Shuhet ikona e Estradës së Fierit, aktori i qindrave roleve të dashura për publikun Fuat Boçi

Ndërron jetë humoristi i njohur i estradës së Fierit, Fuat Boçi.

Varrimi i tij do të bëhet sot, të Martën, datë 21 Korrik 2020, ora 12:00.

Aktori Fuat Boçi para pak muajsh, më 4 Mars 2020, festoi 89 vjetorin e lindjes së tij.

Aktori jetonte në lagjen 28 Nëntori të qytetit të Fierit i rrethuar nga dashuria e dy vajzave të tij, Teuta dhe Diana dhe nga dashamirësia, respekti dhe dashuria e mijëra shqiptarëve që e kanë ndjekur dhe shoqëruar me të qeshura, interpretimin e tij britalant. Bashkëshortja ishte ndarë nga jeta vite më parë.

Fuat Boçi lindi në Voshtinë (Pogoniani) të Greqisë më 4 Mars. 1931. Me 1938, familja e tij u shpërngul në Fier. Mbeti jetim që në moshën 15 vjeçare.

Punoi fillimisht si portier dhe më pas kinomekanik në kinemanë e qytetit. Spikati për talentin e tij si aktor komik dhe si këngëtar në vitet e ushtrisë (1951-1953). Pasi kreu shërbimin ushtarak punoi si drejtues i qendrës së zërit ( e quajtur ndryshe Radio-Lokale). Këtu iu dhanë edhe shanset për t’u aktivizuar në shfaqje të ndryshme teatrore.

Boçi ka marrë pjesë në rreth 160 premiera duke luajtur mbi 600 role. Ai ka luajtur shume role edhe në pjesë për fëmijë, në teatrin e kukullave të qytetit. U bë thuajse proverbial me Belulin te monologu “A doni më për Belulin”, nivel të cilin e arriti edhe me rolin e Lipe Shtogut të skeci, “Lipja prapa liste” e Pëllumb Kullës.

Boçi mbetet i dashur për publikun edhe në rolet e Zeneli te komedia “Pas vdekjes” e Çajupit, dajua te “Shi ne plazh”, Sotiri tek komedia “Nje budalla e gjysëm”.

Fuat Boçi mban titullin “Qytetar Nderi i Fierit” dhe “Artist i merituar”.

Është aktor themelues i Estradës së Fierit, më 1957.

Në vitin 1965, vijoi studimet në liceun artistik “Jordan Misja”, pa shkëputje nga puna.

Boci dhe pse në moshë të thyer nuk i humbi humori dhe kontakti me njerëzit.

Që prej më shumë se dy dekadash, kur bashkëshortja e tij ndërroi jetë, gjithkush e di Fuat Boçin që me humor u thotë ne kafene miqëve të afërt se ”unë jam dhe burrë, dhe grua”.

Fuat Boçi mbetet një nga emblemat e qytetit të Fierit, dhe jo vetëm në fushën e skenës artit dhe kulturës!

Ai ka mbetur tashmë në historinë e humorit shqiptar.

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

18 − 10 =