Kriza e pandemisë prek edhe superfuqitë botërore, rriten çmimet e mallrave të konsumit në SHBA

Çmimet e mallrave të konsumit në Shtetet e Bashkuara u rritën 5% në maj krahasuar me një vit më parë, përqindja më e lartë vjetore e inflacionit në gati 13 vjet, njoftoi të enjten Departamenti i Punës.

Rritja e çmimeve, në mënyra të ndryshme, lidhet me rimëkëmbjen e vendit nga pandemia e koronavirusit. Kompanitë po rrisin çmimet ndërsa konsumatorët, shumë prej tyre me para shtesë nga ndihma qeveritare, po frekuentojnë përsëri restorantet, po shkojnë në pushime dhe po blejnë mallra të konsumit me kosto të lartë.

Çmimet u rritën 0.6% nga prilli në maj. Çmimet e makinave dhe kamionëve të përdorur patën ndikimin më të madh në këtë rritje. Çmimet e mobiljeve dhe artikujve të veshmbathjes, së bashku me çmimet e biletave të linjave ajrore, gjithashtu kontribuan në rritjen e indeksit të përgjithshëm të çmimeve të mallrave të konsumit.

Mungesa e çipave kompjuterikë ka ulur ritmin e prodhimit të makinave në SHBA, duke shkaktuar rritjen e çmimit të makinave të reja dhe atyre të përdorura.

Çmimet e udhëtimit me avionë dhe kostoja e dhomave të hotelit janë rritur ndërsa konsumatorët po fillojnë të udhëtojnë përsëri. Çmimet e artikujve ushqimorë gjithashtu janë rritur ndjeshëm.

Përkundër kostove të rritura për konsumatorët, zyrtarët financiarë amerikanë thonë se për momentin ata nuk janë të shqetësuar për efektet afatgjata dhe presin që çmimet të zbresin në muajt e ardhshëm. Rritjet e vazhdueshme, thonë ata, përllogariten duke bërë krahasime me çmimet më të ulta në kulmin e pandemisë një vit më parë.

Banka qendrore e Shteteve të Bashkuara, Rezerva Federale, ka mbajtur normat e interesit në gati zero për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia.

Fundjavën e kaluar, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha se inflacioni mund të arrijë deri në 3% për vitin 2021, një shifër e lartë për SHBA-të, ekonomia më e madhe në botë. //VOA

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × 2 =