipërisë

Në 23 shkurt në kishën e Kostancës At Papapano Gjirokastra, lexoi në gjuhën shqipe një urim-lutje që u ndoq nga 2.000 besimtarë, shqiptarë, vllehë dhe konsuj të Fuqive të Mëdha.

Le t’i lutemi zotit!

Perëndi e etërve dhe Zot i përdëllimit. Ty të lutemi dhe ty të falemi përunjësisht për Mbretin tonë Vilhelm I – rë! Pushtetoje Atë mbi të lartin dhe të lavdëruarin fron të Shqipërisë. Lavdi Atit dhe Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, tani e për jetë të jetëve. Amin! Rroftë Madhëri e tij, Mbreti i Shqipërisë Vilhelmi i I-rë! Rroftë Shqipëria! 

 

Bekimi i Flamurit shqiptar-3 qershor 1917    

Në ceremoninë e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nën kurorën e Viktor Emanuelit nga general Fererro në kalanë e qytetit, mes autoriteteve të shumta publike dhe fetare, bie lehtësisht në sy ajo e priftit të vetëm shqiptar, At Stafrovorit. Pjesëmarrja e tij ishte domethënëse përderisa pas shpalljes së Protektoratit, gjeneral Ferrero i dha atij flamurin shqiptar për ta bekuar. Pasi puthi flamurin kuq e zi, prifti ju drejtua Zotit me këto fjalë: “Beko o Zot, flamurin shqiptar dhe vur nën këmbët e tij ç’do armik e kundërshtar”. Tre vjet më vonë në Vlorë, flamuri shqiptar triumfoi mbi armikun e tij të 1920, Italinë. Flamuri shqiptar u valvit përsëri i lirë, i vetëm mbi kështjellën shekullore të Gjirokastrës.

100 – Vjetori i meshës së parë në gjuhën shqipe në Jug -8 shtator 1921

“Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të shenjtë…” kështu fillon formula e pagëzimit e shkruar shqip në një dokument të vitit 1462. Por tingëllimi i saj në gjuhën shqipe u “harrua” gjatë pesë shekujve të pushtimit otoman. Është e njohur aksioma se në popujt e robëruar, liria gjëndet vetëm tek shpirti. Pas heshtjes së madhe, “Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të shenjtë”, tingëlloi përsëri shqip 100 vjet më parë në rrethin e Gjirokastrës. Shpirti i shenjtëruar i shqiptarit, trashëguar i pa prekur në shekuj, u “materializua” në formulën e shenjtë të bekimit nga Ati dhe i Biri, Stafrovori dhe Thoma Papapano në 8 shtator 1921 në kishën e Manastirit të Tërbuqit. Ky pohim të ngjan sot si një simbolikë e kërkuar, por në fakt është krejt origjinal dhe i natyrshëm kontributi që Babë e Bir dhanë për organizimin e meshës së parë në gjuhën shqipe. Të mbuluar dhe mbrojtur dikur nga e njëjta robë e çmuar e fesë, profesionet e priftit dhe mësuesit kishin kohë që ishin ndarë nga njeri-tjetri. Kështu kishte ndodhur edhe me At Stafrovorin. Ai mbeti prift, mësues u bë i Biri. Por gjithsesi kjo ndarje nuk ishte e plotë. Asaj i kishte munguar ajo ç’ka ishte më kryesorja, ceremonia shenjtëruese. Por realizimi i ceremonisë kishtare në gjuhën shqipe, kërkonte plotësimin e disa kushteve. E para ishte klima miqësore. Tërbuqi e kishte atë. Ai ishte fshati i gjyshërve të tyre, si për babanë edhe për të birin. Kushti i dytë ishin pjesmarrësit. besimtarët e parë u bënë 96 mësuesit që trajnoheshin në Kursin Normal tre mujor të gjuhës shqipe organizuar në fshatin Labovë të Zhapës, disa qindra metra mbi fshatin Tërbuq. Prifti i masakruar papa Kristo Negovani ishte mësuesi i parë shëtitës i gjuhës shqipe, ndërkohë që 100 vite më vonë mësuesit do të ishin jo vetëm pjesëmarrësit, por edhe mëkuesit e parë të dashurisë ndaj Zotit, i cili për herë të parë po i bekonte në gjuhën e nënës në kishën e Manastirit të Tërbuqit. Pas meshës u celebrua edhe Uji i bekuar.

100 Vjetori i kursit të arsimtarëve Labovë

Fatkeqësisht ne nuk kemi një dëshmi fotografike nga ceremonia e meshës së parë në gjuhën shqipe, por vetëm një foto në përfundim të Kursit të Arsimtarëve të gjuhës shqipe. Ajo na njeh me portretet e pjesëmarrësve në këtë ceremoni të shenjtë. Në qendër të saj ndodhet drejtuesi i tij, Thoma Papapano. Mesha u përsërit edhe të dielën e parë të po asaj jave në kishën e fshatit Tërbuq.

