Rudolf Marku, si poet përballë poetëve që i përbashkon poezia.

Poeti, siç besoj, ia nis nga vetja. Edhe për Rudolf Markun mendoj se, tek vizaton rrethin e radhës, pika fillestare është ai vetë. Ai si burrë, si njeri, si banor, si shtegtar… Ai si poet, përballë poetëve që i përbashkon poezia.
Sa shumë poezi për poetin dhe poezinë të mbledhura në në libër të vetëm. Ndoshta ngase një poet, më mirë se kushdo, e di se poetët meritojnë t’u kushtohen poezi. Rrathë të panumërt, brendashkruar rrethit të madh poetik, parë pikërisht nga këndvështrimi i vetë poetit.
Poetët mblidhen në Ferr,
Mes squfurit djegës. Bisedojnë të qetë
A thua se janë në shtëpitë e tyre…
Nuk është e rastësishme që vetë filozofët i kanë hedhur, gjithnjë, sytë nga poetët dhe poezia. Ndonjëherë i kanë “përjashtuar nga qyteti” si demonë të rrezikshëm. Se e mbartin edhe “rrezikun” poetët. Nga ana tjetër, nuk është e rastësishme që poetët japin e marrin me idetë e filozofëve edhe kur argjila e skulpturës së tyre është poeti vetë.
Dhe vështirë se dikush mund ta kundërshtojë Rudolf Markun kur shkruan:
Kur anija e poetit të thyhet prej dallgëve,
Me dhogat, hartat, velat që pluskojnë mbi det,
Ndërtoni varkat tuaja
O njerëz që qëndruat gjithë jetën në breg…
Pra, POETI ËSHTË UDHËRRËFYES. Aq sa edhe një filozof, jep kumte filozofike, mëson filozofi jete. Aq sa edhe një psikolog, kërkon të shpjegojë njeriun.
Dhe pastaj, poeti është prani…
Poetët nuk janë zogj migratorë,
nuk shtegtojnë në vende të largëta.
Madje edhe kur vdekja i merr,
pa lajmëruar askënd…
Miku ynë vazhdon të na dërgojë poezitë e tij
që nga bota tjetër…
Poezitë e fundit që nuk kishim kohë
t’i lexonim bashkë,
Poezitë më të fundit
që nuk i dërgon me postë,
ngaqë kurrë nuk u besoi postave…
Asnjë indikacion në libër, por vargjet më ravijëzuan Ndoc Gjetjen. Kështu e lexova unë. Madje lexova një ndërthurje. Një zgjatim të Ndoc Gjetjes te Preç Zogaj, në një poezi të vetme, me pamundësinë për të gjetur kufirin e vërtetë ndarës. Sepse ndoshta kufi s’ka. Një tjetër lexues nuk di a nuk mundet të afrojë emra konkretë a ndonjë portret poeti me tipare reale. Dhe me gjasë, më mirë kështu. Se poeti është koncept edhe pse i mishëruar te një njeri, edhe pse i shkrirë në një lëndë të pandashme më. Poetët i përbashkon, siç duket e mes të tjerash, prania e përjetshme. Nuk ikin kurrë, mjaft të kenë shkruar një poezi që ende lexohet. Poeti galaksinë e shndërron në shtëpi të zakonshme e shtëpinë e vet e kthen në galaksi.
Te “Rrathë të brendashkruar” janë brendashkruar poetët, herë me emra, herë me vargje, herë me tituj, herë me përshkrime… Janë poetët, miq të poetit, pavarësisht nga kohët e vendet prej nga vijnë. Janë miqësi të lidhura nga “vargoj” poezie. Janë Gjetja, Zogaj, Açka, Dantja, Rilke, Uitmani, Pesoa, Homeri, Safo, Ovidi, Migjeni… Poetët që, sipas Rudolf Markut, as nuk kanë vdekur e as nuk do të vdesin.
Nuk vdesin poetët, por nuk vdesin as nënat e poetëve. I kanë përjetësuar bijtë, gjithnjë të pranishme në libra poetikë, rrathë brendashkruar një rrethi më të madh.
Nuk vdesin nënat e poetëve.
Edhe kur na shohin prej botës tjetër
Me atë shikimin e hutuar të fëmijës që humbet papritur,
Edhe kur psherëtijnë me një zhurmë dallgësh,
Edhe kur harrojnë emrat tanë,
Nuk vdesin nënat e poetëve – i grisni nekrologjitë!
Dhe kompasi i poetit vijon të rrotullohet, të krijojë rrathë pas rrathëve…
Për RRATHË TË BRENDASHKRUAR
Me

Rudolf Marku

n

sonte, 21.35, në Rtsh1
Bibliotekë
17
1 koment
1 ndarje
Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

18 − 7 =