Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Publikohet pas 28 vitesh një elegji e Lefter Çipës për djalin e humbur të tij para 38 vitesh

210218103149_art

Nga Anisa MUÇA-

“Loti i syrit të lotuar”, një elegji drithëruese e shkruar nga poeti Lefter Çipa gati 28 vite më parë në Himarë, në ditën e 10 vjetorit të vdekjes së birit të tij minoren me emrin e rrallë të viseve të Vetëtimës në bregdetin e Himarës, Akroqeran. Dhimbja e Atit-poet për djalin e vogël është përjetësuar më herët edhe në baladën e botuar në librin “Princi i dashurisë” me titullin “Atë unë shumë e doja”. Por elegjia e papublikuar, e ndodhur në fondin dorëshkrimor të poetit, në Vëllimin 3, fletorja 3 , e hedhur së pari nga familja Çipa në faqen zyrtare të poetit në fb, ka arritur një numër record leximesh dhe shpërndarjesh në rrjete.

Eshtë një elegji drithëruese, me dhimbjen dhe marrëdhënien komplekse të babait-poet për birin e vet fëmijë të ikur shpejt dhe tragjikisht nga jeta. Një ndër vargjet e elegjisë ”Brenda dheut vallë a ritesh?!” është më shumë se tronditës. Poeti-At jeton përgjatë dhjetë viteve të mungesës fizike të birit me imazhin e rritjes së tij të imagjinuar. Nga disa publikime të kryera në faqen zyrtare të poetit, gjatë këtyre pesë muajve që nga ditë-ikja e tij në amëshim, vihet re se autori I famshëm I poezisë dhe polifonisë shqiptare ka lënë një fond të artë dorëshkrimesh dhe krijimesh të cilat do të shohin dritën e botimit dhe shtojnë e fuqizojnë marrëdhënien e teksteve të tij me lexuesin dhe adhuruesit e poezisë shqipe.

Loti i syrit i lotuar
(Kushtuar tim biri, Akroqeranit në ditën e 10 vjetorit të ikjes së tij në botën e fluturimit, 13 Nentor 1993)
Lefter Çipa

Lot i syrit i lotuar,
Syri i lotit rëke vitesh.
O pëllumb me krahë lëshuar,
Brenda dheut vallë ritesh?!
Nëse dhjetë vjet të shkuan,
Ke kaluar lart nga Hëna,
Vallë kush të mban në duar,
Se mos të lodhet zemra!
O zog, o pëllumb, o djalë!
Fluturo dhe lere varrë!
Nëse dhembja e ha gurin,
Nëse guri duron dhëmbjen,
Kurse malli e vret burrin,
Po plumbit s’ja kërkon lutjen.
Atje në tempull të qiellit,
Nuk e di do të kem pranë?!
O ti rrezja e Diellit,
Kur shfaqej e njeh babanë?!
O zog, o pëllumb, o djalë,
Fluturo, më eja pranë!
Kur shikoj syrin e prillit,
Që loz me lulet e para,
I thom shkëputu shpejt shpirtit,
Akros të m’i çosh të fala!
Të kesh krahë edhe pëndë,
Kur yjet dhe më vështrojnë,
Do të merrja në pëllëmbë,
Që ëngjëjt të mos dëgjojnë.
O zog, o pëllumb, o djalë,
Fluturo, më eja pranë!
Pranë një guri të bardhë,
E vë buzën dhe tret shpirtin,
E hap dheun me ngadalë,
Të mos lëndoj trëndafilin.
Mund t’i them dhe vetë Krishtit,
I kërkoj vetëm të falur,
Që ta marr pak brenda gjirit,
Akron tim, për t’u çmallur.
O zog, o pëllumb, o djalë,
Fluturo, më eja pranë!
Eja prapë, eja o ëngjëll!
Bashkë me ëngjëj të tjerë.
Eja dhe m’u fut në zemër,
Lere qiellin dhe dhenë.
Se ka vjet që loton syri,
Loti i syrit s’është prerë
Në të mban në duar Krishti,
Të të lëshojë veç një herë!
O zog, o pëllumb, o djalë,
Fluturo, më eja pranë!
Në atë kopësht me zambak,
Ku quhet prehje e shpirtit.
Mbase vijmë dhe ne pranë
Të gjejmë flakën e qiririt.
Atje ku janë të shumtët,
Është dhe ëngjëlli ynë,
Këtej mbeten vetëm gurët,
Atje, trëndafilat mbijnë.
Himarë, 13.11.1993

Fondi Lefter Çipa, Vellimi 3, fletorja 3
( E pabotuar)

/Arberianews.net

Related Posts

Leave a comment