Këmbana që u dëgjua në Lidhjen e Kombeve

Ashtu siç ndodh me “zhurmën” që shpërthen pas zbulimeve të rralla arkeologjike në përgjithësi, edhe organizimi i Meshës së parë në gjuhën shqipe i kaloi kufijtë e Shqipërisë dhe Ballkanit. O Zot! Ishte artikuluar më në fund formula e shenjtë e gjetur e shkruar 459 vite më parë; “Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë! Amin! ”. Sot mund të duket e pabesueshme, por “tingëllimi” i këmbanës që ra në kishën e Manastirit të Tërbuqit u “dëgjua” deri në Organizatën e Lidhjes së Kombeve. Në Gjirokastër mbriti Sederholmi, një i dërguar i posaçëm i saj për hetime. Në takimin me At Papapanon ai përcolli mesazhin; “Mesha në gjuhën shqipe mund të bëhet vetëm kur të shpallet Autoqefalia e Kishës së Shqipërisë”.

Paradokse të kohës. Edhe vetë Zoti “komandohej” nga tokësorët që vendosnin se Kur, Ku dhe në ç’farë gjuhe do të fliste Ai. Shqiptarët pavarësisht shpalljes së Pavarësisë në 1912, do ta fitonin Pavarësinë territoriale në 1920. Por, Pavarësia më e vështirë për t’u fituar prej tyre me sa u provua, ishte ajo fetare. Ashtu si shpirti që dorëzohet i fundit. Megjithëse Dhjata e Re ishte përkthyer në gjuhën shqipe nga Vangjel Meksi qysh në 1820 në një ceremoni kishtare do të përdorej vetëm pas 101 vjetësh. Ky numur vitesh dikur nënkuptonte dënimin e përjetshëm për një njeri , jeta biologjike e të cilit po t’i shtosh edhe moshën e tij në kohën e dënimit, të bindte lehtë për këtë. Por jetëgjatësia e një libri është ndryshe. Dhjata e Re e përballoi dhe mundi të “çlirohet” nga dënimi me 101. “Era” që frynte për besimtarët e krishterë me sa duket po frynte edhe për ata muslimanë.

Nesër do lexoni:

-Përkthimi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe u mundësua nga Ilo Mitkë Qafzezi

– Shtëpia e At Papapano priti personalitete si Justin Godart, Fan Noli, Mitat Frashëri dhe antropologun e njohur zvicerian, Eugene Pittard.

Kisha e Manastirit të Tërbuqit, monument i çmuar i trashëgimisë sonë historike

 Në familjet e krishtera të qytetit, familja Papapano ka vuajtur shumë për çështjen kombëtare

-100 – Vjetori i përkthimit shqip të kuranit

 

 

 

 

-Përkthimi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe u mundësua nga Ilo Mitkë Qafzezi

– Shtëpia e At Papapano priti personalitete si Justin Godart, Fan Noli, Mitat Frashëri dhe antropologun e njohur zvicerian, Eugene Pittard

Kisha e Manastirit të Tërbuqit, monument i çmuar i trashëgimisë sonë historike

 Në familjet e krishtera të qytetit, familja Papapano ka vuajtur shumë për çështjen kombëtare

-100 – Vjetori i përkthimit të Kuranit në shqip

 

 

Ilirjan Lluri

 

100 – Vjetori i përkthimit të Kuranit në shqip

Përkthimi i parë i Kuranit në gjuhën shqip u mundësua nga Ilo Mitkë Qafzezi, i cili e përktheu nga anglishtja dhe botoi fashikullin e parë të Kuranit në shqip 100 vjet më parë në 1921 në Ploesht të Rumanisë. Fashikulli i dytë u botua në 1927 në Korçë. Të dy fashikujt kanë gjithsejt 157 faqe. Plani i tij ishte për të përkthyer e botuar katër fashikuj.

Matja e parë antropologjike

At Papapano ishte një nga personalitetet më të spikatur të Gjirokastrës, shtëpia e të cilit në fare pak kohë u kthye në një prej destinacioneve më të frekuentuara patriotiko – turistike. Ajo priti e përcolli miq të rrallë vendas dhe të huaj si Justin Godart, Fan Noli, Mitat Frashëri dhe antropologun e njohur zvicerian, Eugene Pittard. Madje ky i fundit i bëri At Papapanos edhe matjen antropologjike të kafkës së kokës duke shpallur se të dhënat, vërtetonin përkatësinë e tij shqiptare. At Papapano krenohej që shqiptaria e tij ishte vërtetuar edhe shkencërisht. E thënë gjirokastritçe, ishte vërtetuar se ai ishte shqiptar, kokë e këmbë.

