Miliarda në favor të të tretëve/ Pse duhet të paguajmë ne për allishverishet e zyrtarëve?!

Nga Xhovan SHYTI –

Nuk është e para herë që ndodh. Madje as e para herë që sido të ndodhë në finale jemi ne, taksapaguesit më të varfër të kontinetit europian që do të mbajmë mbi supe edhe këtë peshë të rendë financiare.

Do paguajmë ne për allishverishet e bëra nga burokratët e zyrave që jo vetëm  përfitojnë individualisht për çdo veprim antiigjor që kryejnë por që përveç tyre na bëjnë të paguajmë.

Kështu ka ndodhur përgjatë viteve të shkuara me milionat që të përjashtuarit padrejtësisht nga detyrat, me të vetmin motiv për të hapur vënde pune për farëfisin, soj e sorollopin e pushtetarëve apo militantët injorantë i kanë fituar gjyqësisht…

Kemi paguar për fitime gjyqesh arbitrazhi sepse nga babëzia për të përfituar personalisht miliona burokratët e zyrave në vend të meritimit kanë kualifikuar të pamerituarit, pra ata që kanë ofruar ryshfetin në zarf.

Kemi paguar… lëre mos të futemi në këto ujra se janë shumë. Kemi paguar shumë për të shlyer shumat e përvetësuara në rrugë antiligjore nga burokratët që vijojnë ti gëzojnë e të bëjnë qejf, madje dhe të tallen me ne, paguesit e gjorë që nuk e njohim artin e të grabiturit në emër të detyrës.

Rasti i humbjes së gjyqit të qeverisë shqiptare me biznesmenin italian Francesco Becchetti është më i freskëti. Gjithçka për “kapriçio” (ske çemër ti vesh tjetër kur në finale gjithsa rezulton antiligjore) të Kryeministrit që nuk e honepste median e Becchetit.

Pak ditë më parë, gazetari i rrjetit ballkanik “BIRN”, Gjergj Erebara zbuloi për “Unpublished” se Shqipëria rrezikon të humbasë miliona dollarë edhe nga një koncesion i dhënë në vitet ’90,kur kryeministër ishte Adil Çarçani, për shfrytëzimin e bregdetit të Durrësit.

Në inat e sipër të mosënies në rreshtim pro tij, e goditi alla shqiptarçe aktivitetin mediatik Becchetit, Edi Rama. I’a mbylli, e përndoqi derisa e detyroi të ikte nga vendi pa u thelluar se gjykatat shqiptare, që do shpallnin fajtor italianion e rrahur me “vaj e uthull” në kësi punësh, nuk janë kështjella e fundit e ligjërimit të antiligjit.

Në përballje me Becchetin në arbitrazhin ndërkombëtar qeveria humbi duke u detyruar të paguaj një goxha dëmshpërblim financiar prej afro 109 milionë euro.

Kryeministri ishte sebepçiu i konfliktit, dmth fajtori i gjithsaje, që don të thotë se normalisht ai duhej të paguajë. Mirëpo ai nuk paguan. Si përherë gjatë këtyre tre dekadave të shkuara, paguesi, shlyerës i Becchetit është “buxheti i shtetit”. 109 milionë eurot do të dalin nga ato që nëpërmjet politikave varfëruese Edi Rama grumbullon prej kontributeve të detyrueshme që ne, takspaguesit më të varfër duhet të paguajnë.

E tham dhe më lartë, edhe Beccheti është vetëm një prej përplasjeve të qeverive shqiptare me investitorët e huaj. Sepse një tjetër më i fundit e ka vjetruar edhe atë.

Sikurse raportonte media “Unpublished “ në “EuroNeës Albania” prej vitit 2011 Shqipëria ka humbur 10 vendime arbitrazhi ndërsa nga një proces i nisur në Londër pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, nga buxheti i shtetit rrezikohet të dalin edhe 90 milionë Euro të tjera, si dëmshpërblim për prishjen e njëanshme të kontratës me “Dondi, Itali & Kubota, Japoni” për projektin e “përmirësimit të sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe”.

Kontrata është prishur nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, domethenë nga burokratët që drejtojnë punët e saj, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve.

Lidhur me inspektimin e rastit Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se kjo gjë është bërë në kundërshtim me marrëveshjen e financimit dhe me kushtet e kontratës së lidhur me kontraktorin dhe vlerëson se buxheti i shtetit rrezikon të paguajë një shumë të konsiderueshme që llogaritet mbi 90 milionë Euro.

Si ka ndodhur? Askush s’di të thotë. Madje dhe juristja, ish-zv/ministre e drejtësisë, Brikena Kasmi, tha për “Unpublished” se në avokaturën e shtetit mungon transparenca.

Së bashku me të edhe ish-avokatja e Përgjithshme e Shtetit, Ledina Mandija, është e mendimit se ka ardhur koha që për këto fatura të kripura në dëm të taksapaguesve shqiptarë, të ketë përgjegjësi individuale penale, krahas moralit politik.

Sipas ekspertit për çështjet e ekonomisë Dritan Shano këto raste kanë pasur dhe kanë një impakt tejet negativ në stepjen e investitorëve të huaj. Sipas tij Struktura e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) duhet të hetojë personat përgjegjës për këtë dëm të madh ekonomik, që ofron pagim  faturash të kripur me paret tona,pra të taksapaguesve më të varfër të kontinentit. /Arberianews.net

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

16 − 1 =