Studimi fundit/ Covid-19 ka rritur depresionin tek adoleshentët

Para pandemisë ditët e Aya Rajit ishin të ngarkuara. Ajo zgjohej në 6:30 dhe shkonte me metro në shkollë. Natën ajo ushtronte me klubin e saj të skejteboardit dhe organizonte shfaqje të filmave “Twilight” për miqtë e saj.

Sapo shkolla e saj në Brooklyn filloi mësimin në distancë, duke nisur nga pranvera deri tani në vjeshtë, ditët u shndërruan në të gjata e të vetmuara. Asgjë nuk mund ta shpërqendronte nga lajmet e kobshme, pasi ajo ishte në laptop për orë të tëra gjatë orëve mësimore virtuale. Nuk mund të flinte deri në orën 4 të mëngjesit dhe e kishte kapur ankthi.

“Ndihesha sikur isha ngujuar në vetë shtëpinë time të vogël dhe të gjithë ishin larg”, thotë 14-vjeçarja, Aya. “Kur je me shokë shpërqendroheni plotësisht dhe nuk mendoni për gjërat e këqija që janë duke ndodhur. Në fillim të pandemisë isha shumë e vetmuar. Të gjitha gjërat që më mërzisnin, që dikur i largoja, e kuptova që s’munda t’i largoja më”.

Nxënësit si Aya u ndien më të çliruar në fillim të vjeshtës, kur shkollat u hapën duke u kombinuar mësimi në distancë dhe në klasë, pa marrë parasysh rregullat e ashpra dhe distancën sociale për shkak të pandemisë, ribashkimi nuk ishte i vështirë. Kurse tani, kur janë arritur rekorde rastesh me koronavirus në vend, shumë shkolla po i kthehen mësimit në distancë, të paktën përkohësisht gjatë dimrit.

Moshë më e prekur se të tjerat

Izolimi social i pandemisë ka pasur ndikim negativ në shëndetin mendor të shumë amerikanëve. Por ndikimi ka qenë më i madh sidomos tek adoleshentët, të cilët mbështeten te shokët e tyre për t’i qarë hallet dhe problemet e jetës së tyre.

Hulumtimi paraqet se adoleshentët varen te shoqëria e tyre për ta pasur njëfarë vetëvlerësimi dhe për t’i kontrolluar ankthin dhe depresionin. Një studim i fundit me 3 300 nxënës të shkollave të mesme ka zbuluar se afro një e treta e tyre kishin raportuar se janë ndier të mërzitur apo në depresion gjatë muajve të fundit. Dhe edhe pse mund të duket e papritur për një gjeneratë që të kontaktojë me shokë nëpërmjet mesazheve, TikTokut, Snapchatit dhe Instagramit, më shumë se një e katërta e këtyre nxënësve kanë thënë se nuk iu është dukur se janë të lidhur me mësuesit, shokët e klasës apo komunitetin e tyre nga shkolla.

“Shumë prej të rriturve mendojnë se adoleshentët e kanë të lehtë”, thotë Aya. “Por ne jemi më të goditurit”.

Që nga fillimi i pandemisë Aleanca Kombëtare për Sëmundje Mendore ka marrë mesazhe nga shumë të rinj që kanë pasur ankth e depresion, që sipas organizatës pjesërisht është për shkak të izolimit social. Grupi i ka paralajmëruar prindërit dhe mësuesit që t’i përcjellin shenjat alarmante, përfshirë këtu sjelljet e rrezikshme, humbjen e peshës, përdorimin e drogës apo alkoolit dhe ndryshimet drastike në gjendjen emocionale.

Numri i vizitave në dhomat emergjente të fëmijëve, për shkak të shëndetit mendor, është rritur dukshëm gjatë pandemisë, duke vënë në pah shqetësimet rreth efekteve psikologjike që izolimi dhe distanca sociale kanë pasur te të rinjtë, sipas një analize të re të publikuar të enjten nga qendrat për parandalim dhe kontrollim të sëmundjeve.

Mbarimi i “muajit të mjaltit”

Javën e kaluar studiuesit nga Universiteti i Amsterdamit dhe të spitalit “Emma Children’s Hospital” kanë publikuar një studim rreth shëndetit mendor të adoleshentëve në Holandë, ku është zbuluar se të rinjtë kishin pasur rritje të dukshme të ankthit të rëndë dhe probleme me gjumin gjatë periudhës së izolimit të vendit. Fëmijët që kishin më shumë gjasa për të pasur probleme me shëndetin mendor ishin ata që prindi i tyre kishte humbur punën apo e kishin njohur personalisht dikë që ishte infektuar me koronavirus.

Si duket, për disa studentë fillimi i karantinës solli pak çlirim. Nuk kishin më grupe të cilat duheshin t’iu përshtateshin apo ngacmues të cilëve duhet t’iu shmangeshin. Por kjo “fazë e muajit të mjaltit” kaloi shpejt, sipas pediatres dr. Cora Breuner. Megjithëse raportet mes adoleshentëve mund të jenë stresuese, ato janë thelbësore për formimin e personalitetit të tyre.

“Individualizmi dhe zhvillimi i pavarësisë janë ngadalësuar apo kanë pushuar fare, përderisa ata rrinë të ulur tërë ditën me prindërit e tyre në shtëpi”, thotë dr. Breuner, zëdhënës i Akademisë Amerikane të Pediatërve.

Një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të adoleshentëve është vetëdijesimi se bashkëmoshatarët, jo vetëm prindërit, mund të jenë burim i mbështetjes emocionale. Kriza e pandemisë dhe e uljes së ekonomisë ka ndikuar që nxënësit të kenë periudha të vështira personale. Disa janë duke u kujdesur për anëtarët e familjes të cilët janë sëmurë me COVID-19; të tjerët janë ndodhur në një ambient kur duhet të merren me papunësinë e prindërve të tyre apo gjendjen e vështirë financiare. Të qenit të ngujuar në shtëpi e bën më të vështirë që të mbështeten te shokët.

Kur shkollat filluan mësimin në distancë, në pranverë, Catherine Khella, mësuese e shëndetit në Brooklyn, kishte kërkuar nga nxënësit e saj që të mbanin ditar, ku ajo lexoi për shenjat e çrregullimeve mendore. Shumë prej tyre ishin duke u përballur me diçka të tillë, por ngurronin të tregonin. Një nga nxënësit shkroi se nuk është i motivuar për t’i bërë detyrat, pasi nervozohej me familjarët dhe përjetonte emocione “që s’i kishte ndier kurrë”. Një tjetër nxënës, Adolfo Jeronimo, shkroi rreth jetës në një shtëpi me 15 njerëz dhe qëndrimit zgjuar natën për të gjetur paqe dhe qetësi.

“Flija tërë ditën për shkak se motra ime rrinte zgjuar duke qarë dhe mezi hanim pak ushqim”, ka thënë Adolfo, prindi i të cilit ishte hospitalizuar me COVID-19 dhe nuk ka mundur të punonte për katër muaj. “Zakonisht shokët e mi më ndihmojnë, por ata nuk i kisha, kështu që ishte shumë më e vështirë. Ndihesha sikur po fundosesha”.

Shkolla e Adolfos është mbyllur për shkak të rasteve të reja të raportuara me COVID.

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two + 6 =