Kisha  e Manastirit 100 vjet më vonë

Kisha e Manastirit të Tërbuqit, ky monument i çmuar i trashëgimisë sonë historike dhe kulturore sot është pothuajse i rrënuar. Nga këmbanorja e dikurshme ka mbetur vetëm gjysma e saj. Këmbanës që e shpunë në Hormovë për të dhënë sinjalet e “Alarmeve ushtarake”, tashmë nuk i dihet fati. Çatia dhe porta e hyrjes për në kishë janë rrënuar tërësisht. Po trishtimi bëhet akoma më i rëndë kur shikon se si brenda edhe jashtë godinës së mbetur të kishës, janë hapur gropa të thella në kërkim të thesareve. Çfarë kohe që jetojmë! Çfarë morali! A kanë mbetur ende njerëz që të besojnë se; thesari i vërtetë i kësaj kishe, gjëndet në një datë të thjeshtë kalendarike; atë të 8 shtatorit të 100 viteve më parë, kur përmes Meshës së shenjtë, At Papapano ju drejtua Zotit në gjuhën shqipe. Vlera e ”thesarit” bëhet edhe më e madhe po të shtojmë se, në jugun e Shqipërisë kjo ndodhte pas heshtjes pesë shekullore.

Memorial i munguar

Nëse në qytetin tim do të ngrihej një Memorial kushtuar rilindasve dhe patriotëve gjirokastritë që kontribuan për çështjen shqiptare, sigurisht që në të nuk do të mungonin figurat e Atit dhe Birit, Stafrovor dhe Thoma Papapanos, që dhanë shpirtin e tyre për çështjen shqiptare. Prifti i njohur u nda nga jeta në moshë të thyer në 14 shkurt 1939. Në ceremoninë mortore morën pjesë banorët dhe nxënësit e shkollave. Veç besimtarëve të krishterë, në kishë mbajtën llamballa (qirinj) të ndezur edhe hoxhallarët, baballarët dhe dervishët e teqeve. Gazetari Vangjel Koça i dedikoi këto fjalë At Papapanos;

“Uratë, jetën tënde të shumëvuar e karakterizoi kurdoherë një shqetësim kryesor i shpirtit dhe i mendjes; shqetësimi për lirinë shqiptare dhe për kishën kombëtare. Në familjet e krishtera të qytetit, familja Papapano ka vuajtur shumë për çështjen kombëtare. Në ato kohëra ishte trimëri e madhe të ishe shqiptar. Por ishte trimëri shumë më e madhe të ishe prift shqiptar…”

 

Këmbana e fëminisë

Porta e shtëpisë sime ndodhet përballë rrugicës që të çon në kishën ku 90 vjet më parë, At Papapano pagëzoi nipin e Bajos, Bajo Topullin e Ri. Të ishte vallë ky një mesazh për të evokuar të shkuarën e krishterë të shqiptarëve? Apo ishte thjesht një dëshirë e priftit për të rikthyer në kishën shqiptare një familje rrënjëse të qytetit, e cila e kishte ndruar besimin rrugës së gjatë të pushtimit otoman. Ndalimi i fesë në 1966 e “shurdhoi” këmbanën e kishës së lagjes “Pazar i Vjetër” ku u linda dhe u rita unë. Por ajo edhe pse e ç’vendosur disa dhjetra metra më tej, mbi kështjellë, përmes tingullit magjiplotë vijonte t’ju tregonte orën e saktë banorëve të tij. Ishte viti 1992 kur pas një turneu kulturor në Itali u ktheva në Gjirokastër. Aspasia, gjyshja ime dergjej në shtrat e sëmurë duke rënkuar. U përkula mbi të, mbi “djepin” që kishte përkundur fëmininë time dhe e putha në ballë. Fjalës sime shpresëdhënëse, – Mana, (gjyshe) do të bëhesh më mirë, ju bashkëngjt refreni zëshuar – O zot shpëtomë! Vetëm kur u ngrita prej saj, kuptova që gjatë përkuljes, kryqi që kisha varur në qafë si dhuratë nga motra italiane Lice Conti, kishte rënë mbi buzët që i dridheshin. Duke puthur dhimbshëm një nga kryqet e krishtera, atë të kishës katolike, ajo i lutej Zotit për shpëtim, në gjuhën shqipe. M’u kujtua teto Hasbieja dhe lutja e saj në arabisht. Pavarësisht besimit të ndryshëm, ato kishin një sjellje të njëjtë. Gjatë ritit të lutjes shihnin lart, nga tavani i shtëpisë mbi të cilin ishte “qielli” i përbashkët i dy shtëpive tona. “Qielli” ku dy gjyshet e shtrenjta gjenin pa kurfarë pengese njera Krishtin dhe tjetra Muhametin.   

Ilirjan Lluri Unioni i Gazetarëve Gjirokastër

Ps. Mbështetur në materiale të AQSH. Falënderoj studiuesin Niko Kotherja për ndihmën e afruar.

Leave a comment