LETËR BEKIM FEHMIUT!

Nga Miho GJINI-
Jemi më 1968, xhirohet filmi “AVENTURAT E ODHISEUT”, ku Irena Papas (Penelopa) dhe Bekim Fehmiu (Odhisea), luajnë rolet kryesore. Në kohë pauze, disa gazetarë i kishin parë se si të dy komunikonin në një gjuhë krejtësisht të huaj për ata. Të pushtuar nga kurreshtja, njëri prej tyre i pyet:
-“Më falni, por cila është gjuha që ju po e flisni”?
Irena Papas (Irini Leleku) e prek në dorë Bekim Fehmiun, që ta linte të përgjigjej:
-“Është gjuha e nënës”.
-“Gjuha e nënës? Po cila mund të jetë ajo gjuhë e nënës kur ju jeni greke e Bekim Fehmiu jugosllav”? – gazetari.
-“Unë jam shqiptare nga Greqia kurse Bekimi shqiptar nga Jugosllavia por më e rëndësishmja është se ka qenë vullneti i vetë zotit qe ne të dy t’i luajmë këto dy rrole sepse dikur edhe vetë Penelopa dhe Odhiseu kanë folur po të njëjtën gjuhë që e flasim unë e Bekimi sot”.
-“Por historia thot se ata ishin grekë”, ia ktheu gazetari i habitur!
-Po mirë pra, edhe ti tani je duke më konsideruar greke edhe pse nuk jam greke”, i ishte përgjigjur Irena.
Rai Uno -1974
“Kumanova Maqedonia Ndryshe”
Miho Gjini(Po. E vertete. Pas dhjete vitesh nga kjo ngjarje, e kujtoj ate per mes episodi te dhimbshem me 28 dhjetor 1978.)
LETËR BEKIM FEHMIUT
Shkruar në burgun e Tepelenës (1978)
I dashur Bekim. Më lejo të të thërras kaq thjesht e të të quaj
“i dashur”. E ndiej veten të vetmuar, të harruar nga bota, por,
kur përmend emrin tënd, sikur bëhem më i fortë e sikur gjendem
më pranë dashurisë njerëzore…
Unë këtu ndodhem në burg. Qenia ime është e zhytur afro dy
metra nën tokë dhe shoh fare pak qiell të copëtuar përmes
hekurave që ndodhen afër tavanit. Është dimër, një dimër i
trishtuar me shi e me erë, që të përcjell në shpirt një drithërimë të
ftohtë. Pas dy ditësh është Viti i Ri… Çfarë tmerri! Unë
përgatitesha të shkoja të nëna ime plakë e te babai i moshuar. U
kisha blerë disa dhurata e disa ushqime me ato pak para gjaku
që fitoja në minierën ku më kishin përplasur si dënim. Isha i
internuar. Sidoqoftë, pasi dilja nga nëntoka, thithja ajër me gjithë
mushkëritë e ndjeja një pjesëz të lirisë sime. Mirëpo, gëzimin tim
e prenë në mes: më lidhën duart me hekura dhe më sollën këtu
në qeli, të shoqëruar me civilë të armatosur.
Të gjitha i harrova për një çast. Më dukej sikur një shok vigan,
më shtrëngonte trurin. Prangat m’i hoqën dhe gjurmët e unazës
së hekurt ravijëzoheshin mbi damarët e duarve. Në qeli ka pak
dritë. Është ende mugëtirë… Dhe ja, fytyra jote m’u shfaq në
ekranin e bardhë të qelisë time. Pas disa sekuencash, t’i
zhdukesh për një çast dhe një fytyrë e rrumbullakët me një
nishan poshtë syve duket plot ironi. Ai skërmit dhëmbët si me
qesëndi dhe më thotë: “Ti i pandehur ke lavdëruar artistët e
huaj. Ke ngritur në qiell emrin e Bekim Fehmiut. E ke quajtur
artist të madh këtë jugosllav, këtë borgjez, që… që… Hë, pa do
flasim… Mendohu. Dhe mos harro! Krimi yt fillon me Bekim
Fehmiun!”
Po, i dashur. Krimi im fillonte me emrin tënd. Pas dëshpërimit
të parë dhe tronditjes së arrestimit çdo gjë m’u bë e qartë, si në
këtë ekran të bardhë të qelisë time. M’u kujtua se si një djalë i ri
më pat pyetur për artistët e mëdhenj të kohës sonë dhe unë i
përmenda emrin tënd si njeri e si artist. Dhe as që më shkonte
ndër mend që pikërisht kjo thënie, ky përcaktim që të ka dhënë
njerëzimi, falë talentit tënd të shquar do të përbënte një nga
akuzat e rënda politike ndaj meje. Dhe kështu ndodhi. Unë tani
ndodhem i dyzuar: me qenien tënde dhe botën tënde të
mrekullueshme. Karshi nesh qëndron hetuesi, një burrë i
shkurtër, tullac, mbi fytyrën e të cilit nxin një nishan i madh, si
një kancer vdekjeprurës.
