Sjelljet e një gruaje të suksesshme në karrierë

Për shumë kohë gratë e kanë krijuar suksesin dhe karrierën e tyre duke u përshtatur në një kulturë të mbizotëruar nga burrat në fushën e biznesit. Gratë përpiqen dhe luajnë sipas rregullave ekzistuese në vendin e punës dhe kanë si pengesë mënyrën e përceptimit nga shoqëria, në lidhje me atë se si duhet të veprojnë apo të sillen.

Edhe pse evoluimi i kohës po e zvogëlon një farë ankthi të padukshëm për të qenë një grua në rol drejtues, ka ende sfida për t’u përballur apo për t’i kapërcyer.

Kjo u mbetet grave udhëheqëse që ta përqafojnë statusin e tyre dhe t’i presin këto sfida me veprim edhe ekzekutim.

Shohim shpeshherë gra në pozicione të ndryshme drejtuese që ngrenë zërin për kufijtë e barazisë gjinore, duke përdorur pikat e tyre të forta: aftësinë, njohurinë, përvojën dhe emocionet. Shpesh mund të dëgjojmë se nuk duhet t’i ekspozojmë ndjenjat në punë, sepse përfaqëson dobësi, sidomos kur je grua.

Gratë në karrierë e shohin pasionin dhe dhembshurinë si pasuri të vlefshme, jo si diçka për t’u injoruar apo fshehur.

VETBESIMI

Sipas një studimi mbi praktikat e brendshme të punësimit, në SHBA, është zbuluar se burrat aplikojnë për punë kur plotësojnë 60% të kualifikimeve, ndërsa gratë aplikojnë vetëm nëse plotësojnë 100% të kualifikimeve të tyre.

Duket se ekziston një besim i pavetëdijshëm se nëse një grua nuk i plotëson kriteret plotësisht, nuk do të merret parasysh. Kujtojmë se po flasim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një kulturë tërësisht ndryshe nga e jona. Ajo që duhet të bëjë çdo grua është të besojë se është e aftë të provojë çdo mundësi që i jepet.

“Vajzat mësohen se si të qëndrojnë të sigurta, të jenë gjithmonë me një buzëqeshje në fytyrë, të sjellshme, dhe të shkëlqejnë në shkollë. Ndërsa djemtë mësohen si të jenë të fortë, të ashpër e si ta mbajnë kokën lart. Me fjalë të tjera, ne i rritim vajzat tona për të qenë të përsosura dhe djemtë për të qenë të guximshëm“,- tha Reshma Saujani, CEO i Girls Who Code, për TED.

Si rrjedhojë, edhe kur gratë janë ambicioze, nëse shoqërohen nga përsosmëria, shkojnë drejt frikës apo neveritjes ndaj rrezikut.

Çdo sipërmarrëse e suksesshme dhe udhëheqëse biznesi, sot bën atë që kishin frikë ta bënin, në vend që ta linin frikën të sundonte në jetën e tyre personale dhe profesionale“,- thotë Devoreaux Walton, pronare e markës Distinct Personal Branding. Ajo tha se mënyra më e mirë për ta mposhtur frikën është ta pranosh atë.

PA HENDEK GJINOR

Shumë gra i kanë ndier efektet e hendekut gjinor gjatë karrierës së tyre. Edhe nëse mjedisi juaj i punës mbështet barazinë, nuk është e pazakontë të hasni njerëz që janë përballur me një lloj diskriminimi, për shkak të gjinisë së tyre. Gjithashtu, rastet e pabarazisë gjinore na flasin çdo ditë në lajme dhe media sociale.

Sidoqoftë, nëse gratë duan të shihen si të barabarta në vendin e punës, ato duhet të qëndrojnë në këmbë dhe të kërkojnë respektin që meritojnë. Kjo arrihet duke u sjellë sikur hendeku në barazinë gjinore nuk ka ekzistuar asnjëherë. Kjo nuk do të thotë që njerëzit duhet të pretendojnë që pabarazia nuk ekziston, por qëndrimet dhe veprimet në vendin e punës janë të domosdoshme për një ndryshim.

Gratë që janë udhëheqëse shpesh i shohim si modele në jetën tonë. Në kontrast me burrat që kërkojnë të jenë në qendër të karrierës dhe të maksimizojnë situatën e tyre financiare, gratë e shohin punën në një mënyrë më të hollësishme.

Gratë kanë më pak të ngjarë të kenë sjelljen si “udhëheqëse të tufës”. Ato vijnë natyrshëm në ndihmë për punonjësit e tyre, sidomos kur kanë të bëjnë me staf të gjinisë femërore. Qëllimi i këtyre grave është të jenë influencuese, udhëzuese dhe mbrojtëse për pjesës tjetër.

Sfida më e madhe për të pasur një karrierë të suksesshme është të mbajmë perspektivat tona në mendje si dhe të jemi elastikë në ndryshimet që na presin. Mos i pengoni ëndrrat tuaja!

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eighteen − twelve =