Ti kishe veshur një kostum të bardhë sportiv me komça
metalike, që ta nxirrte më në pah trupin e hijshëm prej atleti.
Ishte hera e parë që ndodheshe në Shqipëri dhe ti po flisje kaq
ëmbël e me kaq thjeshtësi për jetën tënde. Mbas pak çastesh ne
do të shikonim në Kinostudion “Shqipëria e re” premierën e
filmit tënd të ri “Aventurat e Uliksit”. Ti, një artist shqiptar, biri
i Kosovës martire, ishe interpretues i kryerolit të veprës homerike,
nën regjinë e një regjisori të shquar italian. Dhe për fat të lumtur,
edhe partnerja jote e mrekullueshme, interpretuesja e Penelopës,
e famshmja Iren Papas, ishte edhe ajo shqiptare me origjinë
nga Korça. “Me Irenën – the ti, – kam folun shkip sa jam shkep”.
Meditimin ma trembi llozi i hekurt i derës së qelisë që u hap
me forcë. Përtej figura e policit. “Eja, i pandehur, në hetuesi!”
Ishte natë. Një natë rrëqethëse dimri. Dy minj që para pak
minutash më bënin sehir mua, të strukurin nga të ftohtit në qoshen
e qelisë, dhe të mbledhur kruspull me batanijen e hollë, u trembën.
Hyj në hetuesi dhe shoh vetëm pjesën pa flokë të kokës së hetuesit.
Ulem karshi tij në një karrige të betonuar. Gjithçka këtu ishte e
betonuar, tavolina, një karrige afër saj. Edhe vetë figura e hetuesit
m’u duk po ashtu, e betonuar dhe e ftohtë, si një copë e prerë nga
akullnajat. Hetuesi, pa më parë fare, kërkon të zhbirojë trurin
tim për të shpalosur mbi tavolinën e tij krimin kundër shtetit.
“Ti. – thotë, ai, – je mbrojtës e propagandues i flaktë i artistëve të
huaj dekadentë borgjezo – revizionistë. Pa zbërthyer këtë krim
ne nuk mund t’i analizojmë krimet e tua të tjera ndaj popullit
tonë të shumë vuajtur, siç është lavdërimi që i ke bërë njëfarë
anglezi me ermin Xhon Gollsuorth dhe një amerikani të quajtur
Marlon Brando!” “E po mirë, – i them. – Unë e kam thënë dhe e
them përsëri që Bekim Fehmiu është një artist i madh!” Befas
koka tullace e hetuesit sikur u përflak e grushti i tij u përplas në
tavolinë. (Për habinë time tavlla e duhanit as që lëvizi fare. Edhe
ajo ishte e betonuar!) “Jo, jo! – thërret ai. – Fehmiu është jugosllav.
Është revizionist. Është borgjez”. “Jo, – thërres edhe unë me sa
kisha fuqi, – Fehmiu është shqiptar më shumë sesa ti dhe unë. Ai
krenohet për këtë. Vetë Bekimi na tha se kur zbriti nga avioni në
Nju – Jork, ai rrasi në kokë qeleshen shqiptare!” Figura e hetuesit
sikur u shpërbë dhe me një gjest që e dinte vetëm ai dhe polici me
sytë e gjakosur, mua më lidhën duart me unazën metalike dhe
më përplasën në qeli. Mbeta, rishtazi, vetëm me ty, Bekim! Po
këtë herë e ndjeja veten diç më të fortë. Ti nuk kishe nevojë për
mbrojtjen time, por ja që dashuria njerëzore është e shpërndarë
dhe e copëzuar në eterin e jetës. Befas muret e bardha të qelisë
së ftohtë e të nëndheshme të Tepelenës morën dritë. M’u shfaqe
ashtu i bukur, fisnik, me mantel e shpatë përpara Penelopës.
Janë sekuencat e fundit të filmit…
Gazeta “Rilindja Demokratike”. 13 maj 1992
May be an image of 1 person and text that says "LIBRO 3DVD ODISSEA LO SCENEGGIATO CON POEMA OI BEKIM FEHMIU OMERO E IRENE PAPAS CON UN'INTROOUZIONE OI MICHELE MARI BURsenzafiltro FVEFDLE RaiTrade Rai Trade"
May be an image of 1 person
May be an image of 2 people and beard
Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × two =